E martë, 20 Maj, 2025

Imzot Gjergj Meta uron të krishterët për festën e Pashkës: Të kremtojmë dhe gëzohemi të gjithë një zemre

Share

Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Imzot Gjergj Meta, ka përcjellë sot një mesazh urimi në emër të Kishës Katolike për të gjithë besimtarët e krishterë për Festën e Pashkës.

Imzot Gjergj Meta shprehet se “këtë vit, Pashkët kanë qëlluar në të njëjtën ditë për të gjithë të krishterët: katolikë, ortodoksë dhe ungjillorë. Është një rast i bukur që të kremtojmë dhe të gëzohemi të gjithë një zemre, edhe pse secili në bashkësitë e veta”.

“Nëse Krishti, me vdekjen e tij, e mundi vdekjen, sikurse thotë një himn i vjetër i Pashkës që këndohet në këto ditë, na ka lënë ne, që me angazhimin tonë, të bëhemi Pashkë për të tjerët, sidomos për ata që janë në vargonjtë e padrejtësisë, të dhunës, të luftës e të situatave të rënduara ekzistenciale. Nuk ka kuptim të urosh Pashkët, nëse nuk bëhesh Pashkë ti vetë. Por që të bëhesh Pashkë, duhet të bëhesh më parë Kryq, të zbresësh në varr e prej aty të kumtosh lajmin e mirë të jetës që shpërthen nga nata e Pashkës. Vetëm kështu, duke zbritur në varret e hapura të shumë situatave shoqërore dhe shpirtërore, mund të bëhesh lajmëtar i ditës së re”, thekson ai.

Imzot Gjergj Meta apelon shprehet më tej në mesazhin e tij të urimit: “Le të jemi ne së pari Pashkë në jetën tonë e kështu të kumtojmë ditën pa mbarim të fitores së Krishtit mbi vdekjen. Sigurisht që e gjithë kjo do të ndodhë në liturgjitë dhe shërbesat që do të bëjmë nëpër kishat tona, por këtë duhet ta bërtasim me të madhe nëpër rrugët dhe në situatat e njerëzve të çdo dite, në veçanti të atyre, që për një arsye a një tjetër, gjenden në kryq, janë në varret e vuajtjes dhe të mjerimit për shkak të luftës, ndasive, inatit dhe zemërimit. Vetëm kështu do të kemi kremtuar me të vërtetë Pashkë”.

“Po ju uroj të gjithëve, katolikë, ortodoksë dhe ungjillorë, me përshëndetjen e të krishterëve: Krishti u ngjall! Me të vërtetë u ngjall”, përfundon urimin presidenti i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Imzot Gjergj Meta.

Te tjera

Lajme te tjera