E hënë, 27 Korrik, 2026

Berisha: Kryengritja paqësore rinore qytetare po gjen mbështetje të madhe ndërkombëtare. PD do dorëzojë së shpejti padi për ‘Librin e Kuq’ të Edi Ramës. Rama kreu krim kushtetues duke i dhënë para nga fondi i emergjencave koncertit të Kanye West

Share

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi gjatë bashkëbisedimit online me qytetarët se opozita do të dorëzojë së shpejti në Prokurori një kallëzim penal mbi atë që e cilësoi si ‘Librin e Kuq të Edi Ramës’, (The Albanian Files) një dosje që përmbledh qindra shkelje dhe vepra penale të kreut të qeverisë.

Në hapje të bashkëbisedimit, Berisha u ndal te protesta qytetare, që sipas tij, ka marrë mbështetje të gjerë ndërkombëtare. ‘Kryengritja paqësore rinore qytetare po gjen mbështetje të gjerë në të gjithë spektrin politik evropian dhe tek qytetarët e vendeve të lira. Ndërkohë, Edi Rama po damkoset çdo ditë e më shumë si një narkodiktator për të cilin Kushtetuta dhe ligjet janë letër e vdekur’, u shpreh ai.

Në fjalën e tij, kryedemokrati foli edhe për përdorimin e fondit rezervë të qeverisë për koncertin e reperit amerikan Kanye West. Ai e cilësoi vendimin si një shkelje të rëndë të Kushtetutës. ‘Në asnjë rrethanë dhe në asnjë rast, një koncerti privat nuk mund t’i jepeshin paratë e emergjencave të një vendi apo fondit rezervë të Këshillit të Ministrave. Ky është një krim antikushtetues’, deklaroi ai. berisha e krahasoi këtë rast me financimin e garës Giro d’Italia, që u përdor për interesa elektorale nga Edi Rama.

Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët, interesi i këtyre të fundit u përqendruan kryesisht te drejtësia dhe funksionimi i SPAK-ut. I pyetur për kallëzimet ndaj qeverisë, Berisha tha se opozita ka depozituar dhjetëra dosje. ‘Nuk ka një akt dhe nuk ka një skandal që ne të mos e kemi denoncuar. Janë me dhjetëra denoncime, por kjo është një drejtësi e kontrolluar tërësisht nga Edi Rama’, u përgjigj ai. Një tjetër qytetar kishte interes që të informohej se çfarë po ndodhte me hetimet ndaj Belinda Ballukut. ‘SPAK-u është nga alfa tek omega i kontrolluar nga Edi Rama. Dosjet për qeveritarët janë me dhjetëra dhe qindra, por po shkohet drejt zvogëlimit të akuzave dhe bllokimit të hetimeve’, tha Berisha.

Një tjetër temë e diskutuar ishte zhvlerësimi i euros dhe ndikimi i tij në ekonomi. Kryetari i PD-së Sali Berisha deklaroi se, kursi i këmbimit është deformuar nga hyrja e parave të krimit. ‘Kjo dramë me euron ka si shkak kryesor narko-eurot që futen në Shqipëri. Kushti i të gjitha kushteve është ndërprerja e flukseve ilegale të parave dhe kontrolli rigoroz i çdo investimi’, deklaroi ai. Sipas tij, zhvlerësimi i euros ka goditur eksportet, turizmin dhe kursimet e emigrantëve.

Në përgjigje të pyetjes së një qytetareje, mbi pastrimin e parave në sektorin e ndërtimit, kryedemokrati Sali Berisha tha se vlera e kullave në vend arrin në miliarda euro. ‘Kur mendon se këto kulla kanë arritur 7 deri në 8 miliardë euro dhe vetëm 20 për qind e tyre kalojnë përmes sistemit bankar, kupton se sekuestrimet e SPAK-ut janë vetëm thërrime’, u shpreh ai.

Berisha përmendi me emra dhe hotelin e xhamit që po ndërtohet nga ‘Kompania 5D’, drejtuesit e së cilës janë arrestuar dhe hotelin e Elvis Doçit, i njohur me pseudonimin Visi i Pojës, që edhe pse është i shpallur në kërkim nga SPAK, në fakt, sipas kreut të PD, vazhdon jetën i qetë në Durrës duke ushtruar dhe aktivitetin e tij kriminal.

I pyetur nëse Partia Demokratike do të organizojë protesta të reja, lideri i demokratëve Sali Berisha tha se, opozita ka vendosur të mbështesë protestën qytetare ekzistuese. ‘Ne nuk donim të bënim karshillëk me një protestë që nuk ishte thirrur nga Partia Demokratike. Kjo protestë ka formuluar pesë kërkesa që janë 100 për qind edhe kërkesat tona’, deklaroi ai.

Sipas tij, PD do të vazhdojë mbështetjen politike dhe ndërkombëtare për lëvizjen protestuese, duke theksuar se ajo përbën ‘lëvizjen rinore dhe qytetare më të rëndësishme të 35 viteve të fundit’.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u bëri sërish thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protestat e përditshme të organizuara në Tiranë, duke deklaruar se ‘çdo shqiptar duhet të kontribuojë për suksesin e protestës rinore qytetare’, të cilën ai e cilësoi si rrugën për krijimin e një qeverie kujdestare dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira.

Te tjera

Lajme te tjera