Rigels Seliman
Ish-shef i Sektorit të Edukimit në aparatin e KQ të Partisë së Punës, Muharrem Xhafa ka lëshuar kritika të ashpra në adresë shkrimtarit të madh, Ismail Kadare. Ky i fundit është rikthyer në libraritë italiane me “Pallatin e Ëndrrave”, një roman të 40 viteve më parë që ruan fuqinë dhe freskinë të ngjarjeve aktuale. Në një intervistë të dhënë pak ditë më parë për La Lettura të “Corriere della Sera”, shkrimtari gjirokastrit foli për kohën kur shkruajti romanin, marrëdhëniet e tij me Enver Hoxhën dhe për teknologjinë në kohën e sotme dhe frikën ekzistuese se kjo e fundit po na kontrollon mendjen. Duke folur për veprën, ai tha se fryma e atmosferës që përshkruhet në vepër nuk ndryshon nga totalitarizmi shtypës i Enver Hoxhës asokohe. Ai tha se pas daljes së këtij romani mendoi se do ta arrestonin, pasi dukej qartë fryma kundër sistemit. Madje zoti Kadare theksoi se në asnjë vepër s’ka theksuar admirimin për Enver Hoxhën. Por sa i takon këtyre deklaratave dhe jovetëm, ka reaguar edhe zoti Muharrem Xhafa, i cili përmes një reagimin në rrjetet sociale e cilëson Kadarenë si shkrimtar hipokrit, ndërkohë që tregon lidhjet e tij të ngushta me Enver Hoxhën dhe si e ktheu ‘pllakën’ pas arratisjes në vitet ’90 nga Shqipëria.
Ja reagimi i plotë i Muharrem Xhafës
Detaje nga libri “Kur tradhtohej socializmi”
Duke rilexuar librin tim “Kur tradhtohej socializmi”, pas 13 vitesh. Libri ka 238 faqe dhe është botuar më 2010-ën! Pasi e mbarova së lexuari, vendosa të publikoj diçka për Kadarenë, pa hequr e shtuar asgjë. …Kadareja, ky kolos i letërsisë dhe kulturës shqiptare, i cili e kishte bërë të tijën “duke u arratisur” në Francë dhe duke marrë mbi vete një njollë të zezë, që do t’i rëndojë tërë jetën me “Nobelin” e pa “Nobelin” e tij. Çudi është se si Kadareja nuk e ka kuptuar që atë nuk e “shëron”asgjë nga ato që shkruan e thotë sot për Enverin dhe të kaluarën e “zezë” komuniste. Populli ka kujtesë të fortë, nuk gënjehet kollaj dhe po kështu as harron lehtë se Kadareja ka qenë po e po shkrimtar i socializmit dhe Enverit sa Enveri ishte gjallë, po edhe pasi Enveri ndërroi jetë, për të cilin Kadareja shkroi aq bukur e me frymëzim. Kadarenë nuk e detyroi askush të hidhte në letër kujtimet e tij për Enver Hoxhën pas vdekjes.
Detaje nga libri “Kujtime për Enverin” i Kadaresë
Në librin “Kujtime për Enverin”, vëllimi i parë, botim i Shtëpisë Botuese “8 nëntori”, 1988, Kadareja shkruan: “Tani që udhëheqësi ynë nuk është më midis nesh, kujtimet për të marrin një përmasë e kujtim të veçantë. Ato janë pjesë e veprës së tij monumentale, por një pjesë sui generis, që nuk përfshihet në librat, fjalimet, ditarët, porositë e letrat e tij, por është e shpërndarë në qindra, në mijëra njerëz. E megjithëse e tillë, kjo pjesë e veprës, këto kujtime, që ai ka lënë, biseda, fjalë, gjeste, pamje, gjendje shpirtërore, janë një pasuri e tërë, që ndihmojnë për të plotësuar e ndriçuar anë të tëra të personalitetit të tij si udhëheqës, burrë shteti, mendimtar marksist, filozof, shkrimtar dhe njeri”. Më tej: “Kujtimet për të nuk kanë nevojë për zbukurime, ato kanë nevojë vetëm për saktësi… Fjalët e tij ma dhjetëfishuan guximin dhe unë jo vetëm e lexova diskutimin tim me zë të vendosur, por aty për aty, i nxitur nga inkurajimi i tij, shtova mjaft fraza që nuk i kisha të shkruara… Fjala e shokut Enver pati një efekt të jashtëzakonshëm në gjithë jetën letraro-artistike… E çliruar kështu, në saj të ndërhyrjes së Udhëheqësit prej një tensioni të kotë e të dëmshëm, letërsia jonë njohu menjëherë një zhvillim të ri e të vrullshëm, në kundërshtim me profecitë e zymta të hrushovianëve që prisnin shkatërrimin e saj.
Fjalimi i Enver me shkrimtarët e artistët në korrik të vitit 1961
Takimi dhe fjalimi i shokut Enver me shkrimtarët e artistët në korrik të vitit 1961, hyri kështu në historinë e letërsisë shqipe..”. Dhe më tej: “Kam patur fatin ta takoj disa herë shokun Enver, në raste të ndryshme, në ditëlindje, në pushime mbledhjesh solemne apo midis dy seancash të Kuvendit Popullor. Me gjithë se të shkurtra, ato më kanë mbetur të pashlyera në kujtesë, po veçanërisht i tillë më ka mbetur takimi i gjatë me të në vitin 1971 në shtëpinë e tij..”. “S’dija me ç’fjalë ta falenderoja për besimin dhe fisnikërinë e këtyre fjalëve, sepse duhej të ishin tepër të rralla rastet në botë, kur një autor të dhuronte aq bujarisht librin e tij të pabotuar për ta shfrytëzuar dikush tjetër..”. “…duhet ta them se biseda e rastësishme e shokut Enver më dha mua si shkrimtar diçka të pazëvendësueshme nga asgjë tjetër për romanin që po shkruaja. Krejt atmosfera e pjesës së dytë të veprës me nëntitullin “Mysafirë në kështjellë”, vizioni i përgjithshëm i saj, ngjyrat, simfonizmi, tragjizmi dhe pesha e saj, e kanë zanafillën e tyre te ajo bisedê e Udhëheqësit..”. “I habitur dëgjova të fliste për to, në një mënyrë që nuk e kisha lexuar asgjëkundi..”. “Ishte shakaja e hollë e njeriut të informuar në mënyrën më të plotë për diskutimet që bëheshin kudo në botë lidhur me raportin midis letërsisë realiste të shekullit të 19-të dhe asaj bashkëkohore…”. Cilin Ismail Kadare duhet të besojë populli shqiptar?!
