Presidenti Ilir Meta duket se do e mbyllë me rekorde “epokën” e tij në krye të shtetit. Përveç sherreve dhe përplasjeve, ai do mbahet mend dhe për numrin më të madh të dekoratave që ka dhënë dhe ligjeve që ka kthyer.
Pas fiks një muaji, Meta duhet të dalë nga Presidenca dhe në bazë të verifikimeve të “Pamfletit”, rezulton se Meta ka dhënë plot 845 dekorata.
Nuk ka ngelur restorant mishi e peshku pa marrë dekorata nga Ilir Meta. Po ashtu nuk ka mbetur artist pa u bërë “Mjeshtër i madh”, ndërkohë që janë dekoruar dhe shumë organizata e shoqata. Pra, në 5 vite në Presidencë, Meta ka kryer plot 845 qoka, që me shumë gjasa kjo shifër do shkojë në afro 900 deri më 24 korrik.
Elementi tjetër është se Meta ka shtuar dozën e dekoratave javët e fundit. Vetëm gjatë muajit qershor janë dhënë 50 dekorata për individë të ndryshëm. Duke qenë se do largohet në fund të korrikut, presidenti duket se ka shpeshtuar qokat. Në maj për shembull ai ka dhënë 11 dekorata. Edhe në muajt e tjerë numrat kanë qenë më të ulët, por qershori ka kapur rekord duke e çuar në 845 në total. Sipas verifikimeve, rezulton se ky muaj ka numrin më të lartë të dekoratave të dhëna në këto 5 vite.
Por edhe pse në shumë raste ka pasur dhe akuza dhe debate mbi dekoratat që jepte Meta, kostoja në buxhet nuk ka qenë dhe shumë e vogël. Sipas të dhënave të siguruara nga “Open Data Albania”, që nga viti 2018 e deri më sot, Meta ka kryer plot 280 transaksione thesari për blerje dekoratash me një kosto prej 34,583,891 lekësh. Pra, afro 350 milionë lekë të vjetra kanë shkuar për qokat e presidentit.
Për shkak se Meta nuk ka lënë njeri pa dekoruar, mazhoranca ka vendosur të bëjë kufizime. Për konsultim ka dalë një ligj i ri, i cili numri maksimal i dekoratave të të gjitha llojeve që mund të jepen brenda një viti nga të gjitha autoritetet është rreth 230. Presidenti mund të japë deri në 23 dekorata vitit. Ironia është se vetë Meta në një vit ka dhënë edhe 270 dekorata.
Një tjetër rekord që ka vendosur Meta është ai i kthimit të ligjeve. Ai i ka rrëzuar mazhorancës në 5 vite plot 72 ligje. Ligji më i fundit ishte ai i koncensionit të Butrintit. Armiqësitë mes Ramës dhe Metës kanë qenë të shpeshta dhe kjo ka sjellë dhe bllokime ligjesh. Madje për shkak të këtyre ligjeve Meta mbajti dhe protestën e 2 marsit. Kohët e fundit duket sikur konfliktet janë sheshuar ndërsa mbetet të shihet se çfarë do sjellë 25 korriku për presidentin, pasi mund të mos jetë dhe aq fushë me lule saç e sheh presidenti.