E enjte, 15 Tetor, 2026

Kosovë/ Merr fund kriza politike, Justina Shiroka Pula zgjidhet Presidente me 81 vota: Do punoj për unitetin e vendit! Kuvendi miraton edhe ndryshimet në ligjin për Gjykatën Speciale

Share

Mes tensioneve nga protestat e vazhdueshme, të përshkallëzuara me kërkesën për votimin e plotë të ndryshimeve në Ligjin për Specialen, dhe nën presionin e afatit të fundit kushtetues për zgjedhjen e kreut të shtetit, Kuvendi i Kosovës i dha fund një prej ngërçeve më të gjata politike të viteve të fundit. Pas rreth dy vitesh krizë politike dhe përplasjesh mes forcave kryesore, deputetët zgjodhën Justina Shiroka-Pulën Presidente të Republikës së Kosovës. Justina Shiroka Pula mori 81 vota, kundrejt një vote që ka marrë Eliza Hoxha.

‘Betohem, do i kryej me përgjegjësi detyrat e mia në shërbim të Republikës së Kosovës’, tha Pula gjatë betimit në Parlament.

Më pas gjatë fjalës para deputetëve, Pula tha se do i shërbejë interesit qytetar dhe do të punojë për unitetin dhe forcimin e institucioneve të Kosovës.

“E pranoj me nder e përgjegjësi detyrën e Presidentes së Kosovës. Ky mandat nuk i përket vetëm një personi, por qytetarëve tanë, institucioneve tona dhe shtetit për të cilin shumë breza sakrifikuan. Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve. Do të punoj për unitet dhe forcimin e institucioneve tona. Kosova do të duhet të ecë përpara e sigurt me orientim të qartë euroatlantik. Do mbroj Kushtetutën, interesin e Republikës dhe dinjitetin e qytetarëve tanë”, tha mes të tjerash Pula.

Justina Shiroka-Pula është Presidentje e tretë grua e Kosovës, pas Vjosa Osmanit dhe Atifete Jahjagës. Kosova deri më tani ka shtatë presidentë në historinë e saj.

Po ashtu Kuvendi ka votuar projektligjin që parashikon ndryshime në ligjin për Dhomat e Specializuara për Kosovën në Hagë. Amendamenti u votua me 90 vota pro, ndërsa projektligji në tërësi u votua me 88 vota pro. Menjëherë pas miratimit të ndryshimeve, protestues dhe mbështetës të UÇK-së kanë ‘shpërthyer’ në brohorima gëzimi jashtë ambienteve të Kuvendit. Gjatë votimit për Gjykatën Speciale dhe për Presidenten, në sallë ishin deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës.

Kur u propozua nisma për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara?

Nisma për ndryshimin e ligjit është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës më 21 shtator, pak ditë pas shpalljes së aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë. Ndryshimet e propozuara prekin disa çështje që lidhen me funksionimin dhe juridiksionin e Dhomave të Specializuara, përfshirë mundësinë që raste të caktuara jashtë juridiksionit të tyre të procedohen në Kosovë. Projektligji parasheh gjithashtu mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës, kufizimin e dënimit maksimal me burgim në 15 vjet, si dhe mbajtjen e dënimeve në Kosovë.

Çfarë janë Dhomat e Specializuara?

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, të njohura gjerësisht si Gjykata Speciale, u themeluan në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por funksionojnë në Hagë me personel ndërkombëtar. Ato kanë mandat të hetojnë dhe gjykojnë pretendimet për krime të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së në periudhën nga janari 1998 deri në dhjetor 2000.

Te tjera

Lajme te tjera