E hënë, 28 Shtator, 2026

Muharrem Xhafa: Rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës skenar i mirëmenduar dhe puçist i Ramiz Alisë, bashkëpunoi ngushtë me PD dhe Berishën, ja si liruan në fshehtësi bulonat e shtatores dhe roli i tradhtarit Hekuran Isai

Share

Nga Rigels Seliman

Sot shënohen plot 32 vite nga rrëzimi i bustit të ish-diktatorit Enver Hoxha. Më 20 shkurt 1991 mijëra studentë e qytetarë vërshuan në sheshin “Skënderbej”, duke hedhur në tokë shtatoren e diktatorit. Mbi këtë ngjarje gjithmonë ka pasur debate, pasi të shumtë janë ata që mendojnë se rrëzimi i bustit erdhi natyrshëm për shkak të zemërimit qytetar, ndërkohë që ka nga ata që mendojnë se gjithçka ishte e inskenuar nga pushteti i asaj kohe. Një ndër ta është edhe Muharrem Xhafa, ish-funksionarë i lartë i Partisë së Punës. Në një prononcim për gazetën “SOT”, Muharrem Xhafa ka treguar dje versionin e tij për këtë ngjarje, duke deklaruar se rrëzimi i bustit ishte një skenar puçist i mirëmenduar i vetë Ramiz Alisë, i cili bashkëpunoi ngushtë me Partinë Demokratike dhe ish-kryeministrin Sali Berisha. Xhafa shtoi më tej se shtatorja e ish-diktatorit ishte një gjemb në sytë e Ramiz Alisë, duke shtuar se ky i fundit i di mirë të gjitha detajet, madje edhe lirimin në fshehtësi të bulonave dhe vidave. “Rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës, më 20 shkurt 1991, ishte pjesë e një skenari (plani) të ndërtuar me imtësi e hile prej Ramiz Alisë dhe bashkëpunëtorëve të tij, për përmbysjen e socializmit në vendin tonë. Pa asnjë mëdyshje, kjo ishte loja që bënte R. Alia me PD-në dhe Berishën, e detajuar në fshehtësi të plotë prej R.Alisë, ish-Sekretari i Parë i KQ të PPSH-së dhe Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor! Për shkak të personalitetit të fuqishëm që Enver Hoxha përfaqësonte, monumenti i tij ishte gjemb në sytë e Ramiz Alisë, të Hekuran Isait e të ndonjë tjetri. Këto “figura” i dinin të gjitha prapaskenat e rrëzimit të Monumentit të Enverit, deri dhe ditën e orën, madje edhe se cilët do të lironin vidat e bulonat. Vetëm pastaj falangat e reaksionit të vjetër, të llumit të socializmit dhe drejtues “demokratë” të PD-së, të miratuar prej Ramiz Alisë, do t’u prinin “turmave” drejt destinacionit të përcaktuar : Monumentit”, deklaroi Xhafa për gazetën SOT”, e cila më poshtë po sjell për lexuesin gjithë reagimin e tij për këtë ngjarje që tashmë ka hyrë në historinë e Shqipërisë.

