E premte, 24 Prill, 2026

Kurti sulm Ramës për protestën e UÇK në Tiranë: Erdhe me helikopter të bindje palët të votonin pro ‘Speciales’! Kryeministri: Thaçin, do e doje përjetësisht në Hagë

Share

Albin Kurti dhe Edi Rama përplasen në distancë për protestën që do të organizohet nesër në Tiranë nga veteranët e UÇK-së. Asnjëri prej tyre nuk do t’i bashkohet protestës. Kurti thotë se qëndron në krah të të gjithë qytetarëve që kërkojnë drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, por qëndrimi i tyre për Gjykatën Speciale mbetet i pandryshuar. Ndërsa, Rama thotë se me gjithë zemër do ishte bashkuar, por zgjodhi të qëndrojë distant pikërisht për shkak të politizimit të çështjes.

I pari që nisi përplasjen në distancë ishte vetë kryeministri Kurti. Deri më tani kishte mbizotëruar heshtja nga qeveria e Kosovës mbi këtë protestë, por Kurti përdori faqen zyrtare të partisë së tij, Lëvizja Vetëvendosje për të dhënë një qëndrim për protestën, ku një sulm rezervoi edhe për kryeministrin Rama.

Por, Kurti ‘harron’ që protesta nuk është organizuar nga qeveria shqiptare, por nga veteranët, të cilët protestën e tretë kanë zgjedhur që ta mbajnë në Tiranë dhe ftesën për pjesëmarrje ja kanë bërë dy krahëve të politikës, edhe PS edhe PD. Në postimin e partisë së Kurtit orët e vona të mbrëmjes së 15 tetorit, thuhet se “ata që sot dalin në kundërshtim me Gjykatën Speciale, dje ishin lobuesit më të mëdhenj për themelimin e saj”. Kurti akuzon Ramën se ka qenë pro ngritjes së Gjykatës Speciale në Hagë dhe për këtë i thotë se duhet të tregojë pendesë, suke shkruar se “Rama, kishte ardhur në Kosovë në vizitë emergjente me helikopter për të bindur palët këtu që të votonin pro themelimit të kësaj Gjykate.”

Lëvizja Vetëvendosje kritikon gjithashtu qeverinë shqiptare teksa thotë se institucionet e Shqipërisë si shtet anëtar i OKB-së, i Këshillit të Evropës, i OSBE-së, i NATO-s e shumë pranë Bashkimit Evropian, kanë përgjegjësi dhe mundësi që këtë çështje ta ngrenë në këto forume ndërkombëtare, aty ku flitet e vendoset për drejtësi, e jo në sheshin “Skënderbej” në Tiranë. Por në fakt, ndryshe nga sa pretendon Kurti, qeveria shqiptare është vënë në lëvizje prej kohësh dhe në vitin 2022 Shqipëria ka dorëzuar zyrtarisht kërkesë për rishikim të Rezolutës së vitit 2011 të Këshillit të Evropës, mbi të cilën u ngritën akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK për trafik organesh të qenieve njerëzore në kohën e luftës.

“Lëvizja VETËVENDOSJE!, si atëherë më 2015, si sot më 2025, është e palëkundur se drejtësia duhet të ndriçojë të vërtetën dhe e vërteta nuk ka si të jetë ndryshe veçse në anën e luftës dhe përpjekjes së paepur të popullit të Kosovës për çlirim e pavarësi sikur popujt e tjerë”, thuhet në postim.

Përgjigjja e kryeministrit Rama erdhi menjëherë, i cili postimin e Vetëvendosjes e quajti “çarçaf” dhe u kujdes t’i tregojë ‘vijat e kuqe’ Kurtit. Gjykata Speciale thotë Rama, nuk u ngrit për të marrë peng ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, por për trafikun e organeve. Ndërsa, partinë që drejton Albin Kurti, e akuzon se Thaçin do ta donte përjetësisht në Hagë.

“Ndërsa për qëndrimet e para 10 vjetëve – kur ajo nuk njihte as himnin e Kosovës e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë – i kujtoj Lëvizjes se Gjykata Speciale u ngrit për trafikun e organeve, jo për të marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës”, shkruan Rama.

