E premte, 24 Prill, 2026

Dumani drejt ikjes/ KLP hap garën për drejtuesin e ri të SPAK, kandidatët 3 javë afat për aplikim! Në mbledhje përfaqësues të Ambasadës së SHBA

Share

Kandidatët që synojnë drejtimin e Prokurorisë së Posaçme pas 18 dhjetorit kur mandati i Altin Dumanit përfundon do të kenë kohë deri më 8 tetor për shpalljen e kandidatura. Në prani të përfaqësuesve të ambasadës amerikane në Tiranë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë çeli zyrtarisht këtë të mërkurë garën.

“Afati për dorëzimin e aplikimeve është deri më datë 8 tetor 2025. Vendimi hyn në fuqi menjëherë. Shpallet në Tiranë, sot më datë 17 shtator 2025. Me 11 vota pro, asnjë kundër miratohet”, tha kryetarja e KLP.

Relatori Sokol Stojani propozoi 2 javë afat, por Vate Staka kërkoi që afati të jetë 3 javë, ndërsa u përcaktuan edhe kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për kreun e SPAK. Mbledhja e trupës së KLP-së, u ndoq edhe nga përfaqësues të Ambasadës Amerikane në vendin tonë. 

“I bëjmë thirrje prokurorëve të SPAK të aplikojnë, dorëzojnë platformën e tyre mbi çështjet me rëndësi dhe interes publik”, tha Stojani.

Prania e përfaqësuesve të ambasadës amerikanë tregon se, ashtu siç 3 vite më parë kur u zgjodh Dumani nën monitorimin e ish ambasadores amerikane Yuri Kim, edhe këtë herë ky proces do të ketë vëmendje ndërkombëtare.

Vetëm pak ditë me parë e ngarkuara me punë e SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn, tha se “Procesi i përzgjedhjes së pasardhësit së Dumanit duhet të jetë i paanshëm, transparent dhe i lirë nga çdo ndikim i jashtëm dhe se partnerët ndërkombëtarë do ta ndjekin nga afër këtë proces, sepse janë të interesuar që Shqipëria të vazhdojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

Drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme do të zgjidhet mes prokurorëve të SPAK për një mandat 3-vjeçar pa të drejtë rikandidimi. I gjithë procesi, që nga kriteret e deri të votimi, është i normuar i detajuar në nenet 37 dhe 38 të rregullores së KLP e miratuar në shtator të vitit 2023.

Zgjedhja e kreut të SPAK bazohet në eksperiencën në çështjet sensitive të korrupsionit dhe të krimit të organizuar; në aftësitë drejtuese, vizionin ose planin e besueshëm për organizimin e Prokurorisë, imazhin publik të karrierës së tij etj. 

Pas bëhet verifikimi i kushteve paraprake, Komisioni për Zhvillimin e Karrierës jo më vonë se 10 ditë nga mbyllja e afatit të kandidimit, paraqet për miratim në mbledhje plenare, listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet e kandidimit.

Votimi për drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme bëhet i hapur dhe nominal dhe kryetar i SPAK zgjidhet kandidati që merr më shumë vota në Këshill, pra mjafton të marrë një votë më shumë se kandidatët e tjerë.

Në rast se dy a më shumë kandidatë marrin numër të barabartë votash, Këshilli me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të pranishëm, kryen një votim të dytë mes kandidatëve me numër të barabartë votash.

Paralelisht me zgjedhjet e kreut të SPAK, po zhvillohet edhe procesi i emërimit të drejtuesit të ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Aktualisht 7 kandidatët e mbetur për këtë pozicion po kalojnë në filtrin e verifikimit të figurës dhe pritet që shpejt Prokuroria e Posaçme të çojë një emër në KLP.

Kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për kreun e SPAK

a) Eksperiencë në ndjekjen e çështjeve sensitive të korrupsionit dhe krimit të organizuar

b) Eksperiencën dhe aftësitë në organizimin dhe drejtimin e një strukture;

c) Eksperiencën në hartimin e miratimin e rregulloreve administrative;

ç) Eksperiencën në çështje të cilat kanë marrë vëmendje të lartë publike, dhe ndërveprim me median,

d) Aftësitë në drejtimin efektiv të burimeve njerëzore,

dh) Vizionin ose planin e besueshëm për organizimin e Prokurorisë së Posaçme si një institucion funksional dhe efektiv,

e) Imazhin publik të karrierës së tij/saj si prokuror.

Te tjera

Lajme te tjera