Historia e politikës shqiptare, sidomos ajo e viteve të fundit, është e mbushur me episode të errëta që reflektojnë qartë një mentalitet fashist në qasjen ndaj brezit të ri dhe mendimit të lirë. Rasti i profesorit Ylli Vejsiu, intelektual i respektuar i Universitetit të Tiranës, është emblemë e këtij fenomeni. Në fund të viteve ’90, vetëm për faktin se kritikoi publikisht liderin e atëhershëm të PD-së, Sali Berishën, profesori u dhunua brutalisht nga truproja e Berishës, Izet Haxhia. Përveç dhunës fizike, ai pësoi edhe terror psikologjik, duke gjetur depozitën e ujit të shkatërruar në shtëpinë e tij modeste. Kjo traumë e detyroi Vejsiun të tërhiqej nga politika përgjithmonë, duke u kthyer në jetën e qetë akademike.
Një episod i ngjashëm i përket Ben Blushit, një figurë e rrallë intelektuale dhe politike, i cili në 2009 u kërcënua hapur me jetë nga Tom Doshi gjatë një mbledhjeje të PS-së, vetëm sepse guxoi të kritikojë kryetarin Edi Rama. Edhe pse Blushi vijoi të rezistojë, krijoi parti të re dhe vazhdoi kritikën ndaj elitës politike, ai nuk mundi dot të depërtojë në mënyrë efektive në politikën aktive.
Ditët e fundit, skena përsëritet me kërcënimin publik që Tom Doshi i bëri Benet Becit, një tjetër figurë e re dhe qytetare. Ky kërcënim duket si një paralajmërim që Beçi të mos guxojë të ëndërrojë pozicione politike më të larta. Alessia Balliu, një tjetër figurë e re dhe premtuese, e shkolluar dhe kurajoze, u mënjanua dhe u kërcënua vetëm sepse nuk përfaqësonte interesat e klaneve lokale kriminale që kanë kapur politikën shqiptare.
Kjo metodë fashiste e politikëbërjes, e bazuar në kërcënime, dhunë dhe izolim të çdo zëri kritik, është përdorur sistematikisht gjatë 34 viteve të tranzicionit shqiptar. Nga Musolini te Hitleri, Franco, Salazar, e deri te juntat ushtarake të Amerikës Latine, metodat kanë qenë të njëjta: eliminimi i kundërshtarit politik me çdo mjet.
Sot në Shqipëri, kjo metodë vazhdon e kamufluar dhe shpesh më cinike, por me efekte po aq të dëmshme. Tragjikisht, edhe brezi i ri politik shqiptar, siç është rasti i Adriatik Lapajt, po reflekton po të njëjtën mungesë empatie dhe humanizmi politik. Mos përfshirja e Edlira Çepanit, një bashkëthemeluese e rëndësishme e lëvizjes së Lapajt, në listat e tij pas humbjes së rëndë familjare që pësoi, është tregues se liderët e rinj janë shpesh një kopje e zbehtë dhe e shëmtuar e elitës së vjetër.
Nëse politika shqiptare nuk i kundërvihet hapur dhe vendosmërisht kësaj kulture fashiste të përjashtimit, izolimit dhe dhunës, Shqipëria do të mbetet e bllokuar në ciklin e pafundëm të tranzicionit dhe mjerimit moral e politik./Pamfleti