Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot ministrin e ri të Drejtësisë, Besfort Lamallari, ku u evidentuan prioritetet e këtij institucioni gjatë 4-vjeçarit të qeverisë.
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë shqiptare ka theksuar se duhet konsoliduar pavarësia e sistemit gjyqësor, si një nga kushtet themelore të integrimit në Bashkimin Europian.
“Në kushtet kur kemi marrë përsipër një transformimi epokal të marrëdhënies së pushtetit ekzekutiv me gjyqësorin, roli i Ministrisë së Drejtësisë ka ndryshuar dhe sfidat e Ministrisë së Drejtësisë janë ridimensionuar. Kjo nuk nënkupton që rëndësia e Ministrisë së Drejtësisë është zvogëluar apo që pesha që ka në të gjithë proceset është zvogëluar. Jo, në të vërtetë edhe roli dhe pesha janë po aq të rëndësishme sa kanë qenë. Mbi të gjitha detyrimi që ka Ministria e Drejtësisë për të mbajtur në mënyrë konstante busullën orientuese për të gjitha proceset vendimmarrëse, është detyrim shumë i madh.
Ndërkohë që siç e dini dhe ju, territori mbulimit të çështjeve të drejtësisë në shtetin shqiptar është territori që zë vendin më të gjerë në procesin e negociatave të anëtarësimit.
Është shumë e rëndësishme që në të gjithë të përditshmen tonë ne të mos e humbim nga vëmendja thelbin e misionit tonë në raport me drejtësinë, që është të garantojmë dhe konsolidojmë pavarësinë e sistemit tonë gjyqësor si një pushtet kushtetues i pavarur nga ekzekutiv në letër, por vetëm prej shumë pak vitesh i pavarur dhe në realitet. Është një pavarësi që është larg së qeni e garantuar përgjithmonë”.
Kryeministri u shpreh se tashmë ekzekutivi dhe gjyqësori janë të pavarur, por duhet akoma punë për ta garantuar këtë ndarje të pushteteve.
“Është një pavarësi që është larg së qeni e garantuari për gjithmonë, dhe jemi ne që duhet ta konsolidojmë në këtë fazë dhe të mbajmë duart larg vendimmarrjeve të prokurorëve dhe gjykatësve. Është fakt që ne nuk kemi hyrë në asnjë rast, në përmbajtën e një çështje që është marrë drejtësia, dhe nuk do ta bëjmë sot dhe as nesër. Aq më tepër ku drejtësia nuk e ka thënë fjalën e fundit. Kjo është shumë e rëndësishme për të gjithë ju, sepse ky është një mision i madh kombëtar që do të bëjë në fund fare diferencën: a do të jetë Shqipëria me një drejtësi të pavarur si çdo vend i BE, të garantuar njëherë e mirë apo do të kthehet pas dhe të vërë në dyshim integrimin europian. Kjo bëhet për të ardhmen tonë. Sepse largimi i duarve i pushtetit ekzekutiv nga çdo proces gjykimi, seleksionim, përzgjedhje apo promovimi i prokurorëve dhe gjykatësve, është një garanci për të ardhmen e vendit tone”.
Edhe në Ministrinë e Drejtësisë, siç është paralajmëruar për çdo institucion, do të futet Inteligjenca Artificiale për të përshpejtuar ritmin e punëve, e sidomos atyre të prapambetura.
Në këtë aspekt, Kryeministri bëri të ditur se legjislacioni shqiptar do të rishikohet me Inteligjencë Artificiale për të pastruar mbivendosjet e ligjeve dhe të VKM-ve.
“Paralelisht është projekti tjetër që kemi nisur me ministrin, pastrimi i legjislacionin tonë nga mbivendosjet. Kemi një xhungël ligjesh dhe VKM që kundërshtojnë njëra-tjetrën e që janë bërë në shumë vite. Ashtu siç mund të na dalë që mund të jemi peng i ndonjë ligji të ’56. Do jetë një gjë e jashtëzakonshme që me njerëz nuk bëhet dot”.
Kryeministri vlerësoi figurën dhe cilësitë e ministrit Besfort Lamallari, i cili më parë ka qenë zv/ministër i Brendshëm si dhe ishte pjesë e ekipit në procesin e negociatave për përafrimin e legjislacionit.
Vetë Lamallari, renditi përmbylljen e Kodit të ri Penal dhe Civil, si disa nga prioritetet e tij, duke mos lënë mënjanë as Inteligjencën Artificiale.
“Miratimi i paketës ligjore që lidhet me standardet e reformës në Drejtësi, dhe angazhimet që kemi marrë përballë BE, për mbylljen me sukses të Kodit Penal, Kodit Civil, mbylljen me sukses të procedurave dhe kjo do të shërbejë standardeve më të mira për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, por edhe të një sistemi drejtësie më efecient, dhe llogaridhënës. Gjithashtu një element i rëndësishëm është digjitalizimi i sistemit të integruar në gjitha prokuroritë dhe gjykatat, në mënyrë që të kemi një sistem më transparent dhe angazhimeve që kemi marrë drejtë Komisionit Europian, për shtetin e së drejtës”.
