Argita Malltezi ka reaguar pas vendimit për lirimin nga GJKKO të babait të saj, Sali Berisha. Ajo tha se e priste vendimin e Gjykatës së Posaçme.
Argita Malltezi shpjegoi arsyet pse e priste këtë vendim ndërsa tha se nuk e ka humbur shpresën për rikthimin e ligjshmërisë në vend. Malltezi u shpreh se Balla bëri kallëzim të rremë pas presionit që iu bë SPAK nga diplomatët amerikanë Yuri Kim dhe Escobar.
“Asnjëherë nuk kam humbur shpresën për rikthimin e ligjshmërisë në vend e kam thënë që Sali Berisha do ta fitojë këtë betejë. Vendimi i sotëm kishte surprizat e tij. Berisha përmes lobimit korruptiv të Soros dhe Ramës u shpall non grata. Soros kërkonte të përcaktonte deputetët e opozitës. Escobar dhe Yuri Kim bënë presion të hapur ndaj SPAK për të filluar çështjen penale. Balla bëri një kallëzim të rremë që e kemi zbërthyer Rama urdhëroi SPAK për të marrë masa ndaj Berishës. Fillimisht kufizimi i lirisë pastaj u zëvendësua me arrest mbi bazën e një çështjeje penale që nuk ekzistonte. Ishte bazuar në kallëzimin e rremë të Ballës”, tha Malltezi për “A2 CNN”.
Sipas Malltezit, vendimi i arrestit shtëpiak ndaj Berishës përbënte shkelje të Kushtetutës.
“Vendimi i arrestit shtëpiak përbënte shkelje të Kushtetutës. Berisha u vu nën masa krejt ndryshe nga precedentët e tjerë. U shkel kodi i procedurës penale dhe të gjitha këto tregojnë që nuk ka pasur çështje penale, por as bazë për të vendosur arrestin. U vendos duke thënë që nuk iu bind masave të para”, tha ajo.
Malltezi thotë se me vendimin sotëm, u rivu në vend drejtësia. Ajo tregon faktorët që ndikuan në këtë vendim ku sipas saj janë: qëndresa opozitare, përshkallëzimi i aksionit opozitar dhe fryma e re pas fitores së Trump.
“Është një rivënie e të drejtës në vend, por askush nuk duhet të harrojë rrugën e gjatë që bëmë deri këtu. Faktor determinant ka qenë qëndresa e opozitës në këto 333 ditë, përshkallëzimi i aksionit opozitar, fryma e ndryshimit që u ndje me Donald Trump, jo si individ por si luftëtar në zmbrapsjes e rrezikshme dhe procedura në Strasburg që adresonin pretendimet që ne kemi ngritur në vijimësi dhe që janë injoruar nga gjykatat vendase”, përfundoi ajo.