Mali i Zi po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme. Ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Ranko Krivokapiç u shpreh ditën e djeshme se nuk është i sigurt se do të ketë iniciativë për shkurtimin e mandatit të Kuvendit, por theksoi se mund të shkohet në zgjedhje më 23 tetor, kohë kur do të mbahen zgjedhjet lokale në 14 komuna. Duke komentuar nismën e partisë Demokratike për largimin e kryeministrit, Dritan Abazoviç pas zgjedhjes së organeve të drejtësisë, ai tha se kjo ka anët e mira dhe të këqija. “Ju duhet të vendosni nëse doni atë politikë apo atë që qeveria e braktisi. Mund të shkojmë në zgjedhje më 23 tetor së bashku me zgjedhjet lokale në 14 komuna”, ka theksuar Krivokapiç.
Abazoviç paralajmëron dorëheqjen
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, është shprehur së fundmi i gatshëm të japë dorëheqje nga posti që mban. Këtë gatishmëri Abazoviç e shprehu pasi partia Mali i Zi Demokratik tha se do të duhej ta bënte këtë sapo të përfundojë procesi i zgjedhjeve të organeve të drejtësisë. Abazoviç tha se në parim e mbështet qëndrimin e Kryesisë së Malit të Zi Demokratik, që i bëri thirrje Kuvendit të mos shqyrtojë iniciativat e mundshme për shkurtimin e mandatit para se të zgjidhen katër anëtarë të Këshillit Gjyqësor dhe së paku një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese. “Të gjithë duhet të kemi një konsensus më të gjerë për zhbllokimin e gjyqësorit, të Gjykatës Kushtetuese. Le të kontribuojmë të gjithë për këtë dhe të themi: ‘Mirë, po shkojmë në zgjedhje të reja. Por para kësaj, le të bëjmë një punë të përbashkët. Nëse kolegët demokratë, nëse e kam interpretuar saktë njoftimin, mendojnë kështu, unë jam gati të jap dorëheqjen”, tha Abazoviç për “Vijesti”.
Çfarë përmban marrëveshja me Kishën Serbe?
Marrëveshja me Kishën Serbe po e “hedh në erë” Abazoviçin. Gjukanoviç shtoi se DPS-ja është e vetëdijshme se rënia e Qeverisë së Malit të Zi mund të ngadalësojë procesin e integrimit evropian, por se si partia më e fortë parlamentare nuk kanë të drejtë të tolerojnë punën e një qeverie që neglizhon interesat e shtetit të Malit të Zi. Pas takimit me homologun e tij bullgar Rumen Radev në Cetinje, Gjukanoviç theksoi se do të bisedojë me të gjithë për zgjidhjen e krizës politike dhe se nuk ka dyer të mbyllura. Mali i Zi ka nënshkruar disa marrëveshje themelore me komunitete më të vogla fetare si me Kishën katolike në vitin 2011 dhe me komunitetet myslimane dhe hebreje në vitin 2012. Marrëveshja me Kishën Ortodokse Serbe u nënshkrua ditën e diel, me mbështetjen e 13 ministrave nga koalicioni i Abazoviçit. 5 ministra nga partia DPS, Partia Boshnjake dhe Iniciativa Qytetare Kroate votuan kundër ndërsa 3 abstenuan. Partia Demokrate e Socialistëve (DPS) e ka akuzuar prej kohësh Kishën Serbe se po promovon nacionalizmin serb në Mal të Zi duke minuar sovranitetin e shtetit malazez.
Çfarë parashikon kjo marrëveshje?
Marrëveshja mes Abazoviç dhe Kishës Ortodokse Serbe përmban disa pika të cilat pretendohet se adresojnë marrëdhëniet midis qeverisë malazeze dhe kishës serbe. Fillimisht, marrëveshja përcakton obligimet e shtetit malazez ndaj institucioneve të Kishës Ortodokse Serbe: Ajo e detyron qeverinë malazeze të njohë imunitetin diplomatik të institucioneve të Kishës Ortodokse Serbe në vend, gjë që i përjashton ato nga juridiksioni / ligjet lokale. Qeveria është e detyruar të regjistrojë të gjithë kishat ortodokse në vend nën juridiksionin e Kishës Ortodokse Serbe dhe të nisë procesin e pagesës së dëmshpërblimit për të gjithë ndërtesat e konfiskuara nga regjimi komunist pas Luftës së Dytë Botërore. Marrëveshja përcakton që Kisha Serbe nuk ka nevojë të marrë leje nga qeveria malazeze për të lëvizur objekte të trashëgimisë kulturore të cilat janë të regjistruara nën pronësinë e saj. Gjithashtu, ajo i jep Kishës Ortodokse një status juridik i cili në disa zona, parashikohet të jetë i njëjti me atë të institucioneve qeveritare. Së fundmi, ajo parashikon mundësinë e shtrirjes së mësimeve fetare në shkolla publike dhe kontrollit dhe aprovimit të tyre vetëm nga Kisha Serbe.