E shtunë, 7 Dhjetor, 2024

Historia e një gomë të shpuar, për të kuptuar se ajo makinë kishte mbaruar…….

Share

Nga Kreshnik Spahiu

Dje lexova në media se miku im Agim Doçi po lufton me vdekjen. U trishtova shumë dhe mu kujtua dita e parë kur e njoha.
Ishte mbrëmje e ftohtë dhjetori e vitit 1994. Azem Hajdari më telefonoi dhe më tha se të nesërmen ishim të ftuar të dy si ish studentë dhjetori 90’ në përvjetorin që organizohej në Elbasan dhe së bashku me ne do merrte pjesë edhe Agim Doçi.
Do udhëtonim të tre sepse Azemin e quanin armik pasi Berisha e kishte përjashtuar nga grupi parlamentar, vetëm se Azemi kishte goditur me shpullë Sotirin rojen e PD.

Për në Elbasan u nisëm në ora 12:00 dhe rruga nuk u ndje fare për shkak të humorit që karakterizonte Agim Doçin.
Papritmas pa hyrë në qytet na ra goma e makinës dhe ngelëm mes rrugës.
Jashtë binte shi por ne duhej të dilnim dhe kërkonim ndihmë sepse ende nuk kishim celularë në ato vite.
Menjëherë sapo dolëm në rrugë kalimatrët njohën Azemin dhe filluan të afroheshin.
Papritmas u mblodhën me qindra dhe situata po elektrizohej aq sa Agim Doçi hipi mbi makinë dhe improvizoi nje fjalim të përzier me vargje poetike. Disa pleq u përlotën dhe Azemi e kapi situatën duke nxjerr megafonin duke improvizuar një nga fjalimet më të bukra në jetën e tij.
Në fund e mbylli fjalën duke e thënë:
“E shikoni këtë gomë të shpuar të makinës sime? Kjo mbledh më shumë popull se ministrat e Sali Berishës që po shkatrrojnë Shqipërinë”.

Mu kujtua kjo histori, kur shikoja në mbrëmje pamjet filmike të 10 halabakve që digjnin goma makinash para bashkisë duke kërkuar dorëheqjen e Erion Velisë.
30 vjet më parë goma e shpuar e Azemit dhe Agim Doçit mblidhte 300 herë më shumë se gjithë gomat e djegura të Sali Berishës para Bashkisë Tiranë.
Në fakt atëhere nuk ishte goma por shpresa për ndryshim, që mblidhte popullin në sheshe.
Sot edhe sikur të djegësh të gjitha gomat e Shqipërisë nuk ndez dot shpresën e njerzisë me kauzat e shkrumbuara të partisë.
Prandaj protestat para bashkisë janë më të voglat e historisë.
Njeriu që vrau shpresën përpara se të shkrumboj gomat, ka djegur kauzat dhe ka bëre aq shumë kilometra sa nuk duhen ndërruar vetëm gomat, disqet, vaji apo filtrat.
Thjesht “makina” e tij duhet çuar në varreza për skrap sepse është burim aksidentesh në gjithë rrugët e Shqipërisë.

Te tjera

Lajme te tjera