Si kujton Muharrem Xhafa rrëzimin e bustit

32 vjet më parë, më 20 shkurt 1991, forca të errta kriminale, antishqiptare dhe kundërkomunistë, të manipuluara e të gënjyera nga PD-ja, drejtuar prej agjenturave të huaja, si dhe me mbrojtjen e politikës tradhtare e kapitulluese të frikacakut Ramiz Alia, rrëzuan monumentin e Enver Hoxhës në Tiranë. Ishte kjo kategori njerëzish, po edhe njerëz të  tjerë të mashtruar e dritëshkurtër, iu gëzuan rrëzimit të monumentit të bronztë të udhëheqësit të Partisë, të popullit dhe shtetit shqiptar, Enver Hoxhës, por ishte kjo një “fitore” e humbur! Mbushur me urrejtje dhe i gëzuar, reaksioni e njerëzit e tjerë të pakënaqur, shpresuan se, duke rrëzuar e duke hequr nga Sheshi “Skenderbej” monumentin e Udhëheqësit, të kryeheroit të LANÇ-it e të ndërtimit të socializmit, hoqën e rrëzuan nga ndërgjegjja e shpirti i popullit shqiptar edhe emrin e veprën e Enverit të lavdishëm. Por ata gabuan rëndë! Ky krim, i pashembullt në historinë e Europës, ka mbetur e do të kujtohet në shekuj si një veprim i urryer e kanibalesk kundër lavdisë së kombit shqiptar, Kryeheroit të tij, Enver Hoxhës, krim ky i ngjashëm me atë që kishin bërë turqit osmanë në Mesjetë kundër Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Gjegj Kastrioti-Skënderbeut! Manipuluar nga propaganda e reaksionit të brendshëm e të jashtëm, një masë njerëzish disa mijëshe përjetoi konfuzion të madh dhe pandehu se ishin masat popullore ato që e rrezuan monumentin e Enver Hoxhës, po e vërteta ishte krejt ndryshe : monumentin e Enver Hoxhës dhe socializmin i rrezoi tradhtia, i rrezoi politika kapitulluese e ndjekur prej Ramiz Alisë për përmbysjen e epokës së socializmit në Shqipëri, pas vdekjes së Enver Hoxhës.

Skenarët

Ata që sot bërtasin e mburren nëpër foltore dhe presidiume se ishin “dora” e rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës, në fakt kishin frike t’i afroheshin Monumentit të Enverit jo më t’i hiqnin atij natën bulonat apo t’i hidhnin litarin ditën për ta përmbysur! Ato ishin vegla qorre të Ministrit të Brendshëm të kohës, Hekuran Isait, i beniaminit të Ramiz Alisë! Sipas skenarit, të tjerët që ishin rreth e rreth Sheshin “Skënderbej”, në shumicën e tyre ishin për të bërë sehir, për të dhënë imazhin e rremë sikur ishin “turma popullore”! Masave popullore nuk u kishte shkuar kurrë ndërmend që porosinë për rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës e kishte dhënë nga lart Ramiz Alia dhe që forcat e rendit, të urdhëruara prej tij, do të bënin sehir, do të bënin heshtjen e madhe, heshtjen e vdekjes! Po të kishte qenë Ramiz Alia besnik i Enver Hoxhës, monumenti i Enverit as që do të ishte prekur me dorë. Ata që u hodhën përpjetë nga gëzimi dhe u ranë tamtameve gjithë entuziazëm do të kishin venë lule të freskëta atë ditë të 20 shkurtit 1991! Po të mos kishte vepruar tradhtia e Ramiz Alisë, pushteti popullor i diktaturës së proletariatit ishte aq i fortë sa, pa qenë nevoja e asnjë sforcimi, e asnjë 21 janari, i kishte neutralizuar “trimat” e reaksionit për dy minuta dhe “turmat” e gënjyera do të ishin kthyer në shtëpitë e tyre! Për më tepër që ishin pak mijëra njerëz, të cilët nuk përfaqësonin aspak vullnetin e popullit! Nuk ishte gjë e rastit që, në të katër anët e Shqipërisë, shqiptarët u ngritën në mbrojtje të Enver Hoxhës. Po ishte Ramiz Alia me disa të tjerë rreth tij ai që e përçau dhe e sabotoi lëvizjen popullore në mbrojtje të Enverit. Ajo lëvizje do t’i kishte bërë copë e cikë si reaksionin e vjetër ashtu edhe llumin e shoqërisë socialiste! Monumenti prej bronzi i Enver Hoxhës që u rrëzua ishte i lëvizshëm, ishte i thyeshëm! Reaksioni shqiptar e llumi i socializmit vetëm kaq mund të bënin, sepse emri, mësimet e vepra e tij ishin, janë e do te jenë të pavdekshme, shkrirë në ndërgjegjen, gjakun e shpirtin popullit shqiptar, i cili rron e nuk vdes. Siç ka thënë poeti popull, që të heqësh Enverin nga zemra, shpirti e ndërgjegjja e tij, e kombit shqiptar, duhet të vrasësh popullin, të shuash kulturën shqiptare, të tjetërsosh historinë e Shqipërisë të përmbysësh malet e saj!

