E shtunë, 18 Prill, 2026

“Ndizet” Ballkani, Serbia blen raketa shkatërruese që godasin deri në 400 km, bashkëpunimi ushtarak me Kinën alarmon Kroacinë, Podgorica vë në lëvizje NATO-n,Vuçiç paralajmëron tensione edhe me Shqipëri-Kosovë

Share

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, konfirmoi se Serbia ka blerë raketa balistike supersonike CM-400 nga Kina. Ai theksoi se vendi i tij tashmë zotëron një numër të konsiderueshëm të këtyre armëve dhe planifikon të shtojë më tej arsenalin. Vuçiç deklaroi se Forcat e Armatosura të Serbisë i kanë integruar me sukses raketat kineze në avionët luftarakë rusë MiG-29, të cilët janë pjesë e flotës ajrore serbe. Sipas tij, raketat kanë një rreze veprimi nga 200 deri në 400 kilometra dhe konsiderohen armë me fuqi të madhe shkatërruese. Vuçiç u shpreh se avionët e armatosur me raketat kineze janë filmuar “rastësisht”, ndërsa nuk pranoi të tregojë koston e blerjes së tyre. Ky bashkëpunim i Serbisë me Kinën ka frikësuar Kroacinë, e cila ka njoftuar menjëherë NATO-n. Por, Presidenti Vuçiç iu kundëpërgjigj Zagrebit se vendi i tij po përgatitet për mundësinë e një kërcënimi nga një aleancë që, sipas tij, po formohet mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.

Bashkëpunimi ushtarak Serbi-Kinë

Pavarësisht paralajmërimeve nga Brukseli dhe Uashingtoni, Serbia ka vijuar të zgjerojë bashkëpunimin ushtarak me Kinën. Sipas të dhënave të Instituti Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes në Stokholm (SIPRI), gjatë periudhës 2020–2024 Serbia ka importuar pjesën më të madhe të armëve nga Kina, që përbëjnë rreth 57% të totalit të importit të armatimeve. Pas Kinës renditen Rusia me 20% dhe Franca me 7.4%. “Kina është e përgatitur të punojë me Serbinë në frymën e respektit dhe besimit të ndërsjellë, për të mbështetur fuqimisht interesat dhe shqetësimet kryesore të njëri-tjetrit”, është shprehur pak kohë më parë Kryeministri i Kinës.

 Alarm në Zagreb

Nga vendet e rajonit, Kroacia ishte e para që reagoi ndaj prokurimit të raketave supersonike kineze nga ana e Serbisë. Kryeministri kroat, Andrej Pllenkoviç, tha ditën e djeshme se Zagrebi do të bisedojë me aleatët e NATO-s dhe do t’i paralajmërojë ata për risitë në arsenalin e Forcave të Armatosura të Serbisë. Ai tha se nuk pret që posedimi i një arme kaq serioze, në asnjë variant, të përdoret kundër vendeve fqinje – Kroacisë apo ndonjë tjetri. “Armë të tilla nuk janë parë ende në territorin evropian”, shtoi kryeministri kroat, Andrej Pllenkoviç. Ndërkohë ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiç, në një deklaratë, u shpreh se shpreson që raketat të mbeten në depo, aty ku e kanë vendin.

Reagimet e Vuçiç

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç reagoi ndaj deklaratave të Kroacisë duke thënë se Zagrebi nuk do të vendosë se çfarë do të ketë Serbia. Ai tha se Serbia po përgatitet për mundësinë e sulmit nga aleanca që po formohet nga Prishtina, Tirana dhe Zagrebi. “Ne nuk mund t’i sulmojmë vendet e NATO-s, dhe Shqipëria dhe Kroacia janë gjithashtu vende të NATO-s. As nuk duam t’i sulmojmë. Por, mendoj se ky është qëllimi i tyre i vetëm. Ato, thjesht, po e presin momentin. Serbia ka forca të mjaftueshme parandaluese për dy vende dhe një entitet”, tha Vuçiç, vendi i të cilit nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Në mars të vitit 2025, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova nënshkruan një Deklaratë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, të cilën zyrtarët serbë e përshkruan si kërcënim për sigurinë e Serbisë. Sipas tij, Serbia ka marrëdhënie të drejta dhe të mira me NATO-n. Por, ai përsëriti se nuk do t’i bashkohet asaj aleance ushtarake.

Marrëveshja trepalëshe Kroaci-Shqipëri-Kosovë

Në mars të vitit 2025, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova nënshkruan një deklaratë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Në deklaratën që u nënshkrua në atë kohë nga ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ai i Shqipërisë, Pirro Vengu, dhe i Kroacisë, Ivan Anushiç, u vendosën katër pika bashkëpunimi: Promovimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe bashkëpunimi për industrinë përkatëse; Rritja e ndërveprueshmërisë nëpërmjet edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve; Kundërpërgjigja ndaj kërcënimeve hibride dhe rritja e qëndrueshmërisë; Ofrimi i mbështetjes së plotë për integrimin euroatlantik. Në tekstin e deklaratës u tha se ky bashkëpunim është për të siguruar pozicionim të mirë për t’u bërë ballë kërcënimeve dhe për të arritur objektivat e mbrojtjes dhe sigurisë.

Te tjera

Lajme te tjera