Elon Musk ka ndërhyrë sot duke folur për gjyqtarët e seksionit të emigracionit në Romë që dje anuluan transferimin e emigrantëve në Shqipëri, duke e çuar cështjen në Gjykatën Europiane të Drejtësisë.
“Këta gjyqtarë duhet të ikin” shkruan ai në rrjetin e tij social X.
Kjo nuk është hera e parë që miliarderi afrikano-jugor, i cili është bërë një drejtues i fushatës zgjedhore të presidentit të ri amerikan Donald Trump, shpreh mendimin e tij për çështjet e migracionit, si në Itali ashtu edhe jashtë saj.
“Është skandaloze që ai po përballet me gjyq për zbatimin e ligjit,” kishte shkruar ai në platformën X, duke komentuar një postim mbi Matteo Salvini nga opinionistja e së djathtës holandeze Eva Vlaardingerbroek.
Vitin e kaluar, ai gjithashtu kishte shprehur kritika ndaj Gjermanisë për politikën e qeverisë së saj për financimin e OJQ-ve që operojnë në shpëtimin në det. Në një video të një shpëtimi në det, ai kishte pyetur nëse gjermanët ishin në dijeni që OJQ-të “mblidhnin emigrantë të paligjshëm për t’i zbarkuar në Itali”.
Përgjigjja nga llogaria zyrtare në anglisht e Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë ishte e drejtpërdrejtë për Musk: “Po, dhe quhet shpëtim jetësh”
Mbështetja e Elon Musk për të djathtën italiane, të udhëhequr nga Giorgia Meloni dhe aleatët e saj, nuk është vetëm virtuale. Në dhjetorin e kaluar, ai mori pjesë në festën e organizuar nga të rinjtë e partisë Fratelli d’Italia. Musk u shfaq me njërin nga njëmbëdhjetë fëmijët e tij në krah dhe bëri thirrje për rritjen e lindshmërisë, duke u drejtuar italianëve dhe vendeve të tjera të industrializuara që të bëjnë më shumë fëmijë. Ai paralajmëroi se, nwse nuk ndodh kultura italiane, ajo japoneze dhe franceze rrezikojnë të zhduken. Musk theksoi se rënia e lindshmërisë nuk mund të zgjidhet përmes migracionit.
Gjatë fjalës së tij, Musk kritikoi ambientalistët dhe Komisionin Evropian, duke e quajtur këtë të fundit të “ndikuar nga ideologjia woke”. Ai e përmbylli fjalimin e tij me shprehjen “viva gli umani” (“rroftë njerëzimi”).
Në kontekstin evropian dhe në komentet e Musk, termi “woke” është përdorur për të kritikuar institucione ose politika që shihen si të ndikuara nga një ndjeshmëri e theksuar ndaj çështjeve sociale dhe të drejtave të grupeve të ndryshme, duke përfshirë edhe tema të mjedisit dhe të drejtat e emigrantëve.
Shtatë emigrantët që ishin vendosur në kampin e Gjadrit u kthyen në mesnatën e 11 nëntorit në Brindizi.
Ndërkohë pas vendimit të gjykatës së Romës e cila pezulloi dekretin e qeverisë meloni për emigrantët, mediat në itali raportojnë se qeveria synon të mos tërhiqet nga operacionet. Sipas La Reppublica, Meloni do të vijojë apelimin e vendiimeve të gjykatave dhe preferon më mirë një betejë me Gjykatën Evropiane sesa me ato italiane të cilat i sheh si të politizuara.