E hënë, 28 Shtator, 2026

Ilir Demalia “rikthen” vrasjen e Isuf Halucit, si e ekzekutuan pasi e ngatërruan me Azem Hajdarin, gracka me krerët e Sigurimit për thesarin që e shpëtoi nga pushkatimi në ’85 dhe çfarë e lidh atë me largimin e Agron Nezës nga Shqipëria, analisti thotë se Sali Berisha përgjues diplomatësh, shpifës kronik dhe komunist i thekur

Share

Rigels Seliman

Një nga protagonistët kryesorë të dosjes amerikane kundër ish agjentit të FBI të arrestuar në SHBA quhet Agron Neza, biznesmen shqiptaro-amerikan me origjinë nga Tropoja, të përmendur në aktakuzë si Person A. Në fakt ai nuk është akuzuar për asnjë vepër penale, por u përmend vetëm se i ka paguar agjentit të FBI 225.000 dollar për influencë tek autoritetet shqiptare me përfitime në biznes, para që McGonigal nuk i ka deklaruar. Për të dhënë më shumë detaje për ikjen e tij nga Shqipëria, ka folur në një intervistë televizive analisti i njohur që jeton prej vitesh në SHBA, Ilir Demalia. Ky i fundit ka rikthyer në vëmendje vrasjen e bujshme të Isuf Halucit në vitin 1992 dhe lidhjet e këtij ekzekutimi me Agron Nezën.Madje, zoti Demalia ka zbuluar edhe faktin që ish-deputeti Azem Hajdari ka qenë spiun i ish-Sigurimit të Shtetit. “Vrasja e Isuf Halucit është shkaku që është larguar Agron Neza nga Shqipëria. Sepse arma që u vra Haluci, ishte e Nezës, të cilën e mbante Azem Hajdari. Në Tropojë nuk ka një figurë, një bust, një emër shkolle të një intelektuali. P.sh Rexhep Krasniqi i cili ka bërë mbrojtjen e diplomës në Vjenë, ka qenë mësuesi i parë që ka hapur shkollat në Kosovë, ndërkohë ka monument Azem Hajdari, me pseudonimin bualli”, u shpreh Demalia.

Si e ekzekutuan Isuf Halucin?

Gazeta ka bërë një kërkim më të thelluar për vrasjen e Isuf Halucit. Gazetari i njohur Ferdinand Dervishi dhe i burgosuri Bajram Mustafaj në burgun e Shënkollit kanë zbuluar kohë më parë se  Isuf Halucin e vranë pasi veshi pardesynë e Azem Hajdarit. Mustafa hedh dritë edhe për vrasjen e Isuf Halucit, për të cilin thuhet se u vra se u ngatërrua me Azem Hajdarin. Ai rrëfen se me 29 shkurt, Berisha gjendej për ngushëllim tek një familje në Bujan, dhe Azem Hajdari para se të largohej për tek Berisha, i drejtohet Isuf Halucit dhe i thotë: “Merre pardesynë time dhe ma jep xhupin tënd të meshinit, pasi kështu dukesh më mirë, pasi dhe arma nuk të duket”. “U habit shumë Isufi nga ky mendim i Azemit, por Azemi nuk i la kohë për të kundërshtuar, por e hoqi pardesynë dhe ia dha në dorë Isufit, duke ia hequr nga trupi xhupin e tij. Kështu u bë ndërrimi dhe Isufi e veshi pardesynë dhe i tha: “nuk di as me e mbërthye e as me ia lidhë rripin”. Por Azemi ia mbërtheu duke ia rregulluar rripin, por në këtë moment vjen Sali Lusha bashkë me një shok, dhe duke qeshur me pamjen që kishte marrë Isufi, i thotë: dukesh si deputet, e gëzofsh! Kështu Isufi hypi në furgon të Përparimit dhe u nisën. Azemi u nis për në fshatin Bujan, por më tha: Bajram, mos shko tek trageti. Më tha që Arben Imami, i cili do të vinte nga Tirana për të marrë pjesë në mitingun që do të mbahej pasdite, nuk kishte ardhur nga Qafa e Malit dhe po pushonte tek Turizmi. Do të takoheshim pasdite. Kështu secili shkoi në punën e vet. Rreth orës 12:30 minuta mora vesh se tek trageti ishte qëlluar për vdekje Isuf Haluci”, rrëfen Mustafa disa vite më parë.

