Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje degëve të partisë dhe mbështetësve të saj të mobilizohen për protestën e së shtunës, e cila, sipas tij, do të zhvillohet në mbështetje të revoltës studentore dhe kundër qeverisë së Edi Ramës.
Gjatë takimit të sotëm me kryetarët dhe sekretarët e degëve të PD-së, Berisha e cilësoi protestën si një moment me rëndësi të veçantë dhe kërkoi angazhimin e të gjitha strukturave për një pjesëmarrje sa më të gjerë. Ai theksoi se Partia Demokratike do të qëndrojë në krah të studentëve deri në realizimin e kërkesave të tyre. ‘Dita e shtunë është një protestë jashtëzakonisht e rëndësishme. E thërrasim këtë protestë në mbështetje të studentëve. Në mbështetje të plotë të tyre. E thërrasim këtë protestë për t’u provuar atyre se Partia Demokratike është dhe do qëndrojë në krah të tyre, gjithnjë deri në fitore’, deklaroi Berisha.
Lideri i demorkatëve ftoi gjithashtu të gjitha forcat politike që t’i bashkohen protestës dhe revoltës studentore, duke e konsideruar bashkimin e opozitës si kusht për largimin e qeverisë aktuale. Sipas tij, ata që nuk angazhohen në këtë përpjekje ose përdorin protestën për axhenda të tjera politike, nuk synojnë largimin e Edi Ramës. ‘Partia Demokratike sot fton të gjitha forcat politike të bashkohemi në mbështetje të revoltës studentore’, u shpreh Berisha, duke kërkuar krijimin e një fronti sa më të gjerë kundër qeverisë.
Gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së përsëriti kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike që do të përgatisë zgjedhjet e ardhshme. ‘Të largojmë Edi Ramën, të krijojmë një qeveri teknike që përgatit zgjedhjet, të votojnë shqiptarët dhe të zgjedhin atë që duan’, tha ai.
Lideri i opozitës Sali Berisha u ndal edhe te mobilizimi që po bëhet në mbrojtje të kryeministrit, duke akuzuar mafien se përdor paratë e drogës dhe korrupsionin për të mbajtur Ramën në pushtet. Ai deklaroi se kryeministri nuk mund ta ndalë më rënien politike. ‘Ka një angazhim të madh të mafies, të ushqyer me narko-euro, për të vjedhur me korrupsionin, për të mund me mbajt me çdo kusht Edi Ramën. Edi Ramën nuk e mbajnë më. Edi Rama kurrë nuk do mund të ndalojë rrokullisjen e tij’, deklaroi kreu i opozitës.
Në takimin me drejtuesit dhe sekretarët e degëve, kryetari i Partisë Demokratike kërkoi mobilizim maksimal për protestën e së shtunës dhe nxitjen e protestave edhe në rrethe. Ai pranoi se demokratët janë të lodhur nga përballja politike, por u kërkoi të vijojnë qëndresën. ‘Kilometri i fundit, edhe një herë mos harrojmë, më i lodhshmi është gjithmonë kilometri i fundit. Po këtë kilometër do ta bëjmë dhe do ecim të sigurt drejt fitores’.
