Deklaratat përmbyllëse për mbrojtjen e Hashim Thaçit në Hagë nga avokati i tij Luka Mishetiç nisën me kërkesën që gjykimi ndaj tij të fillojë duke e konsideruar atë të pafajshëm.
“Kur të filloni kuvendimet tuaja, ju do të filloni nga qëndrimi se Hashim Thaçi është i pafajshëm dhe më pas ju do të vlerësoni nëse provat e paraqitura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ju kanë bindur juve, jashtë dyshimit të arsyeshëm, se Hashim Thaçi është fajtor”, tha ai.
Mbrojtja e Thaçit kritikoi prokurorinë speciale se ka neglizhuar dhe ka anashkaluar fakte dhe prova që hedhin poshte pretendimet e tyre. Avokati Mishetiç solli në vëmendje dëshmitë e personaliteteve ndërkombëtare të së kaluarës që dolën në mbrojtje të Thaçit.
“Ju keni dëgjuar nga dëshmitarët ndërkombëtarë që kanë thënë se Hashim Thaçi nuk dyshohej për krime lufte, ndërkohë që këto ngjarje po ndodhnin dhe po zhvilloheshin. Dëshmitarët ndërkombëtarë ju thanë se për këto ngjarje ishin të informuar përmes burimeve diplomatike, shërbimeve të inteligjencës dhe të tjera, si dhe përmes përvojave të tyre personale, përfshirë përvojat e tyre me Hashim Thaçin”, tha avokati.
Nuk ka prova për të dënuar Thaçin mbi krimet që pretendon akuza, tha mbrojtja, e cila i shtoi më tej kritikat ndaj prokurorëve specialë, kur tha se deklarata e tyre përfundimtare, ishte analiza e një filmi nga dikush që nuk ka parë filmin.
Mbrojtja e Thaçit një dënim të mundshëm të tij për krimet e pretenduara e cilësoi jo vetëm një padrejtësi, por një ndërhyrje në historinë e Kosovës.
“ Argumentet e ZPS-së nuk përbëjnë interpretimin e arsyeshëm të vetëm të provave, që është standardi që duhet arritur që ju të rishkruani historinë e Kosovës, në këtë rast për ta shpallur fajtor Hashim Thaçin. Ka dyshime të bazuara të mjaftueshme për ju që ta shpallni atë jo fajtor për të gjitha pikat e aktakuzës”, u shpreh mbrojtja
Të hënën kryeprokurorja speciale në nisje të deklaratës përmbyllëse të akuzës kërkoi që Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi të dënohen me 180 vite burg në total specifikisht me nga 45 vite secili.
Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.
Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës ka shtyrë seancën plenare për shkak të gjyqit në Hagë. Seanca e parashikuar të mbahej në orën 12:00, është shtyrë për në orën 17:00 pasi mbrojtja do ta ketë fjalën gjatë gjithë ditës.