Historia me thesarin

Nga ana tjetër, gazetari Ferdinand Dervishi ka zbuluar se si Isuf Haluci shpëtoi nga pushkatimi në ’85. Teksa ka nxjerrë rrëfimet e të afërmve të Isuf Halucit, gazetari ka rrëfyer disa kohë më parë kurthin me floririn që Haluci i ngriti Sigurimit të Shtetit. Ai ishte dënuar atëherë me pushkatim me 13 akuza. “Ishin pothuaj të gjitha akuzat më të rënda të Kodit Penal, të pjesës për Krime kundër Shtetit, që nga agjitacioni e propaganda, sabotimi, agjentura, tentativa e vrasjes së Ramiz Alisë, tentativa e arratisjes jashtë vendit, shkuar deri tek shkelja e dispozitave mbi arin e valutën. Pikërisht pasi gjykata na dënoi me vdekje me pushkatim, Isufiu bëri një rreng sigurimsave me qëllimin final të shmangte në kohën e duhur vendimin e gjykatës që na kishte dënuar me vdekje”, rrëfen Skënder Haluci, djali i xhaxhait të Isuf Halucit, i bashkëdënuar me vdekje nën të njëjtat akuza . Ai thotë se historia që krijoi Isufi ishte imagjinare dhe thesari tundoi Sigurimin e Shtetit. “Kam fshehur një arkë me 13 kilogramë flori diku në shtratin e lumit Valbonë. Duhet të më besoni. Edhe Skënderi, djali i xhaxhait, e di për thesarin, por nuk e di se ku e kam fshehur. Do u jap prova për këtë. Prova të prekshme. Pa ju dhënë prova mos më besoni. Por… shikoni mos ndryshoni sadopak linjën e përllogaritur për fatin e jetëve tona. Fundja gjithçka në këtë histori e ka një vlerë dhe një kundërvlerë…”, kishin qenë pak a shumë fjalët e Isuf Halucit

Fshehja e thesarit

Sajesa vazhdon me detajin kyç të së gjithë ngjarjes. Isuf Haluci e kishte menduar planin e vet deri në imtësi, duke përllogaritur provokim–vëzhgim rezultati edhe kundër-reagimet e kundërshtarëve. Ai kishte menduar t’u jepte një provë të fortë njerëzve, që kishin në duar fatin e jetës së tij dhe të djalit të xhaxhait. Me qëllim që ata të nisnin të besonin seriozisht në historinë e legjendës së thesarit. “Fillimisht, që të besonin se e kishte seriozisht për thesarin, Isufi u tha atyre të Sigurimit të Shtetit se ku gjendej një pjesë fare e vogël e tij. Me Isufin në atë kohë bënim tregti me anë të florinjve, që i mblidhnim në zonën e Tropojës dhe dërgonim jashtë vendit me anë të shoferëve të kamionëve të tregtisë, të cilët, kur ktheheshin, na sillnin mall, orë e sende të tjera, çikërrima të ngjashme, por shumë të kërkuara në tregun e kohës. Para se të na arrestonin kujtoj se kishim gjendje 23 monedha floriri, që Isufi i mbante të fshehura në murin e shtëpisë së tij, në Bujan. Pas një tulle që duhej hequr. Pas arrestimit tonë, duke e ditur se kishim nëpër duar florinj, policia dhe Sigurimi kontrolluan të gjitha vrimat e mundshme, madje e mbajtën shtëpinë të rrethuar për një javë, por pa mundur të gjenin ndonjë gjë të vlefshme. Kështu Isufi, në zbatim të planit të tij, u rrëfeu krerëve të Ministrisë së Rendit të asaj kohe se ku gjendej ‘një pjesë fare e vogël e thesarit’. Ata shkuan në shtëpinë e tij në Bujan dhe i gjetën 23 monedhat pikërisht pasi hoqën tullën që u rrëfeu Isufi. Duket saktësia e informacionit dhe e vërteta e vërtetuar, bindi krerët e Ministrisë së Punëve të Brendshme që të besonin tek pjesa tjetër, te thesari i Bujanit i fshehur në një zgavër të lumit Valbonë. Më kupton, këta florinj të gjetur, këta pak florinj të falur, bënë atë efektin që bën te qeni i gjahut aroma e lëkurës së presë, që gjahtari ia tund para hundës para se ta lëshojë nga zinxhiri…”, vazhdon rrëfimin djali i xhaxhait të Isuf Halucit.

