Në Bruksel po mbahet takimi i Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asocimit BE-Shqipëri. Palët patën debate për çështjen e ligjit anti shpifje dhe lirisë së medias në tërësi. Ndërkohë e pranishme në këtë takimi ishte edhe deputetja e Partisë Demorkatike, Zheni Gjergji si pjesë e Delegacionit në Komitetin Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri. Znj. Gjergji në fjalën e saj u ndal në mungesat e hapësirave që sot ka shoqëria civile në Shqipëri. Duke përmendur gjetjet e progres raportit të vitit 2022, ajo tha se pavarësisht miratimit në parim të ligjit të ri për OJF në vitin 2021 “për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse”, zbatimi i tij konkret është ende jo funksional, çka e pengon një pjesëmarrje kuptimplotë e saj mbi rolin që ajo ka në zhvillimin e forcimin e demokracisë funksionale në vend. Po ashtu znj. Gjergji u shpreh se shoqëria civile duhet të ketë një rol më të madh dhe përkundrejt qeverisjes, e duke e vendosur këtë të fundit në pozita përgjegjshmërie. Nisur nga rëndësia që paraqet procesi i negociatave për anëtarësim, lipset nevoja që shumica e majtë të mbështesë atë çka grupi parlamentar i PD ka nxitur, “një rol proaktiv i shoqërisë civile”, sikundër dhe vetë KE e ka theksuar në progres raport, ku ky rol të shtrihet jo vetëm në veprimtarinë e komisioneve parlamentare – me ekspertizat objektive, por dhe në grupet e punës – brenda mekanizmave parlamentare, për procesit të integrimit.
Ja fjala e deputetes së PD, Zheni Gjergji si pjesë e Delegacionit në Komitetin Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri:
Të nderuar përfaqësues të COREPER, të dashur zonja dhe zotërinj, të dashur kolegë!
Përsa i përket “Organizatave të Shoqërisë Civile”, sikundër është evidentuar dhe në periudhën e mëparshme periodike të progres raportit të vitit 2021, progresi i vendit në këtë fushë ka qenë tepër i kufizuar. Shqipërisë i është kërkuar, “zbatimi i udhërrëfyesit për krijimin e një mjedisi të favorshëm për shoqërinë civile”. Sërish në progres raportin e fundit të 2022, vendi nuk ka shënuar progres të mëtejshëm, përsëri është arritur progres i kufizuar në lidhje me këtë rekomandim dhe janë paraqitur kërkesa të reja ndaj qeverisë duke evidentuar se:
“Shqipëria ende nuk ka filluar zbatimin e ligjit të ri për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse të miratuar në qershor 2021 në mënyrë që të sigurohet një pjesëmarrje kuptimplotë e saj mbi rolin që ajo ka në zhvillimin e forcimin e demokracisë funksionale.”
Po ashtu një aspekt thelbësor mbi rolin e shoqërisë civile, duke ushtruar një rol proaktiv përkundrejt qeverisjes, e duke e vendosur këtë të fundit në pozita përgjegjshmërie. Evidentohet se roli thelbësor i saj për kontribuar në seancat e komisioneve parlamentare është lënë pas dore për shumë vite. Edhe pse opozita ka ftuar të ripërtërijë rolin e organizatave të shoqërisë civile të kenë këtë rol të pazëvendësueshëm i cili është dhe në interes të opinionit të gjerë publik, kjo ende nuk është mirëpritur me veprime konkrete nga ana tjetër e mazhorancës së majtë. Në këtë kontekst më lejoni të shpreh dhe një herë, dhe në emër të Grupit tonë parlamentar që në procesin aktual të “negociatave të anëtarësimit” në kuadër të Parlamentarizmit dhe mekanizmave të saj, shumica qeverisëse e PS duhet të shfaqë vullnet politik për të miratuar sëbashku rijetëzimin e rolit të shoqërisë civile. Është thelbësore që ta materializojmë në një angazhim konkret sa më parë.