Reshje intensive shiu kanë përfshirë të gjithë vendin duke shkaktuar probleme në disa qarqe, ku më problematike situata shfaqet në Durrës dhe në Lezhë.
Në Durrës, në zonën rreth stadiumit, Spitallë dhe NISH Tulla, reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje. Ndërkohë, në të gjithë qarkun e Durrësit është pezulluar procesi mësimor, ndërsa oborri i universitetit Aleksandër Moisiu është nën ‘pushtetin’ e ujit. Prani uji ka në disa biznese dhe oborre banesash në zonën e ‘Ish-Kënetës’ .
Në rrugën interurbane që lidh Tiranën me Durrësin, në zonën pranë karburantit në hyrje të Durrësit, ka prezencë të lartë të ujit në të dyja anët e lëvizjes, gjë që e bën të pamundur qarkullimin normal të mjeteve.
Për të shmangur trafikun dhe aksidentet, Policia Rrugore njofton se do të devijohet lëvizja si më poshtë: Automjetet që vijnë nga jugu në drejtim të Tiranës, të qarkullojnë nga Rruga e Plepave për në Ndroq dhe nga rruga “Rrogozhinë–Elbasan–Tiranë”. Për në Durrës, kalimi do të bëhet nga rruga e universitetit, në drejtim të Spitallës dhe në rrugën “Tiranë–Elbasan–Rrogozhinë”.
Në Lezhë, kanalizimet nëntokësore nuk e përballuan nivelin e lartë të prurjeve, duke sjellë përmbytje në lagjen “Besëlidhja”. Situata më problematike u paraqit në blloqet e banimit “11 janari” dhe “11.2 hektarë”, ku niveli i ujit arriti në disa centimetra, duke bllokuar hyrjet e pallateve dhe vështirësuar lëvizjen e qytetarëve dhe të automjeteve. Ndërkohë, për shkak të prezencës së ujit në ambientet e jashtme, është pezulluar procesi mësimor në shkollën 9-vjeçare “Kosova” dhe “Gjergj Fishta”,, ndërsa prurjet e shumta të Lumit Drin kanë përmbytur shtetëroren në lagjen “Skëndërbeg”.
Reshjet dhe prurjet e paparashikueshme nga lumenjtë anësorë kanë rritur gjithashtu nivelin e ujit në hidrocentralet e kaskadës së Drinit. Edhe këtë të martë, vijojnë shkarkimet e ujit nga hidrocentralet e Komanit dhe të Vaut të Dejës me një sasi aktuale prej 700 m³/sekondë.Aktualisht sipas të dhënave nga Bashkia Shkodër dhe Shtabi i Emergjencave në Prefekturë, nuk ka rrezik për përmbytje. Hidrocentrali i Fierzës ndodhet aktualisht në kuotën 280 metra, nga 296 metra që është kapaciteti maksimal i lejuar, duke vijuar operimin në parametra të kontrolluar.
