Ashtu siç gazeta “SOT” e paralajmëroi e para këtë të hënë, Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit, firmosi dje 9 urdhër arreste lidhur me dyshimet për korrupsion gjatë lejeve dhe ndërtimit të tre inceneratorëve për trajtimin e mbetjeve urbane në Elbasan dhe Fier. Policia kreu arrestimet e kërkuara nga prokurorët në Fier dhe Tiranë, si pjesë e një hetimi të gjerë në tre prej qyteteve më të mëdha të vendit, ku nga 9 urdhër arreste, është dhënë masa e sigurisë arrest me burg për 7 persona, ndërsa 2 janë lënë në arrest shtëpie. Por nuk ndalet me kaq, pasi gazeta ka mësuar se lista e arrestimeve pritet të zgjerohet, sepse SPAK ka gati edhe 20 arreste të tjera, duke e çuar numrin në 30. Mësohet se 20 arrestet pritet të ndodhin në ditët në vijm dhe bëhen për shkak se harta e hetimit është zgjeruar, ku në lojë ka hyrë edhe inceneratori i Tiranës. Pra, kjo do të thotë se Prokuroia Speciale është e vendosur për t’i shkuar deri në fund hetimit për aferën e inceneratorëve. Ndërkohë sa i takon arrestimeve të djeshme, SPAK bën me dije se jo vetëm në Inceneratorin e Elbasanit, por edhe në atë të Fierit sipas SPAK, janë shkelur procedurat për dhënien e koncesioneve, por edhe janë konsumuar vepra penale nga zyrtarë deri të nivelit më të lartë, ndërsa janë rreth 3.3 milionë euro pasuri e sekuestruar. Lefter Koka, ish-ministri i Mjedisit, dhe Klodian Zoto, pronari i kompanisë që administron Inceneratorin e Fierit, kanë marrë masën e dytë “arrest me burg”, ndërkohë që 7 të tjerë akuzohet zyrtarisht nga prokuroria për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Ndërkohë, SPAK i ka dërguar një shkresë Kuvendit të Shqipërisë, duke argumentuar të gjitha arsyet se përse kërkojnë arrestimin e Alqi Bllakos. Në shkresën drejtuar Kuvendit, shkruhet se Bllako, në kohën kur ka shërbyer si Sekretar i Përgjithshëm në ministrinë e Mjedisit, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka kryer veprime të kundraligjshme me dashje në ndërtimin e inceneratorit të Fierit, duke shkaktuar një dëm prej 16.288.344 lekësh.“Për shtetasin Alqi Bllako, nisur nga fakti që është i zgjedhur deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, Prokuroria e Posaçme bazuar në parashikimet e nenit 73/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenit 288/1/2 të Kodit të Procedurës Penale, do të paraqesë kërkesë Kuvendit për dhënie të autorizimit për caktimin e masës sigurimit personal “arrest në burg” ndaj Alqi Bllakos”, thuhet në shkresën e SPAK .
Akuzat ndaj Alqi Bllakos dhe Lefter Kokës
Ndërkohë, Alqi Bllako akuzohet nga SPAK se në bashkëpunim me Lefter Kokën ka shpronësuar në mënyrë të paligjshme të një “toke arë” duke e klasifikuara si “tokë truall” për inceneratorin e Fierit duke i shkaktuar dëm shtetit mbi 16 milionë lekë. Sipas SPAK, shpronësimi i tokës për inceneratorin e Fierit, Koka, Bllako e Abeshi përgatitën dokumente false.“Në lidhje me procedurën e shpronësimit të pronës ku do të ndërtohej Inceneratori i Fierit, pasuria nr.1, ZK.2636, Vol.10, Fq.63, lloji i pasurisë “tokë arë”, me sipërfaqe 111 564 m2 , nga hetimet kanë rezultuar të dhëna për veprime të kundraligjshme të Kryetarit të Komisionit të Shpronësimit, shtetasit Pëllumb Abeshi, në bashkëpunim me ish- ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe ish- Sekretarin e Përgjithshëm të Mjedisit Alqi Bllako, të cilët kanë përgatitur dokumentacion të falsifikuar në lidhje me të dhënat e pronës së shpronësuar, duke paraqitur dhe propozuar për kategorinë e pronës “tokë truall”, ndërkohë që rezulton e provuar se prona është “tokë arë”. Ka rezultuar një dëm ekonomik në buxhetin e shtetit në vlerën 16 288.344 (gjashtëmbëdhjetë milion e dyqind e tetëdhjetë e tetë mijë e treqind e dyzet e katër) lekë”, thotë SPAK.
Masat për inceneratorin e Fierit
Sipas SPAK, masat e dhëna për inceneratorin e Fierit janë: Arrest me burg për Lefter Koka, ministër i Mjedisit, akuzohet për “Shpërdorim të detyrës”, në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”; Pëllumb Abeshi, ish-anëtar i Komisionit për dhëne e inceneratorit, drejtor i politikave në Ministrinë e Mjedisit, akuzohet “Shpërdorimi i detyrës”. Azem Shatëri, drejtor i Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike në Fier, akuzohet për shpërdorim detyre. Florjan Muçaj, anëtar i Komisionit të Prokurorimeve, akuzohet për “Shpërdorim detyre”. Erjon Murataj, anëtar i Komisionit të Prokurorimeve, akuzohet për “Shpërdorim detyre”. Klodian Zoto, akuzohet për “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”. Arenc Myrtezani, ish-administratori i inceneratorit të Fierit, i akuzuar për “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, Masa ‘Arrest Shtëpie’: Sabina Cenameri, e “Shpërdorimi i detyrës”, ish-anëtarja e Komisionit të Prokurimit të Inceneratorit të Fierit. Etleva Kondi, ish-anëtare e Komisionit për dhënien e koncesionit, akuzohet “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim.