E premte, 17 Prill, 2026

Misioni historik Artemis II, sa paguhen astronautët që udhëtojnë drejt Hënës?

Share

Katër astronautë, Reid Wiseman, Victor Glover, Christina Koch dhe Jeremy Hansen u nisën nga Toka më 1 prill në kuadër të misionit Artemis II, duke shënuar një moment të rëndësishëm në eksplorimin e hapësirës.

Ekuipazhi ka përfunduar me sukses fluturimin pranë anës së errët të Hënës dhe pritet të rikthehet në Tokë më 10 prill, në atë që konsiderohet misioni i parë me ekuipazh që i afrohet Hënës që prej Apollo 17.

Deri tani, misioni është zhvilluar sipas planifikimit, me përjashtim të një episodi tensioni, kur anija kozmike Orion humbi kontaktin me NASA-n për rreth 40 minuta gjatë kalimit në anën e largët të Hënës. Përtej këtij momenti të izoluar, operacioni ka vijuar normalisht, ndërsa interesimi publik është rritur ndjeshëm, jo vetëm për misionin, por edhe për jetën dhe përfitimet e astronautëve.

Pavarësisht rrezikut dhe prestigjit që mbart ky profesion, astronautët e NASA-s paguhen sipas sistemit federal “General Schedule”. Ata zakonisht klasifikohen në nivelet GS-13 deri GS-14, me paga që variojnë nga rreth 90 mijë deri në 150 mijë dollarë në vit. Sipas të dhënave të vitit 2025, paga mesatare arrin në rreth 152,258 dollarë në vit, ndërsa nuk ka informacion të qartë për shpërblime shtesë për misione të gjata apo kushte ekstreme.

Rruga për t’u bërë astronaut kërkon vite të gjata përgatitjeje intensive. Trajnimi zhvillohet në qendra si Johnson Space Center, ku kandidatët trajnohen në teknika mbijetese, zhytje, robotikë dhe përdorimin e sistemeve hapësinore. Krahas aftësive teknike, kërkohet edhe një gjendje fizike shumë e mirë, disiplinë e lartë dhe aftësi për të përballuar stresin dhe izolimin.

Misioni Artemis II po shënon gjithashtu një zhvillim të ri në fotografinë hapësinore. Për herë të parë, në hapësirën e thellë po përdoren pajisje moderne si kamera DSLR, kamera pa pasqyrë, GoPro dhe madje edhe telefona inteligjentë si iPhone 17 Pro Max.

Në total, anija Orion është e pajisur me 32 pajisje fotografike, nga të cilat 15 janë të integruara në strukturën e saj, ndërsa pjesa tjetër përdoret nga vetë astronautët. NASA ka publikuar tashmë imazhet e para, përfshirë pamje të detajuara të Hënës, duke ofruar një perspektivë të re dhe duke e afruar publikun me misteret e hapësirës.

Te tjera

Lajme te tjera