Më 28 dhjetor, Kosova do mbajë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Shpallja e kësaj date u bë nga presidentja Vjosa Osmani në një konferencë për media. Më herët, Osmani firmosi vendimin e shpërndarjes së parlamentit pas takimit të mbajtur me krerët e partive politike për datën e zgjedhjeve.
Takimi erdhi një ditë pasi Glauk Konjufca i LVV-së nuk arriti që të siguronte votat e nevojshme për formimin e qeverisë.
“Në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe legjislacionin në fuqi, si dhe pas pranimit sot të vendimit të Kuvendit të Kosovës lidhur me dështimin e krijimit të Qeverisë edhe nga mandatari i dytë, presidentja e Republikës së Kosovës ka shpërndarë sot legjislaturën e nëntë të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Një ditë më parë, kuvendi i Kosovës nuk votoi në favor të formimit të qeverisë me kryeministër Glauk Konjufcën. Pro votuan vetëm 56 deputetë, 4 abstenuan dhe 53 ishin kundër. Konjufca ishte figura e dytë e LVV-së, pas liderit të partisë, Albin Kurtit, që nuk i siguroi votat e nevojshme për qeverinë Kurti 3.
Kosova është me Qeveri në detyrë, në mungesë të një ekzekutivi të ri, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
