E enjte, 23 Prill, 2026

Mandati i Sonila Bejtjas ka përfunduar, Kushtetuesja njofton Presidentin për plotësimin e vakancës

Share

Gjykata Kushtetuese ka njoftuar vakancën e krijuar në këtë institucion pas përfundimit të mandatit të anëtares, Sonila Bejtja.

Në një njoftim zyrtar, Gjykata Kushtetuese bën deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtares Sonila Bejtja, ndërsa njoftohet Presidenti i Republikës, si organ emërtese për të shpallur vakancën.

Gjykata Kushtetuese u vu në lëvizje me kërkesë të Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, për sqarim mbi afatin e përfundimit të mandatit të anëtares së kësaj gjykate Sonila Bejtja, e cila është emërim i institucionit të Presidencës.

“Parimi i luajalitetit kushtetues kërkon bashkëveprimin e domosdoshëm institucional midis Gjykatës Kushtetuese, Kuvendit dhe Presidentit të Republikës në përcaktimin e saktë, të plotë dhe përfundimtar të hapave për përtëritjen e pjesshme të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2025”, sqaronte Presidenca në kërkesën e saj.

Sipas Presidencës, parimi i luajalitetit kushtetues do të kërkonte nga dy organet e emërtesës, Kuvendi dhe Presidenti i Republikës, të cilat kanë detyrë të përmbyllin procedurat për përtëritjen e parë, pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve të vitit 2016, që të respektonin prerogativën kushtetuese të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese për të vënë në lëvizje Gjykatën për deklarimin e mbarimit të mandatit.

Megjithatë, të dyja këto organe nuk do të kishin nevojë të viheshin në lëvizje pas datës 25.1.2025 për të kërkuar deklarimin e mbarimit të dy mandateve, nëse Gjykata vetë nuk do kishte lidhur mbarimin e mandatit të gjyqtares Zaçaj me nevojën për zbatimin e parimit të përtëritjes së pjesshme dhe datën e përfundimit të mandatit të saj me datën korresponduese të përfundimit të mandatit të anëtarëve paraardhës.

Në këto kushte, Presidenti i Republikës, në zbatim të të njëjtit parim të luajalitetit kushtetues, por edhe me shqetësimin për të respektuar në çdo rrethanë parimin e shtetit ligjor dhe të supremacisë të Kushtetutës dhe jurisprudencës kushtetuese, e ka të domosdoshme të nisë këtë procedurë përpara Gjykatës Kushtetuese, me qëllimin që Gjykata të sqarojë në mënyrë të plotë dhe përfundimtare gjithçka që ka lënë pa sqaruar dhe pa zgjidhur me vendimin e saj të datës 23.12.2024, si për sa i përket mënyrës së zbatimit të mekanizmit të përtëritjes së pjesshme në kushtet kur emërimi i anëtarëve është bërë në tërësi në kapërcim të afateve ligjore, duke krijuar boshllëqe të ndjeshme, nga njëri mandat te mandati vijues, ashtu dhe për sa i përket saktësimit të rëndësisë që ka data e përfundimit të mandatit të gjyqtarit pararendës për fillimin e procedurës për deklarimin e mbarimit të mandatit në të gjitha rastet kur anëtari i zgjedhur me vonesë është zgjedhur me mandat të plotë 9-vjeçar”, thuhej në kërkesën e Presidencës.

Njoftimi:

Vendimi përfundimtar do të publikohet në faqen zyrtare të Gjykatës, si dhe do u dërgohet palëve në proces,  i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese

-Deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, zonjës Sonila Bejtja, në datën 25.04.2025. 

-Njoftimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë si organi i emërtesës.

-Njoftimin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Te tjera

Lajme te tjera