Lidhja e qytetarëve me socializmin

Gjithkund shihet se njerëzit janë penduar, sepse Enver Hoxha është rrënjosur thellë në ndërgjegjen e kombit të vet! Ndaj themi se sa më të egra e më të rafinuara të bëhen sulmet e borgjezisë e të reaksionit të brendshëm shqiptar e të jashtëm kundër Enver Hoxhës, aq më lart ngrihen në sytë e popullit veprat, vlerat, mësimet, figura e tij prej Udhëheqësi të pavdekshëm! Sa më shumë gurë e baltë të hidhet mbi të aq më i pastër e më i bukur ngrihet madhështor në sytë e popullit heroi ynë kombëtar, epoka e Enverit, e cila është e ardhshmja e klasës punëtore, e masave të popullit, e njerëzimit. Personaliteti i Enver Hoxhës është i lidhur ngushtë me tërë historinë e re të Shqipërisë, me Partinë Komuniste qe themeloi, me LANÇ-in e fitoren e saj, me ndërtimin e mbrojtjen e socializmit, me çdo ngjarje të denjë për kombin! Pa Enver Hoxhën Shqipëria jonë nuk do të kishte fituar as lirine dhe as pavarësinë e vërtetë të saj, nuk do të ekzistonte, sepse do ta kishin gllabëruar armiqtë e saj! Për çdo shqiptar patriot, gjithçka që ka lidhje me Enver Hoxhën është e vyer, është e shtrenjtë, është e dobishme për t’u mësuar e për t’u mbajtur si udhëheqje për veprim. Shqiptarët kudo që jetojnë, në shtetin amë, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Çamëri, në Diasporë e në vende të ndryshme të botës, ndjehen krenarë për Enver Hoxhën! Pa Enverin vendi ynë, populli dhe kombi shqiptar nuk kane histori! Borgjezia ka frikë prej tij! Borgjezia ka frikë nga e vërteta! Borgjezia ka frikë nga zgjimi i popullit! Borgjezia ka frikë nga komunizmi që është e ardhmja e botës! Borgjezia i shanë Enverin e mësimet e tij tani që Enveri ka vdekur! Çdo 20 shkurt, Enver Hoxha ngrihet edhe me lart! Çdo 20 shkurt, populli lidhet edhe më shume me Enverin! Enveri rron!

A ishte Berisha besnik i Ramiz Alisë?

Pa nxitjen, mbështetjen, udhëzimet, takimet e Ramiz Alisë nuk do të ishte krijuar as PD-ja, as Partia Republikane. Se jo kot ai thërriste në shtëpi e në zyrën e tij dhe ngarkonte me detyra specifike për “mbarëvajtjen” e protestave të studentëve, Sali Berishën, Sabri Godon e të tjerë. Sidoqoftë, kjo nuk ka qenë veprimtari e Partisë së Punës, po punë e fshehtë e Ramiz Alisë kundër Partisë. Pa idhullin e tij, Ramiz Alinë, pa tradhtinë e Ramiz Alisë, Sali Berisha kurrë nuk do të kishte ardhur në pushtet! Ai do të kishte ndenjur gjatë nën gurë po të mos e nxirrte prej andej, t’i jepte zemër e ta çonte te studentët Ramiz Alia! Madje, unë e kam thënë edhe më herët për gazetën tuaj se Ramiz Alia i dha dorën Berishës që në 8 dhjetor, më pas bashkëpunimi i tyre kulmoi në “20 Shkurt” të vitit 1991 dhe në 22 mars të vitit 1992.

Te tjera

Lajme te tjera