Pavarësisht temperaturave të larta të këtyre ditëve, ekipet e Drejtorisë së Përgjithshme të Pastrimit dhe Gjelbërimit (DPPGJ), Bashkia Tiranë, vijojnë çdo ditë punën në terren për monitorimin, pastrimin dhe evadimin e mbetjeve në të gjitha zonat e qytetit.
Me angazhim dhe përkushtim, punonjësit e DPPGJ kujdesen për mirëmbajtjen e rrugëve, hapësirave publike, parqeve dhe ambienteve të përbashkëta, duke garantuar një qytet më të pastër dhe më të sigurt për qytetarët. Puna e tyre e përditshme është thelbësore për ruajtjen e standardeve të pastërtisë dhe për krijimin e një mjedisi të denjë për familjet dhe fëmijët.
Bashkia Tiranë vlerëson punën e palodhur të ekipeve të DPPGJ, të cilat, pavarësisht kushteve të motit, mbeten çdo ditë në shërbim të qytetit dhe qytetarëve.
Njëkohësisht, u bëhet thirrje të gjithë qytetarëve të kontribuojnë në ruajtjen e pastërtisë, duke mos hedhur mbeturina apo mobilie në hapësirat publike dhe duke respektuar mjedisin e përbashkët. Kujdesi për Tiranën është një përgjegjësi që na përket të gjithëve.
