E enjte, 20 Mars, 2025

Kosova në udhëkryq pas zgjedhjeve, ja skenarët për krijimin e qeverisë, pse bashkimi i opozitës duket i pamundur

Share

Kosova e tha edhe një herë fjalën e saj, në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, ku katër kandidatë garonin për postin e kryeministrit. Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk ka arritur të fitojë shumicën absolute të votave të qytetarëve për të udhëhequr i vetëm për katër vitet e ardhshme, duke e lënë të hapur rrugën e negociatave për formimin e qeverisë së re të Kosovës. Në bazë të rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), shumicën e votave i ka fituar Lëvizja Vetëvendosje (LVV). Ky subjekt politik ka siguruar rreth 41 për qind, duke mos arritur të përsërisë suksesin e 2021-s. E dyta u rendit Paria Demokratike e Kosovës me 22.42% me 177890 vota, ndërsa e treta Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.66%, me 140100 vota. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma kanë marrë 7.48%, me konkretisht 59356 vota nga qytetarët e Kosovës. Më pas në renditje vjen SRPSKA LISTA me 3.84 %(30495 vota) dhe Koalicioni për Familje 2.29%, 18191 vota, pa llogaritur votat e diasporës, rezultatet e të cilës morën më shumë kohë për tu numëruar.

Të gjithë kundër LVV

Por, për të pasur shumicën në Kuvend, një partie i duhen së paku 61 deputetë nga 120 sa ka ky institucion gjithsej. Duke qenë se rezultatet preliminare të zgjedhjeve nuk japin një pasqyrë të qartë dhe përfundimtare për shpërndarjen e ulëseve në Kuvendin e Kosovës për secilin subjekt politik, kjo situatë krijon hapësirë për zhvillime të reja në skenën politike. Bedri Hamza, i cili ishte kandidat i PDK-së për kryeministër, tha se kjo parti nuk do të hyjë në asnjë koalicion që përfshin partinë e kryeministrit Albin Kurti. “Kemi dallime të mëdha. Ata duan pushtet absolut dhe nuk kanë program”, tha Hamza. Më herët, edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e përjashtoi mundësinë e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se preferon krijimin e një qeverie nga partitë opozitare. “Me kënaqësi do të kishim bashkëpunuar me subjektet politike opozitare shqiptare, për të krijuar shumicën që realisht është e mundur”, tha Haradinaj.

Kosova në ‘syrin’ e ndërkombëtarëve

Përfundimi i ciklit të ri elektoral në Kosovë ka tërhequr vëmendjen e mediave të huaja, të cilat i kanë analizuar rezultatet preliminare të zgjedhjeve. Në fokus të shtypin ndërkombëtar është fakti se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur të fitojë shumicën për të qeverisur në mënyrë të papenguar, ashtu sikurse në mandatin e fundit. Në këtë fazë, negociata për formimin e një shumicë parlamentare paralajmëroi edhe agjencia franceze Le Monde duke qenë se Lëvizja Vetëvendosje nuk arriti të përsërisë suksesin e 2021-s. “Pa një shumicë të qartë në parlamentin prej 120 ulësesh, Kosova ka të ngjarë të jetë drejtuar – për ditë, nëse jo javë – në negociata dhe pazare politike”. Gjiganti Politico kujtoi se fitorja e Kurtit erdhi në mes të tensioneve me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. “Lëvizja Vetëvendosje, një parti populiste e krahut të majtë, fitoi zgjedhjet nacionale në Kosovë të dielën, sipas rezultateve preliminare, duke e vendosur vendin drejt një konfrontimi të ri me Uashingtonin dhe Brukselin”.

Bashkimi i opozitës

Edhe njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, vlerëson se rezultatet aktuale preliminare të subjekteve politike në zgjedhjet e 9 shkurtit, krijojnë paqartësi lidhur me konfiguracionin e saktë të Kuvendit dhe Qeverisë së ardhshme të vendit. Bazuar në këto rezultate, sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje, ndonëse është fituese e zgjedhjeve, nuk do të mund të qeverisë e vetme, sikurse në mandatin e kaluar. “Nëse Lëvizja Vetëvendosje vendos që ta bëjë Qeverinë vetëm me pakicat, atëherë kjo do të jetë një qeveri jashtëzakonisht jostabile, pasi që mezi do t’i arrijë 61 vota. Plus, mund të ketë probleme me Listën Serbe”, thekson Muhaxhiri. “Nëse partitë opozitare mblidhen të gjitha, bashkohen dhe tentojnë të bëjnë Qeverinë, edhe kjo qeveri do të jetë jostabile dhe me pak gjasa për jetëgjatësi politike”, shton ai.

Te tjera

Lajme te tjera