E martë, 15 Shtator, 2026

Rusia hap frontin e luftës hibride në Evropë, 151 operacione në 4 vite, nga sulmet me dron e sabotazhet te dezinformimi dhe përpjekjet për të dobësuar NATO-n

Share

Tensionet mes Rusisë dhe Perëndimit janë përshkallëzuar pasi Gjermania akuzoi Moskën për një sulm me dron në aeroportin e Lajpcigut. Sipas ministrit gjerman të Brendshëm, Alexander Dobrindt, përdorimi i një droni me eksploziv ndjek modelin e operacioneve hibride ruse në Evropë, përmes taktikave ushtarake dhe joushtarake që synojnë të ushtrojnë presion pa shkaktuar konflikt të hapur. Pas incidentit, Gjermania dhe Rusia mbyllën qendrat e tyre kulturore, ndërsa u mbyll edhe konsullata ruse në Bon. Aeroporti i Lajpcigut është pjesë e logjistikës që mbështet Ukrainën. Rusia mohoi përfshirjen dhe i cilësoi akuzat gjermane si të pabazuara.

Pretendimet se Moska synon të krijojë përçarje në Perëndim

Nga shkurti 2022 deri në shkurt 2026 janë identifikuar 151 raste të aktiviteteve ruse kundër Evropës, sipas Globsec. Organizata paralajmëron se numri real mund të jetë edhe më i lartë. Rastet përfshijnë tentativa për vrasje, zjarrvënie, sabotime, vandalizëm dhe veprime që kanë cenuar rendin publik. Sipas Globsec, përhapja e incidenteve në Poloni, Francë, Gjermani, Lituani, Estoni dhe Britani të Madhe lidhet kryesisht me mbështetjen e këtyre vendeve për Ukrainën. Një raport i Shërbimit Kërkimor të Kongresit amerikan përmendi gjithashtu akuza për sabotime ndaj hekurudhave dhe kabllove nënujore, tentativa për vrasje, ndërhyrje politike, operacione ndikimi, sulme kibernetike dhe shkelje të hapësirës ajrore. Ekspertët vlerësojnë se Moska synon të krijojë përçarje në Perëndim, të rrisë koston e mbështetjes së NATO-s për Ukrainën dhe të testojë gatishmërinë e aleancës, duke qëndruar nën pragun e një lufte konvencionale. Sipas Globsec, lufta hibride lidhet edhe me humbjet e mëdha të Rusisë në Ukrainë, presionin ekonomik dhe vështirësitë për të arritur përparime vendimtare përmes luftës konvencionale.

Polonia dhe infrastruktura kritike

Shumica e veprimeve të atribuuara Rusisë kanë shkaktuar deri tani dëme të kufizuara, por kërkojnë burime të mëdha sigurie. Polonia, një nga nyjet kryesore logjistike të NATO-s për furnizimin e Ukrainës, është ndër vendet më të ekspozuara. Në nëntor 2025, qeveria polake e cilësoi një shpërthim në një linjë hekurudhore të përdorur për transportin e armëve si akt sabotimi dhe deklaroi se të dhënat tregonin drejt Rusisë. Moska e mohoi përfshirjen. Pas incidentit, Polonia angazhoi deri në 10 mijë trupa për mbrojtjen e infrastrukturës kritike. Në janar, Varshava nënshkroi kontrata me vlerë mbi 4 miliardë dollarë për sisteme kundër dronëve përgjatë kufirit lindor. Aktivitete me dronë të dyshuara si të lidhura me Rusinë janë raportuar edhe pranë instalimeve ushtarake, aeroporteve dhe infrastrukturës kritike në Gjermani, Belgjikë, Danimarkë, Holandë, Francë, Norvegji, Suedi dhe Britani të Madhe.

Dezinformimi dhe operacionet e ndikimit

Aktiviteti hibrid nuk kufizohet te sabotimi fizik. Qeveritë evropiane kanë akuzuar rrjete të lidhura me Rusinë për përhapje dezinformimi, përdorim të llogarive të rreme, falsifikim raportimesh dhe shpërndarje të materialeve të krijuara me inteligjencë artificiale. Në Francë po hetohen operacione ndikimi që dyshohet se lidhen me Rusinë dhe që kanë vënë në shënjestër figura politike përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027. Në Gjermani janë ngritur shqetësime për përpjekje për të dobësuar besimin te institucionet demokratike.

Sipas ekspertëve, synimi nuk është domosdoshmërisht bindja e një numri të madh votuesish, por shfrytëzimi i ndarjeve ekzistuese, rritja e polarizimit dhe dobësimi gradual i besimit te institucionet.

Rekrutimi i ndërmjetësve

Pas pushtimit të Ukrainës, vendet evropiane dëbuan diplomatë rusë të dyshuar si pjesë e shërbimeve të inteligjencës. Sipas ekspertëve, Moska është orientuar më shumë drejt rekrutimit në internet të shtetasve të vendeve të treta. Në janar, autoritetet lituaneze akuzuan GRU-në ruse se kishte organizuar një tentativë zjarrvënieje në vitin 2024 ndaj një objekti që furnizonte ushtrinë ukrainase me skanerë të valëve radio. Gjashtë shtetas nga Spanja, Kolumbia, Kuba, Rusia dhe Bjellorusia u arrestuan. Sipas Globsec, 95 për qind e 172 personave të përfshirë në sulme në Evropë që lidhen me Moskën ishin qytetarë të zakonshëm, pa lidhje zyrtare me shërbimet ruse të inteligjencës. Kjo e vështirëson lidhjen e drejtpërdrejtë të sulmeve me Kremlinin.

Roli i “flotës në hije”

Një tjetër shqetësim është e ashtuquajtura “flotë në hije” e Rusisë, e përbërë nga cisterna nafte dhe anije tregtare që lundrojnë nën flamuj të huaj dhe lidhen me kompani jashtë Rusisë për të shmangur sanksionet. Që nga viti 2024, anije të kësaj flote janë lidhur me incidente që përfshijnë dëmtimin e kabllove dhe tubacioneve nënujore, si dhe aktivitete mbikëqyrjeje e dronësh pranë infrastrukturës kritike në Detin Baltik dhe Detin e Veriut. Rusia i ka mohuar akuzat. Ekspertët kërkojnë që NATO dhe BE të përcaktojnë më qartë mënyrën e trajtimit të sabotazheve që i atribuohen Rusisë, duke propozuar masa më të forta ndaj “flotës në hije”, kufizime ndaj aktiviteteve diplomatike ruse dhe investime në edukimin mediatik.

Rreziku i keqkuptimeve dhe përshkallëzimit

Ekspertët vlerësojnë se gjasat që Rusia të synojë një luftë të drejtpërdrejtë me NATO-n janë të vogla. Megjithatë, skenari më i mundshëm shihet një provokim i kufizuar dhe qëllimisht i paqartë në krahun lindor të aleancës. Aktiviteti hibrid pritet të rritet edhe gjatë vitit 2027, përmes sabotimeve, operacioneve kibernetike dhe dezinformimit. Rreziku kryesor mbetet përshkallëzimi i paqëllimshëm. Një incident që prek civilë, një aksident apo një veprim politikisht i ndjeshëm mund të shkaktojë një krizë më të madhe se sa synojnë palët. Për këtë arsye, ekspertët theksojnë nevojën për komunikim më të mirë me Moskën dhe për mekanizma që mund të ndihmojnë në menaxhimin e konfliktit, edhe në një klimë të tensionuar.

Te tjera

Lajme te tjera