Sulmet e vazhdueshme të Sali Berishës në adresë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e veçanërisht ndaj zyrtarëve të saj, duket se kanë nxitur “besnikët e tij” të verbër që të ndërmarrin një peticion kundër diplomates amerikane në Tiranë, Yuri Kim. Nuk dihet se kush qëndron pas peticionit, por në thelb të saj qëndrojnë pikërisht vërejtjet që janë artikuluar publikisht nga goja e Sali Berishës. Autori i këtij peticioni, siç mund të shihet te linku, është Milaim Nela, një analist i cili ka realizuar jo pak herë shkrime kundër Kim e në mbrojtje të Sali Berishës, teksa në Facebook e tij fton ndjekësit që ta plotësojnë. Por, sa i takon kësaj nisme të pa dëgjuar dhe në kufijtë e skandalit, ka reaguar dje ashpër edhe ish-kreu i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu, i cili përmes një statusi në rrjetet sociale akuzoi Sali Berishën si frymëzues të antiamerikanizmit në Shqipëri.
“Në kohën kur çdo shtet europian po largon diplomatët rus nga vendet e tyre, në Shqipëri dhe rajon bazat ruse janë vitalizuar dhe i kanë shpallur luftë diplomatëve amerikanë duke kërkuar largimin e tyre. Vetëm Tirana, Beogradi dhe Podgorica protestojnë kundër Amerikës si përpjekje e fundit e dëshpëruar që Ballkani të mos hyjë në BE dhe të mos futet në influencën amerikane në 100 vitet e ardhshme. Pas mbylljes ambasadës amerikane në 1997 dhe evakuimit me helikopter nga stadiumi “Qemal Stafa” të gjithë personelit të ambasadës, ky është sulmi dytë i mirëorganizuar i Berishës kundër SHBA në 32 vitet e post-komunizmit. Peticioni kundër ambasadores amerikane Yuri Kim është qartazi aksion për të relativizuar dhe balancuar largimin e shumë diplomatëve rusë nga Europa. Sot unë jam ndjerë i turpëruar që bashkëqytetarët e mi në Tiranë po nënshkruajnë kundër shtetit që i detyrohemi për pavarësinë e dy shteteve tona shqiptare në Ballkan”, shkruan ai.
Spahiu: Kjo që po ndodh në Shqipëri kundër SHBA nuk po ndodh as në Kinë
Më tej dhe me tona të ashpra, juristi i njohur Kreshnik Spahiu shprehet i shqetësuar që kjo që po ndodh në Shqipëri kundër SHBA, referuar peticionit kundër ambasadores Kim, sipas tij, nuk po ndodh as në Kinë dhe në Moskë. “Një ngjarje shumë e rëndë ka ndodhur sot në Shqipëri. Qindra qytetarë po firmosin një peticion për largimin e Ambasadores fuqiplotë të SHBA në Shqipëri, shkëlqesisë së saj Yuri Kim. As në Moskë nuk ka protesta kundër ambasadorit amerikan. As në Hungari nuk ka peticion kundër ambasadorit SHBA. As në Kinë nuk ka një organizim kaq agresiv kundër diplomatëve amerikan. Vladimir Putin, Viktor Orban, Xi Jipning apo Kim Jong janë shumë të kujdesshëm në aksionet apo lëvizjet kundër ambasadorëve amerikan. Të katërt nuk krahasohen me agresivitetin e Sali Berishës dhe partisë së tij kundër ambasadës së SHBA”, nënvizoi Spahiu.
Çfarë synon peticioni?
Në total synohet që peticioni kundër Kim, të firmoset nga persona nga 5000 që kanë vendosur si maksimum, ndonëse nuk është specifikuar qartë se çfarë synohet me arritjen e këtyre firmave. “Mjaft është mjaft”, shkruhet në deklaratë, ku Kim akuzohet se po intimidon opozitën dhe po ndërhyn në votimet e brendshme, referuar zgjedhjeve që po bën ‘Rithemelimi’. Kaq mjafton për të kuptuar fare qartë se kush është autori i kësaj. “Ambasadorja Kim, Mjaft është Mjaft!” Kohët e fundit, kemi parë me shqetësim sjelljen jo-diplomatike dhe ndërhyrjet e paprecedenta të Ambasadores të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Znj. Yuri Kim në ekuilibrat e brishtë të demokracisë dhe institucioneve shqiptare. Qëndrimet e Znj. Yuri Kim bien ndesh jo vetëm me statusin e saj diplomatik dhe nenin 41 të Konventës së Vjenës, por kanë cenuar fort aftësinë e vendit për të pasur një opozitë serioze ndaj një qeverie që vetë Departamenti Amerikan i Shtetit në raportet e veta, e klasifikon thellësisht të korruptuar. Intimidimi i vazhdueshëm ndaj forcave opozitare, ndërhyrja në procesin e tyre te votimeve te brendshme apo trysnia që i bëhet drejtësisë nga Znj. Kim janë shumë shqetësuese pasi minojnë demokracinë dhe rrezikojnë stabilitetin e vendit”, thuhet në dokument./Rigels Seliman/