Ndonëse vetë veteranët e UÇK-së kishin deklaruar se në protestë do jetë edhe kryeministri Edi Rama, ky i fundit në një postim në platformën “X”, shkruan se nuk do të marrë pjesë në protestë ndonëse e mbështet me gjithë zemër. Arsyen se përse nuk do t’i bashkohet protestës e gjen pikërisht tek politizimi që i bëhet kësaj çështje.

“Unë as nuk jam organizator e as nuk jam folës i protestës gjithëkombëtare “Drejtësi për Çlirimtarët”, të cilën e mbështes megjithë zemër e do t’i bashkohesha si pjesëmarrës i thjeshtë, nëse nuk do të isha i vetëdijshëm se çdo politizim me dashje ose jo i asaj nisme, do të dëmtonte qëllimin dhe popullaritetin e saj”, shkruan Rama.

Protesta e organizuar nga veteranët e UÇK-së mbahet nesër në sheshin “Skëndërbej” në orën 17:00 dhe pritet të marrin pjesë edhe ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, apo Ali Ahmeti. Kreu i grupit të PS, Taulant Balla deklaroi një ditë më parë se deputetët e mazhorancës do ta mbështesin këtë protestë dhe pritet të jenë pjesë e saj, ndërsa PD ka refuzuar pasi nuk duan të jenë në krah të Ramës, të cilin e akuzojnë se ka goditur pas shpine Kosovën.

Postimi i plotë i LVV

Lëvizja VETËVENDOSJE! qëndron në krah të të gjithë qytetarëve që protestojnë e kërkojnë drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Tiranë. Qëndrimi ynë për Gjykatën Speciale mbetet i pandryshuar.

Kujtojmë se Gjykata Speciale nuk erdhi vetvetiu, por nisi që në vitin 2008 nga një rezolutë e propozuar në Këshillin e Evropës nga kryesuesi i deputetëve të Federatës Ruse në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Konstantin Kosachev, por që u miratua si rezolutë me propozim të senatorit Dick Marty në vitin 2011.

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë dhe e domosdoshme. Në anën tjetër, pretendimi i Prokurorisë se brenda UÇK-së ka ekzistuar një grup kriminal është i pasaktë dhe i padrejtë. UÇK-ja nuk ka qenë ndërmarrje kriminale dhe nuk ka pasur struktura të tilla. Përkundrazi, për krime të luftës duhet të gjykohet Serbia, ajo është shkaktarja e gjenocidit dhe krimeve masive e sistematike ndaj popullit të Kosovës.

Mirëpo, për ecjen tonë të sinqertë përpara si shtet e si komb duhet me patjetër të reflektojmë mbi qëndrimet tona karshi kësaj Gjykate në kohën kur u themelua. Reflektimi nuk është gabim, por në këtë drejtim shumë nga ata që sot dalin në kundërshtim me Gjykatën Speciale, dje ishin lobuesit më të mëdhenj për themelimin e saj. Para se të protestojnë, këta aktorë dhe politikanë duhet të tregojnë të paktën një minimum pendese për qëndrimet e tyre të gabuara në të kaluarën. Një shembull i qartë është vet Kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, i cili madje kishte ardhur në Kosovë në vizitë emergjente me helikopter për të bindur palët këtu që të votonin pro themelimit të kësaj Gjykate.

Por, Lëvizja VETËVENDOSJE!, si atëherë më 2015, si sot më 2025, është e palëkundur se drejtësia duhet të ndriçojë të vërtetën dhe e vërteta nuk ka si të jetë ndryshe veçse në anën e luftës dhe përpjekjes së paepur të popullit të Kosovës për çlirim e pavarësi sikur popujt e tjerë.

Në anën tjetër, institucionet e Shqipërisë si shtet anëtar i OKB-së, i Këshillit të Evropës, i OSBE-së, i NATO-s e shumë pranë Bashkimit Evropian, kanë përgjegjësi dhe mundësi që këtë çështje ta ngrejnë në këto forume ndërkombëtare, aty ku flitet e vendoset për drejtësi, e jo në sheshin “Skënderbe” në Tiranë.

Po ashtu shtetet mike të Kosovës që tashmë gëzojnë anëtarësi në këto organizata, duhet të bëjnë shumë më tepër për të mbrojtur të vërtetën e luftës sonë dhe për të çuar përpara drejtësinë. Njëjtë siç duhet bërë më shumë në këto forume për njohjen e gjenocidit dhe gjykimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës që Serbia i ka kryer në Kosovë e në mbarë Ballkanin.

Te tjera

Lajme te tjera