E enjte, 23 Prill, 2026

Fatos Nano shuhet në moshën 73-vjeçare, ish-kryeministri ndërroi jetë pas 24 ditësh në spital, reagon politika: Përfaqësues i epokave, arkitekti i të majtës dhe njeriu i të ardhmes

Share

Një muaj e gjysmë më parë festoi ditëlindjen e 73-të.Ndërsa sot, pak pasi kaloi mesdita, ish-kryeministri dhe lideri historik i Partisë Socialiste Fatos Nano mbylli sytë përgjithmonë pas disa javësh në luftë për jetën.

Ish-kryeministri ndodhej i shtruar në një spital privat prej datës 8 tetor. Problemet kronike respiratore e detyruan atë t’i nënshtrohej një trajtimi intensiv duke qëndruar përgjatë 24 orëve nën kujdesin e mjekëve në repartin e reanimacionit.

Politikani pësoi arrest kardiak dhe më pas vdekje klinike të trurit ndërsa gjendja e tij shëndetësore ishte e rënduar dhe pa përmirësim.

Shëndeti i liderit historik të socialistëve ishte rënduar shumë vitet e fundit për shkak të problemit kronik- respirator ose siç njihet në gjuhën e mjekëve SPOK, sëmundje pulmonare obstruktive kronike që prek mushkëritë.

Në vitet e fundit, Fatos Nano është shfaqur rrallë në publik. Prej 2005 kur hoqi dorë nga politika ai ishte përqendruar te shëndeti dhe në jetën personale larg politikës duke ruajtur një profil të ulët.

Njeriu që reformoi të majtën dhe u zgjodh kryeministër 4 herë që nga viti 1991, do të mbahet mend për politikanin liberal e evropian që gërshetoi politikën me emancipimin.

Lamumira pritet t’i jepet përmes një ceremonie shtetërore, ku ish-kryeministri do të nderohet nga figurat më të larta të shtetit, ish-bashkëpunëtorët por edhe njerëz që e vlerësuan kontributin e tij politik fill pas nisjes së tranzicionit.

Reagime

Ta kujtojmë Fatos Nanon si liderin liberal dhe reformator të vendit thotë presidenti i Republikës Bajran Begaj në mesazhin e tij të ngushëllimit për ndarjen nga jeta të liderit historik të socialistëve. ‘Shqipëria humbi liderin socialist dhe të tranzicionit të viteve ‘90 dhe 2000’, shkruan kreu i shtetit.

Për kontributin dhe trashëgiminë që u la pas, për socialistët, Nano do të mbetet mbetet prijësi i partisë. Kryeministri Edi Rama duke postuar një foto të Nanos në 1991 i shkruan vetëm dy fjalë, “Lamtumirë kryetar”.

“…Arkitekti i transformimit historik”shkruan kryetari i Kuvendit Niko Peleshi duke kujtuar momentet kur Nano i hapi dyert e politikës. “Historia do ta gjykojë me drejtësi kontributin e tij”, vijon Peleshi në mesazhin e tij e ngushëllimit.

‘Kryetari i Socialistëve sot u shua, njeriu që ribëri të majtën shqiptare’, shkruan miku dhe bashkëpunëtori më besnik i Nanos, Taulant Balla e po njësoj edhe deputeti Erion Braçe. Deputeit Manja shkruan se Nano ishte ndarja mes dy botëve, aty ku mbaroi frika e komunizmit dhe nisi debati për demokracinë.

Ish deputetit dhe ish-kryeministri, Pandeli Majko shkruan se Nano i ishte politikan i një tjetër kalibri, i cili i provoi të gjitha, si burgosja si drejtues i PS në opozitë, ishte momenti më i vështirë, por edhe më i lartë i veprimtarisë së tij si politikan dhe njeri!

Mirënjohje dhe respekt gëzojnë edhe kundërshtarët. Për ish-presidentin Bamir Topi politika shqiptare humbi politikanin liberal komunikues dhe modern.

Mes demokratëve, ngushëllime shpreh Tritan Shehu, duke veçuar ndarjen nga jeta të Nanos, jo vetëm humbje për familjen socialiste, por dhe për politikën shqiptare. Për kreun e Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka, sot u largua nga kjo jetë njeriu që lënë gjurmë të thella, që nuk dinte të hakmerrej por të falte.

Nga përtej kufijve të vendit, Ali Ahmeti kryetar i BDI-së në Maqedoninë e Veriut shkruan se humbi mikun e vjetër, që ishte vizionar e me urtësi politike. Ramush Haradinaj ish-kryeministër i Kosovës e cilëson Nanon si kontributor kyç i çështjes shqiptare në kohëra krize brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë.

Te tjera

Lajme te tjera