Udhëtimet jashtë vendit me avionë charter ka sjellë përplasje në distancë mes kryeministrit Edi Rama dhe Sali Berishës. Duke iu referuar këtij të fundit si “shpifaraku më i ulët në historinë e Shqipërisë”, Rama ka nxjerrë statistikat duke bërë krahasim me vitet kur në pushtet ishte Sali Berisha.
Rama thotë se shpenzimi i Berishës për një udhëtim jashtë vendit në vitin 2012 ishte 226.893 lekë të reja. Ndërsa për vitin 2020, Edi Rama thotë se shpenzimet e një udhëtimi ishin 193.331 lekë të reja. Në një postim në Twitter shkruan se ndjen neveri për ata që i cilëson si ‘gjobaxhinj dhe rublaxhinj të opozitës’ pasi tallen me publikun. Rama sqaron se udhëtimet e tij i kanë kushtuar taksapaguesve më pak se gjysma në kohën kur Berisha ishte kryeministër.
“Si të mos ndjesh neveri për rublaxhinjtë e opozitës dhe gjobaxhinjtë e ekraneve, përhapës gënjeshtrash e shpifjesh, katranë me bojë që tallen me publikun! Shpenzimi mesatar vjetor i Kryeministrit për udhëtimet jashtë
2012 – 226.893Lek të reja
2020 – 193.331Lek të reja
Pra në 2 vite e 9 muaj të përdorimit të avionin promocional Albania me një marrëveshje të favorshme me Air Albanian, udhëtimet e mia u kanë kushtuar taksapaguesve mesatarisht më pak se gjysma e shpifarakut më të ulët në historinë e Shqipërisë, kur fatkeqësisht ishte kryeministër!” – shkruan Rama.
Një ditë më parë, Berisha u shpreh se kur ishte kryeministër, ka marrë vetëm 3-4 herë charter për konferenca biznesi dhe bileta i ka kushtuar rreth 2000 euro. Për herët e tjera shprehet se udhëtonte vetëm me linjë tregtare dhe asnjë me klas të parë apo biznes klas.
Për Ramën thoshte se udhëtonte me familjen dhe ka shpërdoruar paratë e taksapaguesve. Këtyre akuzave, kryeministri iu përgjigj duke thënë se Berisha që e cilësonte “Hiena non grata” udhëtonte 4-herë më shtrenjtë se paratë e shqiptarëve merrte edhe familjen me vete.
Por Berisha u shpreh se me familjen e tij s’ka udhëtuar kurrë me charter. Gjatë konferencës për gazetarët ish kryeministri Sali Berisha njoftoi se PD e Rithemelimit do të depozitojë në Kuvend edhe kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor për Air Albania.