E premte, 16 Tetor, 2026

Berisha: Rama po e çon vendin drejt një konflikti të gjerë, regjimi i Padrinos ka shumëfishuar dhunën ndaj studentëve dhe protestuesve. PD u bën thirrje mbarë qytetarëve të mbështesin me të gjithë potencialin e tyre këtë lëvizje historike

Share

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se po e çon vendin drejt një konflikti të gjerë përmes dhunës ndaj studentëve dhe protestuesve, ndërsa kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të tij. Në konferencën e sotme për mediat, ai u bëri thirrje qytetarëve, bizneseve të vogla dhe shërbimeve publike t’i bashkohen revoltës studentore.  ‘Regjimi i Padrinos ka shumëfishuar dhunën dhe terrorin kundër studentëve dhe protestuesve në Tiranë’, deklaroi Berisha, duke pretenduar se mbi 150 persona janë ndaluar gjatë protestave.

Lideri i demokratëve Sali Berisha, akuzoi policinë për dhunë ndaj studentëve, përfshirë vajzat në konvikte, dhe pretendoi se protestues të plagosur po marrin trajtim në spitale. Sipas tij, deklarata e Ramës se nuk do të japë dorëheqjen ka shtuar revoltën qytetare. ‘Në këtë mënyrë ai po e çon vendin drejt një konflikti të gjerë’, tha Berisha, duke e cilësuar qeverisjen e Ramës si ‘narkoshtet’ dhe duke e akuzuar kryeministrin për përgjegjësi për situatën e krijuar.

Gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së, Sali Berisha u bëri thirrje bizneseve të vogla të shprehin solidaritetin me studentët, madje edhe përmes ndërprerjeve të përkohshme të punës. Ai kërkoi gjithashtu që shërbimet publike të rreshtohen në mbështetje të protestës. ‘PD u bën thirrje mbarë qytetarëve të mbështesin me të gjithë potencialin e tyre këtë lëvizje historike’, deklaroi kreu i opozitës, duke theksuar se Partia Demokratike do ta mbështesë protestën deri në fund.

Lideri i opozitës Sali Berisha akuzoi gjyqtaren që dha sot vendimet gjyqësore ndaj protestuesve, si në konflikt interesi, pasi bashkëshorti i saj punon në strukturat policore. Ai njoftoi se PD ka organizuar shërbim avokatie falas për personat e ndaluar gjatë protestave.

Duke iu përgjigjur akuzave të Edi Ramës dhe përfaqësuesve socialistë se, PD qëndron pas akteve të dhunës, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i cilësoi ato si ‘turpi dhe faqja e zezë’ e Ramës. ‘Opozita do të qëndrojë me të gjithë fuqitë e saj në mbështetje të kësaj proteste’, u shpreh kryetari i PD-së, Sali Berisha , duke përsëritur kërkesën për e menjëhershëm të Edi Ramës.

Te tjera

Lajme te tjera