Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt deklaroi sot se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë “më pranë se kurrë” arritjes së një marrëveshjeje me Iranin, pavarësisht pasigurive mbi zhvillimin e një raundi të ri bisedimesh.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë qenë kurrë më afër arritjes së një marrëveshjeje vërtet të mirë, ndryshe nga marrëveshja “e tmerrshme” e nënshkruar nga Barack Obama”, tha Leavitt për “Fox News”, duke iu referuar marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, e cila më vonë u anulua nga presidenti Donald Trump.
Leavitt theksoi se SHBA-ja është pranë një marrëveshjeje, por shtoi se Trump ka disa opsione në rast se ajo nuk arrihet dhe nuk do të hezitojë t’i përdorë ato.
Armëpushimi, i rënë dakord mes SHBA-së dhe Iranit, pritet të përfundojë të mërkurën.
Nëse nuk arrihet një marrëveshje, presidenti Trump paralajmëroi se do të urdhërojë sulme ndaj sektorit energjetik dhe infrastrukturës civile.
Ende mbetet e paqartë nëse një raund i dytë negociatash do të zhvillohet përpara përfundimit të afatit të armëpushimit.
