Ai është një serbo-boshnjak i kërkuar ndërkombëtarisht për mashtrim, pastrim parash, evazion fiskal dhe trafiqe. Dyshohet si spiun i shumëfishtë, me lidhje me regjimin e Millosheviçit dhe kryeministrat e shumë vendeve të Evropës. Ai është Damir Fazlliç, miku i shtrenjtë i familjes së Sali Berishës, i cili disa vite më parë vuri në rresht institucionet shqiptare, ndërsa përplasi prokurorinë dhe policinë, në një përpjekje për ta arrestuar në aeroport. Damir Fazlliç ndihmoi Sali Berishën të kthehet në pushtet në 2005, ndaj dhe jo rastësisht emri i tij lidhet me skandalet më të madha në tetë vitet e fundit. Aksesi dhe prezenca e tij në mbledhjet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, kapja e tregut të energjisë në Shqipëri, transaksionet e dyshimta financiare, kthimi në klientin kryesor të profilit të lartë të vajzës së Berishës, blerja e dyshimtë e pronave, projektet, implikimi në trafikun e armëve etj., e kanë kthyer Fazlliçin në një mit. Ndërkaq, detajet dhe të dhënat e tij nuk kanë të sosur. Rrjeti Ballkanik për Gazetarinë Investigative, BIRN, sjell të dhëna dhe fakte të reja rreth të kaluarës së Fazlliç. Sipas BIRN, boshnjaku është cilësuar si agjent i CIA-s, trafikant mbetjesh bërthamore, pastrues parash dhe biznesmen kontrovers; këto akuza, shpesh me shumë pak fakte, nuk janë provuar kurrë.
Lidhjet politike
Në të njëjtën kohë, ai ka lidhje me disa nga politikanët dhe biznesmenët më të fuqishëm në Ballkan dhe Uashington DC, si dhe ka punuar me një numër të madh fushatash elektorale të rëndësishme, madje është përmendur edhe si kryeministër i mundshëm në të ardhmen i Bosnje dhe Herzegovinës. “Jam ekzaktësisht ai që ti mendon se jam”, pretendon sekseri boshnjak në mënyrë enigmatike në profilin e tij në Tuitter, por identiteti i 38 vjeçarit varet shumë nga këndvështrimi. Duke qëndruar në mjediset luksoze të një hoteli me pesë yje në Londër, Fazlliç u duk rehat me stilin e tij të shtrenjtë të jetesës – një ekzistencë që ai e pëlqen në kontrast me statusin e tij prej emigranti boshnjak. Teksa ulej për një bisedë dyorëshe në hotelin Mayfair’s Connaught, me ‘buzëqeshjen e tij hollivudiane’ dhe shikun e shoqërisë së lartë, ai dukej si ndërmjetësi i pushtetit që udhëton dhe bën pazare nëpër holle hotelesh.
Baza e Fazlliç
Ai lëviz mes Uashingtonit, ku ka nën pronësi një apartament multimilionësh në Ritz; Virxhinia, nga ku bashkëshortja e tij me shumë lidhje boshnjako-amerikane Amra ka prejardhjen dhe Aspen, ku deri së fundmi ai kishte një apartament në zonën më prestigjoze të resortit të skive. Por ai theksoi se sërish ka një “bazë në Europë”, ku ai fiton pjesën më të madhe të parave për të paguar për jetën e tij luksoze, duke përdorur dhe abuzuar sipas pretendimeve të disave, librin e tij të artë të kontakteve për të hapur dyert e Ballkanit për investitorët perëndimorë. Ai e quan këtë akses. Fazlliç krenohet për 15 kompanitë e tij nëpër botë, por ai është gjithashtu i zellshëm në fshehjen e marrëveshjeve të tij të biznesit nën sekretin e ofruar nga parajsat fiskale. BIRN arriti të gjurmojë disa nga këto kompani në Britaninë e Madhe, Shqipëri, Qipro dhe SHBA, ku shumica e të cilave dukej se qenë inaktive dhe asnjëra nuk po gjeneronte fitime të mëdha.
Jeta e Fazlliç
Në moshën 8 vjeçare, Fazlliçi ishte një fëmijë me një idhull të pazakontë, Gordon Gekko, protagonisti i filmit i vitit 1987 ‘Wall Street’, batuta simbol i të cilit është “babëzia është e mirë”. Një vizitor i pasur britanik, i cili frekuentonte një hotel në Bosnjë të menaxhuar nga babai i Fazlliçit, u intrigua nga ky “fëmijë me të vërtetë i mistershëm” dhe aftësitë e tij për të cituar sekserin famëkeq të bursës. Meqë nuk kishte një djalë të vetin, udhëtari i pasur, emrin e të cilit Fazlliç nuk e tregon, e ndihmoi Fazlliçin të sigurojë një vend në Shkollën e Djemve Harrow, një nga shkollat më prestigjoze private të Britanisë. Nga aty, i armatosur me një listë të gjatë rezultatesh të larta në provime, ai ndoqi Shkollën Ekonomike të Londrës, një nga universitetet më të mira të botës. Aty, siç pretendon Fazlliç, ai u dallua nga Lord Desai, një nga anëtarët udhëheqës të Partisë Laburiste të Mbretërisë së Bashkuar dhe profesor i ekonomiksit, që e mori si nxënës.
