E martë, 15 Shtator, 2026

Berisha pas kthimit në SHBA: Morëm pjesë në konventën më të bukur! Në epiqendër të takimeve ishte narkoshteti! Trump denoncoi rrezikun komunist dhe rrezikun e drogës, mbi të cilat qëndron regjimi i Ramës! Mediat proqeveritare në Shqipëri e censuruan plotësisht fjalën e tij

Share

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u rikthye nga Shtetet e Bashkuara me një mesazh të fortë politik ndaj qeverisë së Edi Ramës, duke deklaruar se në takimet e zhvilluara me zyrtarë të lartë amerikanë, në qendër të diskutimeve ishte ajo që ai e cilësoi si ‘narkoshteti’ shqiptar.

Gjatë konferencës së sotme për gazetarët, lideri i opozitës shqiptare Sali Berisha tha se vizita në SHBA kishte si qëllim prezantimin e qëndrimit të opozitës shqiptare për situatën politike, ekonomike dhe institucionale në vend. ‘Garantoj shqiptarët se në takimet tona, nuk ka pasur asgjë personale. Gjithçka ka qenë në interesin e çdo shqiptari që dëshiron të jetojë i lirë dhe me dinjitet në këtë vend’, deklaroi Berisha, duke shtuar se në qendër të bisedimeve me kongresmenë, senatorë dhe zyrtarë të administratës Trump ishte ‘narkoshteti dhe pasojat shkatërrimtare të tij’.

Sipas kryetarit të PD-së, opozita ka paraqitur në SHBA argumente dhe dokumente mbi lidhjet që ai pretendon se ekzistojnë mes strukturave të pushtetit dhe trafikut të drogës. Berisha e lidhi këtë situatë edhe me ekonominë dhe krizën demografike të Shqipërisë. ‘Ne u ndalëm me miqtë tanë në historikun e transformimit të Shqipërisë në narkoshtet si një politikë zyrtare e Edi Ramës’, tha ai.

Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë se ka krijuar një sistem ku, sipas tij, shteti ligjor është zëvendësuar nga interesat e mafies. ‘Dëshira jonë është që Kushtetuta të mbizotërojë dhe shteti ligjor të mos jetë i zëvendësuar nga shteti i mafies’, u shpreh kryedemokrati.

Lideri i demokratëve Sali Berisha i kushtoi një pjesë të deklaratës së tij, fjalimit të presidentit amerikan Donald Trump në konventën republikane ku mori pjesë delegacioni shqiptar. Ai tha se Trump vendosi në qendër të fjalimit të tij dy rreziqe: komunizmin dhe trafikun e drogës. ‘Dy ishin rreziqet kryesore. Rreziku komunist dhe rreziku i trafiqeve’, tha Berisha, duke shtuar: ‘Nëse ka sot regjim që qëndron mbi këto dy shtylla, është regjimi klasik i Tiranës i Edi Ramës.’

Gjatë fjalës me gazetarët, kryetari i PD-së akuzoi mediat proqeveritare shqiptare se e kanë censuruar këtë pjesë të fjalimit të Trump. ‘Droga dhe komunizmi, komunizmi dhe droga’, deklaroi Berisha, duke e paraqitur këtë si një përputhje mes mesazheve të presidentit amerikan dhe kritikave që opozita shqiptare i ka bërë prej vitesh qeverisë Rama.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, lideri i opozitës Sali Berisha tha se opozita ka gjetur mirëkuptim në takimet e zhvilluara në SHBA dhe se shqetësimet e saj nuk ishin të panjohura për palën amerikane. ‘Ne folëm me fakte, argumente, dokumente, por unë nuk pashë ndonjë gjë që bashkëbiseduesit tanë të habiteshin me atë që thoshim’, tha ai.

Sipas tij, edhe deklaratat e Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, për rrezikun që paraqesin kartelet e drogës dhe bashkëpunëtorët e tyre për sigurinë amerikane janë tregues i vëmendjes që SHBA i kushton kësaj çështjeje.

Kryetari i Partisë Demokratike e lidhi gjithashtu situatën me zgjedhjet e fundit në Shqipëri, duke akuzuar qeverinë për përdorimin e strukturave kriminale në procesin zgjedhor dhe duke e cilësuar procesin si ‘farsë elektorale’. Berisha në fjalën e tij, paralajmëroi se opozita do të vijojë aksionin politik dhe hetimor ndaj qeverisë, ndërsa e përmbylli konferencën me një tjetër sulm ndaj Edi Ramës dhe kabinetit të tij. ‘Unë po i ndjek me shumë interes dhe jo pa kënaqësi këto zhvillime në klanin e tyre mafioz’, deklaroi Berisha, duke iu referuar përplasjeve të pretenduara brenda mazhorancës.

Te tjera

Lajme te tjera