E enjte, 24 Shtator, 2026

Lamtumirë Ismail Kadare! Homazhe publike në TKOB e ceremoni familjare varrimi! Edhe nga Kosova e Maqedonia e Veriut nderojnë kolosin e letërsisë shqipe. Rama: Çmë panë sytë duke u marrë me funeralin tënd

Share

Shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut i dhanë sot (3 korrik 2024) lamtumirën kolosit të letërsisë shqipe, Ismail Kadare. Shkrimtari i madh që e ngriti letërsinë shqipe në panteonin e letërsisë botërore, u nda nga jeta të hënën e 1 korrikut në moshën 88 vjeçare.

Në rrugëtimin e tij në botën e përtejme u përcoll me duartrokitje, karafila të bardhë që u hodhën në arkivol, nderime por dhe polemika, ashtu siç krijoi dhe vepra e tij letrare.

“Cmë panë sytë e cmë tha mendja duke u marrë me funeralin tënd. Së paku më duhet të të falenderoj për këtë telefonovelë të pashkruar e cila është padiskutim për mua ajo shenja që shkruaje se do të bëje para se do të ikje, më dhe  atë përgjigje që nuk ta mora dot së gjalli. Që më thoje nuk shkruaj më. Kur të pyesja po përse jo, ma ktheje: I kam thënë të tëra! –  tregoi kryeministri Edi Rama ndër rreshtat e fjalimit të tij përkujtimor para se arkivoli të përcillej për në banesën e fundit.

Përplasjet e opinioneve në skenë dhe prapaskenë kishin lindur për vendvarrimin e tij, menjëherë sapo u mësua vdekja dhe ngritja e komisionit të posacëm shtetëror që do të merrej me organizimin e ceremonisë funebre të ‘shqiptarit që i takon botës”.

..Propozime të pakërkuara për ta varrosur tek Vëllezërit Frashëri, tek parku përballë Rognerit, tek fusha e gjelbërt mbrapa Kryeministrisë, tek Varrezat e Dëshmorëve të Luftës Nacional – Çlirimtare, e deri tek Varrezat e Dëshmorëve në Kosovë.” tha Rama. 

Homazhet publike u mbajtën në TKOB, nga ora 09.00 deri në 12:50, aty ku më parë ishte ngritur (për një shfaqje të planifikuar më parë) një skenografi me bustin e Nënë Terezës që nuk mund të hiqej. 

Arkivoli i mbuluar me flamurin shqiptar e lule u vendos në skenë ndërsa në sfond ishte silueta e Nënë Terezës, me vellon e murgeshës e duart që luten me rruzare e një kryq të varur. 

 “Nën hijen e shenjtores së tij të dashur, Ismaili symbyllur do të ndihej i marrë në mbrojtje nga të tërë ata” tha Rama 

Në sfond përpos muzikës funebre, lexoheshin edhe poezitë dhe pjesë nga proza e tij, ndërsa pak metra më tutje ishte vendosur libri i ngushëllimeve dhe një foto e madhe e Kadaresë.

Të veshur me të zeza bashkëshortja Helena Kadare dhe dy vajzat e shkrimtarit të ulur në reshtin e parë pritën ngushëllimet e një kortezhi të vazhdueshëm personalitetesh shtetërore por edhe qytetarësh të thjeshtë.

Në ceremoninë për ti dhënë lamtumirën ishin jo vetëm personalitete të larta të vendit, nga politika fusha e artit dhe e letrave pro dhe personalitete nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, mes tyre presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kreu i BDI-së Ali Ahmeti, kryetari i bashkisë së Tetovës. 

Me kërkesë të familjarëve fjalimin e rastit e mbajti vetëm kryeministri Edi Rama, i cili ishte dhe organizatori i kësaj ceremonie

“Ismail Kadareja jetoi si dëshmitar i një fjale për të cilën mori të tëra lëvdatat e nderimet e mundshme të botës dhe të tërë smirën dhe sharjet e mundshme të vendit që e lindi. Nuk e mori çmimin Nobel, po mbeti në arkivat e proçes-verbaleve të Komitetit të Nobelit, i vetmi kandidat për të cilin ka një dosje letrash anonime nga bashkatdhetarët e tij” tha Rama.

Në orën 12:30 arkivoli doli nga Teatri i Operas dhe Baletit për të vijuar më pas me një ceremoni private mortore drejt varrezave të Tufinës, duke respektuar kështu dëshirën dhe vullnetin e familjarëve që do të ishte dhe vullneti i vetë Kadaresë. 

“Sa për sot, është kërkesë legjitime e hijes së tij të pandashme, Helenës, që vendosja e përkohshme e trupit të tij në Tufinë të bëhet vetëm me praninë e familjarëve. S’ka asnjë dyshim se ky do të ishte edhe vullneti i Ismailit nëse do të pyetej, prandaj në emër të saj, u kërkoj të gjithëve respektimin e këtij vullneti dhe mbylljen e homazheve në çastin e nisjes së korteut të vogël familjar nga sheshi këtu, për në varrezat e qytetit” tha Rama.

Shkrimtari i madh do të prehet përkohësisht atje deri kur të jetë gati një banesë e fundit vetëm e tij.

Ismail Kadareja e meriton të prehet në një banesë të fundit që të jetë vetëm e tija.  Jo bashkë me dëshmorët, sepse ai as ishte dëshmor dhe as nuk kishte gjëkundi, në asnjë qelizë të tijën dëshirën apo gatishmërinë për të rënë dëshmor. 

Në ceremoninë private në varrezat e Tufinës folën dhe dy vajzat e tij, Besiana dhe Gresa Kadare 

“E përfytyroj që është ngjitur si hyj në panteonin e gjenive të botës dhe na shikon. Një nga mënyrat për t’i bërë homazh është të lexojmë të gjithë përsëri veprat e tij” tha Besjana Kadare.

“Nuk m’a kursente sarkazmat për autorët që unë lexoja. Entuziazmohej sa i gjeja ndonjë rrjesht përshembull nga përkthimi i Nolit që ishte i goditur” kujton Gresa. 

Mes dhimjes dhe lotëve lamtumirën e fundit gjeniut të letrave shqipe ia dha dhe nipi dhe mbesa e tij

Lamtumirë baba! thanë në shqip e frëngjisht 

Ismail Kadare një nga shkrimtarët më gjenialë bashkëkohor, disa herë i nominuar për çmimin “Nobel” në letërsi, ndërroi jetë në moshën 88 vjeç, mëngjesin e 1 korrikut 2024. Kadare pësoi “arrest kardio-respirator”, në shtëpinë e tij dhe vdiq në spitalin e QSUT në Tiranë. 

Ndërsa sot me dhimbje e nderime iu dha lamtumira. Shkrimtari i madh do të prehet aty përkohësisht në varrezat e Tufinës, deri kur të jetë gati një banesë e fundit vetëm e tij.

“Ai erdhi, shkroi dhe iku!

Ne i kemi vetëm një detyrim. T’ia respektojmë ikjen, duke i dhënë në kohën dhe vendin e duhur një banesë të fundit, ku të mos ndjehet i kërcënuar as nga dashuria e pakërkuar, që e kishte tmerr, as nga fqinjësia asnjëherë e dëshiruar, që e kishte lemeri dhe as jo e jo nga tubimet, nderimet e fjalimet sidomos, që i kishte llahtari” tha Rama. 

Në nder të tij u shpallën dy ditë zie në Shqipëri,(2 dhe 3 korrik 2024) ndërsa në Kosovë u shpall ditë zie data 3 korrik.

Te tjera

Lajme te tjera