E diel, 19 Prill, 2026

Igli Tafa prezantohet në krye të AKSHI-t! Rama: Karçanaj besoj se do dalë e pastër në kalvarin me drejtësinë

Share

Katër ditë pas dorëheqjes së Mirlinda Karçanajt, kryeministri Edi Rama prezantoi në krye të AKSHI-t drejtorin e ri, Igli Tafa, duke i lënë porosinë e qartë: për të çuar para vizonin për modernizmin dhe dixhitalizimin e të gjitha shërbimeve.

“Igli është tjetër rekruti Shqipërisë dixhitale që ka lënë misione edhe punë të tjera në vende të tjera, dhe ka ardhur të shërbejë në një moment dramatik kur ne u sulmuan na terrori kibernetik. Kapaciteti i tij drejtues, i dikujt që është pjesë e juaj, kupton gjuhën tuaj, na bëri që së bashku me ministren t’i kërkojmë të spostohet brena së njëjtës godinë”, u shpreh Edi Rama. 

Shefi i qeverisë vlerësoi kontributin që Mirlinda Karçanaj ka dhënë në krye të këtij institucioni përgjatë 13 viteve, e cila ndodhet në arrest shtëpie në kuadër të hetimeve të SPAK për abuzime me tendera të zhvilluar nga AKSHI. Rama theksoi se në një botë të drejtë, çdo person që është marrë në hetim do duhej të prezumohej i pafajshëm, por ndërkohë në vendin tonë të gjithë anatemohen dhe prezumohen të fajshëm, ndonëse nuk ka ende një vendim nga gjykata. 

“Nëse mbi AKSHI-n ka një hetim, në një botë të drejtë, të gjithë duhet të prezumoheshin të pafajshëm ndërkohë të gjithë prezumohen të fajshëm. Disa prej jush këtu janë ufo, që jetojnë me ekranin e kompjuterit dhe mund të harrojnë të hanë për disa ditë, kur duhet të përballen me këtë brutalitet, me të drejtë ndihen të çorientuar”, theksoi Kryeministri Rama.

Kryeministri Rama shtoi se Karçanaj është përballur me një agresion barbar të portaleve, por duke theksuar se në fund beson se ajo të do të dalë e pastër.

“I pikëlluar për gjithçka ajo që po kalon, në radhë të parë për agresionin barbar të portaleve dhe të rrjeteve të dhunës verbale që e asociojnë me gjëra të cilat nuk kanë asnjë lidhje me Mirlindën. Edhe në këtë rast unë nuk futem në meritën e çështjes në fjalë, nuk kam dijeni për detaje që lidhen me aktivitetin e atyre kompanive të përfshira në një hetim, por unë kam dijeni për faktin që Mirlinda është një nënë e vetme me 2 fëmijë, ka një karrierë nga më të shkëlqyera në shërbimin publik, kam dijeni për faktin se me të gjithë partnerët. AKSHI ka partnerë të nivelit të lartë, se janë të mëdhenjtë e teknologjisë, Microsoft e me radhë. Kam dëgjuar fjalët me entuziaste dhe mbresat më të jashtëzakonshme për ju, stafin dhe për Mirlinda Karçanaj. I them këto në respekt të një personi për faktin që ndodhet sot në një kalavar, ku unë dua të besoj se do dalë e pastër, por në të gjitha rastet nuk më takon mua ta them këtë gjë, por drejtësisë, por kjo s’do të thotë t’i hidhen poshtë vlerat që ka krijuar dhe revolucionet që ka udhëhequr me ju këtu”, tha Rama.

Nuk mungoi as edhe një mesazh për drejtësinë, për të cilën Rama tha se është në një fazë “revolucioni” për tu transformuar nga një “kalbësirë e gjallë” në një sistem drejtësie të barabartë dhe funksional.

“Jetojmë në një fazë të historisë, ku po ndodh një tjetër revolucion, si ai revolucioni që ju bëni çdo ditë për të transformuar Shqipërinë në shëmbëlltyrë të botës së re dixhitale. Po ndodh edhe një tjetër revolucion, më i egër, më i dhimbshëm, me më shumë plagë me më shumë brutalitet, por i domosdoshëm, revolucioni i transformimit të sistemit të drejtësisë nga një kalbësirë e gjallë, në një sistem drejtësie të drejtë, barabartë dhe funksional. Jemi larg prej kësaj të fundit, por rruga është pakthim, dhe për fat të keq, nëse në botën tuaj virtuale eksperimente bëhen me algoritme, nëse në botën tuaj virtuale dështimet janë ngecje, fikje të programit, në këtë botën e drejtësisë, këto bëhen mbi lëkurën e njerëzve. Nuk është një kompjuter që fiket, është një jetë njeriu që vendoset në pozitë aspak të admirueshme dhe aspak për tu pasur zili”, vijoi Rama.

Njoftoi edhe një partneritet tjetër që Diella dhe Inteligjenca artificiale të shkojnë në një tjetër nivel.

“Nvidia është e gatshme të bëhet partnere me ne për Diellën. Kemi sfida të tjera, sic janë prokurimet me inteligjencën artificiale. Do të jetë model. Aleanca jonë me Microsoft e jashtëzakonshme. Microsoft ju admiron. Nuk duhet të dorëzoheni, sepse çfarë nuk të vret, vetëm të forcon”, tha kryeministri. 

Krah ministres Delina Ibrahimaj, Kryeministri Rama premtoi paga më të larta për punonjësit e AKSHI-t, në një kohë kur konkurrenca nga privati në këtë sektor është tepër e lartë.

Te tjera

Lajme te tjera