E enjte, 23 Prill, 2026

Dumani: Veprat më të përhapura penale shkelja e barazisë në tendera dhe pastrimi i parave, grupet kriminale në veprim

Share

Janë shënuar rritje progresive lidhur me procedimet ndaj grupeve kriminale dhe pastrimit të parave, u shpreh në Kuvend, Altin Dumani, kreu i SPAK-ut, teksa paraqiti raportin vjetor para deputetëve.

Ai tha se grupet kriminale shqiptare vijojnë të jenë aktive në trafikun e narkotikëve, ndërsa kanë aktivitetin e tyre në vendet e Bashkimit Europian. Ai tha se janë në kërkim ndërkombëtar 117 persona si pjesë e grupeve kriminale.

“Lufta kundër krimit të organizuar edhe për këtë vit, krahasuar me vitin paraardhës, ka shënuar arritje të rëndësishme me një rritje prej rreth 18,8% të regjistrimeve të këtyre procedimeve penale. Po kështu, është rritur edhe numri i personave të cilët janë nën hetim për këto procedime me rreth 21,6%, krahasuar me vitin 2023. Nga ana tjetër, ka një rënie me rreth 7,3% të çështjeve të dërguara për gjykim për shkak të volumit dhe kompleksitetit të tyre”, tha kreu i SPAK.

Lidhur me luftën ndaj korrupsionit, Dumani u shpreh se SPAK ka ndjekur një qasje aktive duke hetuar një numër të konsiderueshëm zyrtarësh të lartë.

“Gjatë vitit 2024, rezultojnë të jenë nën hetim 33-ish zyrtarë të lartë (ku dy prej tyre janë të regjistruar në dy procedime të ndryshme secili), nga të cilët 19 zyrtarë janë dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim. Nga numri total i ish- zyrtarëve të lartë nën hetim, 19 prej tyre janë dërguar në gjykatë, që përfaqëson 52,9% të rasteve. Bashkëpunimi nga institucionet publike në lidhje me referimet e ardhura prej tyre ka nevojë ende të përmirësohet. Kështu numri i procedimeve të filluara nga referimet e përcjella nga institucionet publike mbetet i ulët, duke zënë vetëm 15,1% të totalit të referimeve të dërguara pranë SPAK nga të gjitha subjektet publike dhe private. Është për t’u theksuar se, referimet e ardhura nga policia e shtetit, krahasuar me vitin 2023, kanë shënuar gjithashtu një rënie shqetësuese me 53,8%”, tha Dumani.

Shkelja e barazisë në tendera dhe pastrimi i produkteve të veprës penale, u vlerësuan nga Kreu i SPAK, si më të përhapurat ndër veprat penale të ndjekura nga Prokuroria Speciale.

“SPAK i ka dhënë një rëndësi të veçantë hetimit pasuror dhe financiar. Në këtë kontekst, është forcuar Sektori i Hetuesve Financiarë nëpërmjet ngritjes së kapaciteteve njerëzore kryesisht në hetimet financiare dhe pasurore me veprime komplekse brenda dhe jashtë vendit ku përfshihen edhe veprimet me kriptovaluta. Gjatë vitit 2024, me asistencën e ekspertëve ndërkombëtarë është finalizuar nxjerrja e një udhëzimi të përgjithshëm për masat administrative dhe procedurale për kryerjen e hetimit financiar dhe pasuror në SPAK.

Ndërkohë që për pasuritë e konfiskuara kjo vlerë arrin në shumën rreth 36,7 milionë euro. Kështu, vlera e pasurive të sekuestruara zë rreth 43,8% të vlerës totale, ndërsa pasuritë e konfiskuara zënë rreth 56,2% të vlerës totale. Krahasuar gjithashtu me vitin 2023, vihet re një rritje në masën rreth 59,7% e vlerës totale të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara (rreth 65,5 milion euro në vitin 2024 kundrejt rreth 41 milion euro në vitin 2023)”, tha Dumani, duke paraqitur raportin vjetor.

Te tjera

Lajme te tjera