Prapaskenat e fshehta

“Para se të niseshin për në Tropojë, ata të Sigurimit më morën në pyetje. Ndërsa unë bëra lojën e Isufit, djalit të xhaxhait, që e adhuroja. Më pyetën për thesarin dhe u thashë se nuk dija asgjë. Kështu më kishte mësuar Isufi. Ne, por edhe të gjithë të burgosurit e tjerë, komunikonim ditën e natën me anë të një kodi që ishte shpikur në burg. I ngjashëm me atë MORS, ku një germë e caktuar e alfabetit kishte një numër goditjesh përkatëse në murin ndarës të qelive. Ndërsa ditën e dytë të marrjes në pyetje, duke bërë sikur u theva nga presioni dhe torturat, u rrëfeva xhelatëve se e dija se Isufi kishte një thesar, por u betova se nuk e dija se ku e mbante të fshehur. Duket ky pohim i bindi përfundimisht ata të Sigurimit dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme se Isuf Haluci nuk i mashtronte për thesarin”, rrëfen Skënderi.

Loja me Sigurimin e Shtetit

“Dikush nga Ministria e Brendshme ishte paraqitur për të biseduar me djalin e xhaxhait. I kishte thënë Isufit se koha ishte ngrohur, se niveli i ujit të Valbonës kishte rënë dhe se ishte kishin planifikuar që të shkonin sërish, një nga ato ditë, të kërkonin për thesarin atje, te vendi… Por Isufi, që e kishte marrë plotësisht veten fizikisht, kishte bërë sikur nuk kuptonte. Tjetri ishte detyruar t’i kujtonte se ai, Isuf Haluci, kishte lënë një bisedë përgjysmë me shokun Hekuran Isai… për atë punën e thesarit. Por përgjigja e fundit e Isufit, batuta e tij ‘ik ore, se nuk e kam floririn për Hekuran Isain’ kujtohet pothuaj me eufori nga të gjithë të dënuarit e burgut të Qafës së Barit. Më tej Isufin e kishin rrahur keqaz për gati dy javë. Kujtoj se e sollën në Burrel të masakruar. Por sërish e mori veten shpejt. Sepse kësaj radhe nuk ishte më një i dënuar me vdekje në pritje të ekzekutimit”, përfundon Skënder Haluci, me këtë fragment të fundit historinë e thesarit imagjinar të Valbonës që në vitet 1985-1986, u futi ethet e floririt gjithë krerëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, pa lënë jashtë edhe ata të Sigurimit të Shtetit. Një histori që vetë xhelatët e kohës e pranojnë duke e veçuar djalin e shkathët nga Tropoja, Isuf Halucin, si të vetmin e të vetmëve që arriti të fuste në lojë Sigurimin e Shtetit.

Akuzat ndaj ambasadores së SHBA, Demalia: Berisha është banal

“Berisha ka një faj të madhe dhe ajo pse nuk dënohet ai është e njëjta gjë pse nuk dënohet Rama dhe është faji i këtij shteti të së drejtës që  ka sjell këtë gjendje. Nuk duhej çështja McGonigal që të largohej Rama nga pushteti, Rama ka 100 çështje tjera brenda vendit. Berisha thotë gënjeshtra. Berisha është banal. I hyn në krevat ambasadores amerikane, po ci duhet atij, të  shoh krevatet në shtëpinë  e vet. Ai është  bërë  aq i pabesueshëm sa muri ku mbështet Rama është Meta dhe Berisha sepse kjo ka rritur pjesën gri. Asnjë njeri nuk është  vënë  para drejtësisë  për të gjithë  këtë korrupsion që  është bërë. Edi Ramës mund t’i japim çdo lloj akuze, por jo komunist, kurse Berisha ka ngelur i vetmi komunist në Evropën Lindore, bajraktari i fundit i komunizmit në Shqipëri”, deklaroi pak ditë më parë analisti Ilir Demalia.

Te tjera

Lajme te tjera