Arritja e tij e parë
Arritja e tij e parë e madhe në biznes erdhi gjatë një vere kur po bënte praktikë mësimore në NatWest Markets, krahu investues i një prej bankave më të mëdha të Britanisë, e cila ishte thirrur nga regjimi i Millosheviçit për të ndihmuar në privatizimin e Telekomit të Serbisë dhe për të rigjallëruar ekonominë e rrënuar të vendit. Një sekretar i Douglas Hurd, i cili sapo pati lëvizur te NatWest pasi pati punuar si Sekretar i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, zbuloi rrënjët boshnjake të Fazlliçit dhe i kërkoi atij të takonte bosen e famshme të kompanisë së tij. “Dhjetë ditë më vonë unë jam në një avion privat me Douglas Hurd duke fluturuar për në Serbi,” thotë Fazlliç, i cili ofroi përkthimin dhe kontekstin për shefat e tij në bankë.
Lidhja me Berishën
Fazlliç i prezantoi Berishës ish-drejtorin e sigurisë së brendshme të SH.B.A, Tom Ridge. Duke fituar 500,000 dollarë në një vit, Ridge zbuti marrëdhëniet mes Shtëpisë së Bardhë dhe Tiranës, ndihmoi Shqipërinë në anëtarësimin në NATO dhe qe këshilltar kyç në çështjet ekonomike, të tilla si nënshkrimi i një kontrate të debatueshme për ndërtimin e një rruge me kompaninë amerikane Bechtel. Fazlliç pretendon se ai nuk mori asgjë për punën e tij krahas BGR dhe Ridge në Shqipëri. Boshnjaku thotë se ai vijon të “bëjë biznes” me Ridge, të cilin e përshkruan si një “mik shumë të shtrenjtë”.
Zgjedhjet e 2005
Pas fushatës elektorale të suksesshme të Berishës më 2005, këshilltari i tij Fazlliç krijoi së paku pesë kompani me Erion Isufin, kunatin e Ministrit të Transporteve, si administrator të tij, dhe vajzën e kryeministrit si avokate të tij. Mes bashkëpunëtorëve të tij të biznesit qe Jurgen Rober, ish menaxher futbolli me klubin e Hertha Berlin dhe Partizanin e Beogradit, si dhe agjenti kontrovers i futbollit Fali Ramadani. Më 2 tetor 2008, Fazlliç u rrëmbye nga një lokal i vogël në Bosnjë nga policë të maskuar, duke shkaktuar tërmet politik 400 kilometra më larg, në Tiranë, dhe një seri ngjarjesh pasuese. Biznesmeni pretendoi se qe gjendur në vendin e gabuar në kohën e gabuar – një dëshmitar i pafajshëm në arrestimin e të njohurit të tij, Naser Oriç, një i dyshuar për krime lufte dhe zhvatje, i cili po qëndronte në tavolinën ngjitur në një restorant. Berisha i frikësuar vendosi ta sjellë Fazlliçin në Tiranë për një intervistë me televizionin miqësor me të Klan TV, në përpjekje për të pastruar emrin e vet dhe të tijin.
Prokuroria
Por pa dijeninë e Berishës, prokuroria pati hapur një hetim për pastrim parash kundër Fazlliçit disa ditë më herët. Kur prokurorët dëgjuan se shënjestra e tyre pati mbërritur me një avion privat, ata lëshuan urdhërin e thirrjes për të marrë në pyetje Fazlliçin, por boshnjaku arriti të largohet nga vendi pa u ndaluar. “Një gjë të kesh akses, një gjë tjetër të bësh korrupsion. Ish-prokurorja e përgjithshme, Ina Rama, u vu nën presion gjatë hetimit. Fazlliç beson se akuzat kundër tij qenë një komplot për të destabilizuar regjimin e Berishës, komplot i udhëhequr nga kryeprokurorja Ina Rama dhe John Withers, në atë kohë, ambasador i SHBA-së në Tiranë. Hetimi u rrëzua kur kërkesat për dokumente nga Qipro dhe Bosnja mbetën pa përgjigje dhe provat e mbledhura nuk u paraqitën kurrë në gjykatë, diçka për të cilën Fazlliçit i vjen keq për shkak se në këtë mënyrë nuk qe në gjendje të pastronte tërësisht emrin e tij. Ai tha: “Ina Rama, me ndihmë të qartë nga John Withers, bëri gjithçka në përpjekje për të sajuar […] për të më lidhur me Berishën dhe për ta akuzuar atë për korrupsion.”
Fazlliç dhe Berisha
Fazlliç dhe Berisha thonë se ai nuk kishte biznes me shtetin e Shqipërisë dhe nuk përfitoi nga lidhjet e tij politike. Por emaile të reja mes Fazlliçit dhe partnerit të tij amerikan në biznes, Meridian Telecommunications LLC, zbulojnë se ai aktivisht po punonte me kompaninë Albtelekom, në atë kohë nën pronësi shtetërore, si dhe në heshtje po përpiqej për kontrata të tjera shtetërore. “A i përdor unë çdo ditë kontaktet e mija për të hapur disa dyer? Po. Një gjë është të kesh akses, një gjë tjetër të bësh korrupsion”. Fazlliç, me të shkuarën dhe të tashmen e tij të mbushur me hetime kriminale, duket se e ka ndërtuar biznesin e tij duke ecur në këtë vijë të hollë ndarëse. /Gazeta SOT- 22 KORRIK 2014/