E premte, 14 Gusht, 2026

Javë “ferri” për Beogradin dhe Prishtinën, ja si Vuçiç po kërkon konflikt të armatosur në Veri të Kosovës,  Perëndimi “fik” shpresat për skenarë destabilizues, NATO gati të ndërhyjë

Share

Prej kohësh, çdo ditë, veriu i Kosovës, nuk e di se çfarë e pret të nesërmen. Megjithatë, diçka ka qenë e pandryshueshme dhe e pakontestueshme: këto komuna janë pa dyshim një “fuçi baruti”, që shpesh ka qenë fare pranë shpërthimit. Kështu ishte edhe të premten e 26 majit, për shkak të tensioneve të krijuara nga grupe serbësh në veri të vendit, në kundërshtim të hyrjes së kryetarëve të rinj në zyrat e tyre. Si pasojë, pesë policë mbetën të lënduar si dhe u dëmtuan katër makina zyrtare. Veprimet e Kosovës janë dënuar nga BE, shtetet e QUINT-it si dhe NATO.Megjithatë, situatën nuk e kanë ndihmuar aspak reagimet nga dy palët protagoniste, Prishtina dhe Beogradi zyrtarë, Serbia ka ngritur në nivelin më të lartë gatishmërinë luftarake të forcave të saj, duke bërë që të parashikohen skenarë të frikshëm.

“Ultimatumi” i NATO-s dhe BE-së

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka reaguar ashpër lidhur me zhvillimet e fundit, për të cilat ka biseduar me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell. Pas bisedës, Stoltenberg, përmes një postimi në Twitter, është shprehur se Kosova duhet të de-përshkallëzojë tensionin dhe të mos ndërmarrë hapa të njëanshëm destabilizues. Po ashtu ka shtuar se Kosova dhe Serbia duhet t’i bashkohen dialogut të udhëhequr nga BE-ja tani, si e vetmja rrugë drejt paqes dhe normalizimit. Ndërsa raportuesja speciale e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Kramon, e ka konsideruar situatën në veri të Kosovës “të rëndë dhe shumë të frikshme”. Ajo ka vizituar Zveçanin në veri të Kosovës tri ditë pas trazirave, për t’u njohur me situatën në terren. Në një bisedë me forcat speciale që ruajnë godinën e komunës, Kramon theksoi se i kupton ata “sepse ata nuk vendosin se ku do të punojnë, edhe pse ka diçka vërtet të keqe në sjelljen e tyre”. Në një prononcim për REL, Von Kramon ka vlerësuar se hyrja e kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës “nuk ka qenë legjitime”. “Kosova de juro ka të drejtë të hyjë në këto objekte, por de facto nuk ka legjitimitet”, tha Von Kramon.

Kërcënimet e Vuçiç

Sakaq, të ashpra kanë qenë reagimet nga Serbia, duke u konsideruar madje edhe si kërcënuese. Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç ka thënë se Serbia se po pret një veprim vendimtar nga KFOR. “Situata në Kosovë është e qetë, në dukje e qetë, sepse mund të shpërthejë në çdo moment, pasi tensioni është në maksimum”, tha ai. Ndërsa presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka njoftuar se së shpejti do të zhvillojë dy takime të rëndësishme me homologun e tij francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz. Në fokus të bisedimeve do të jenë zhvillimet e fundit në veri të Kosovës dhe rindezja e tensioneve mes vendeve.  “Java e ardhshme do të jetë e vështirë për Serbinë. Kemi shumë obligime ndërkombëtare, bisedime me liderë evropianë, prej Bratislavës e Çisinaus, bisedimet me Emmanuel Macron-in dhe Olaf Scholz-in. Dhe për ata që frikësohen dhe pandehin se ne do të dorëzohemi ndaj presionit, përgjigja ime është se s’ka dorëzim dhe se dorëzimi kurrë as që është në konsideratë”, ka thënë ai, duke sinjalizuar se nuk do të bëjnë asnjë hap pas.

Pasojat për Veriun

Sakaq, gjatë fundjavës qarkullimi i udhëtarëve dhe mallrave në vendkalimin administrativ Konçul është zhvilluar pa ndërprerje. Burime policore të Danasi nga Bujanoci konfirmojnë se “për shkak të situatës aktuale është rritur kontrolli i mallrave dhe udhëtarëve”. Ky vendkalim është një nga më të ngarkuarit në jug të Serbisë, rruga më e afërt e komunikacionit me Shqipërinë. Urdhri i presidentit serb për gatishmëri luftarake të ushtrisë serbe paraqet një “formë të re të militarizimit”, pasibaza ushtarake JUG ndodhet në afërsi. E gjithë kjo do të rëndojë më tej situatën tashmë të keqe sociale dhe ekonomike. Sipas banorëve, nëse vërtet ushtria vendoset në këtë vendkalim, ajo mund të bllokojë plotësisht jetën normale të ne shqiptarëve, por edhe të serbëve. Rritja e gatishmërisë luftarake po ashtu duket se është një shenjë se “normalizimi i marrëdhënieve nuk do të ndodhë shpejt” dhe duhet të përgatiten për më të keqen, nga momenti në moment.

Te tjera

Lajme te tjera