Zonja e Parë e SHBA-së, Melania Trump ka lançuar kompaninë e saj të prodhimit të filmave, Muse Films, ndërsa njoftoi gjithashtu një dokumentar të profilit të lartë të fokusuar në jetën dhe rolin e saj në Shtëpinë e Bardhë, sipas “NewsWeek”.
Dokumentari, i titulluar “Melania”, është planifikuar të dalë në kinematë botërore më 30 janar 2026.
“Ju prezantoj me “Muse Films”, kompania ime e re e prodhimit te filmave,” postoi Melania Trump në X.
“Dokumentari “Melania”, do të shfaqet ekskluzivisht në kinematë në mbarë botën më 30 janar 2026″, tha ajo.
Njoftimi, shënon sipërmarrjen e saj më të rëndësishme solo që nga rikthimi në vëmendjen kombëtare si Zonja e Parë në vitin 2025.
Në një dalje publike në “Fox & Friends”, Melania Trump e përshkroi projektin si një vështrim intim mbi përgjegjësitë dhe jetën e saj private.
Dokumentari u ble nga “Amazon MGM Studios” për një vlerë prej 40 milionë dollarësh, një nga marrëveshjet më të mëdha të njohura të licensimit për një dokumentar politik.
Ai gjithashtu do të ketë një shfaqje të kufizuar në kinema para se të debutojë në platformën e transmetimit të “Amazon”, Prime Video.
Dokumentari “Melania” përqendrohet në 20 ditët që çuan në inaugurimin presidencial të vitit 2025.
Ai shfaq prapaskenat e Melania Trump ndërsa ajo përgatit inaugurimin, organizon zyrën e Zonjës së Parë dhe udhëzon familjen e saj për jetën publike përpara kthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Dokumentari do të përfshijë gjithashtu momente nga presidenti Donald Trump dhe djali i tyre, Barron.
Projekti drejtohet nga Brett Ratner, karriera e të cilit në Hollywood u ndërpre pas akuzave për ngacmime seksuale, të cilat ai i ka mohuar.
Melania Trump njihet si producente ekzekutive, megjithëse mbetet e paqartë nëse “Muse Films” ishte përfshirë drejtpërdrejt në prodhimin e dokumentarit apo nëse ai do të shërbejë kryesisht si një mjet për krijimin e markës për projektet e ardhshme.
Marrëveshja e licensimit shkaktoi debate politike, veçanërisht mbi motivet e “Amazon” dhe themeluesit të saj, Jeff Bezos, perandoria mediatike e të cilit përfshin “The Washington Post”.
Dokumentari nuk është marrëveshja e vetme e “Amazon” me Trump këtë vit.
Më 10 mars, kompania njoftoi se “Prime Video” do të niste transmetimin e “The Apprentice”, reality show-t të udhëhequr nga Donald Trump gjatë viteve të tij të biznesit.
“Dokumetari do të shfaqet në kinematë e SHBA-së ekskluzivisht të premten, më 30 janar 2026”, sipas një njoftimi në tetor të “Amazon MGM Studios”.
