Drejtësia shqiptare është vënë pas ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj. Ditën e djeshme, SPAK konfirmoi se po heton ish-zyrtarin e lartë të shtetit për 4 vepra të rënda penale: shpërdorim detyre, korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, pastrimit të produkteve të veprës penale dhe përfitimit të paligjshëm të interesave. Edhe pse nuk u mor i pandehur për inceneratorin e Elbasanit nga SPAK në datën 21 shkurt, kur Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) vendosi të nisë gjykimin. Megjithatë, SPAK pranoi në 7 shkurt për “Faxnews” se po hetonte Ahmetajn për pastrim parash. Tashmë, ish-ministri i Financave, që ka mbajtur dhe postet e Ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformës si dhe të Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes po ndiqet penalisht dhe për 3 akuza të tjera. Sipas Kodit Penal, nëse ai shpallet fajtor për të gjitha akuzat, mund të dënohet maksimumi 33 vjet. Ndërkohë mësohet se në ditët në vijim SPAK pritet t’i kërkojë autorizim Kuvendit për të kontrolluar shtëpinë e Ahmetajt dhe ta marrë nën hetim, duke qenë se ai ka imunetit, ndërsa gjithashtu mësohet se dje ish-ministri socialist është parë në Kosovë nën shoqërinë e kryetarit të Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli. Kujtojmë që ish-funksionari i lartë i shtetit në 10 vitet e fundit, paditi javën e kaluar Byronë Kombëtare të Hetimit dhe SPAK në Shkallën e Apelit të GJKKO për kontrollet e ushtruara në banesat e ish-gruas të tij, Albina Mançka dhe partneres Erjola Hoxha.
Veprat penale për të cilat po hetohet Ahmetaj, neni 248 i shpërdorimit të detyrës
“Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet (7)”, shkruhet në Kodin Penal.
Neni 260, Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë
“Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt apo i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt, nga funksionari i lartë shtetëror ose i zgjedhuri vendor, për të kryer ose mos kryer një veprim që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet (4-12)”, shkruhet në këtë nen.
Neni 287, Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale
“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale nëpërmjet fshehjes ose mbulimit të natyrës së vërtetë, burimit, vendndodhjes, disponimit, zhvendosjes, pronësisë ose të drejtave në lidhje me pasurinë, duke ditur që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale; dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet (5-10)”, saktësohet në Kodin Penal.
Neni 257, Përfitimi i paligjshëm i interesave
“Mbajtja, ruajtja ose marrja e drejtpërdrejtë ose e tërthortë, nga persona me funksione shtetërore apo shërbim publik, i një interesi të çfarëdoshëm në një ndërmarrje ose operacion, në të cilat në momentin e kryerjes së veprimit ka pasur detyrën e mbikëqyrjes, administrimit ose likuidimit, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në katër vjet (4)”, shkruhet për akuzën e fundit ndaj Ahmetajt në Kodin Penal.
SPAK dhe BKH kontrolluan 5 pasuritë e Ahmetajt, gjetën 30 mijë euro dhe dokumente
Në 9 mars, SPAK dhe BKH verifikuan 5 pasuri të paluajtshme, 3 vila dhe 1 apartament dhe 1 banesë, që janë vendosur në pronësi të ish-gruas së Arben Ahmetajt, Albina Mançkës dhe partneres së tij Erjola Hoxha. Saktësisht, bëhet fjalë për: 1 vilë e Albina Mançkës, në zonën “Rolling Hills” (Vila A00); 1 vilë “Vila 22” në Valamar, në ngarkim të Erjola Hoxhës (Building Design Vila “Vale Mar 0765”); 1 apartament në kompleksin “Vale Mar”, porositur nga Erjola Hoxha; 1 vilë me nr. 73 “Green Coast” (Interior Design 1037) dhe 1 banesë e Albina Mançkës në pallatin “Tuborg”, në zonën e ish-Bllokut. Gjatë kontrollit tek vila në zonën e Hamallajt, u sekuestruan 30 mijë euro dhe një sërë dokumentesh. Ndërkohë në shtëpinë e ish-bashkëshortes së Ahmetajt u sekuestruan vetëm disa dokumente.
SPAK sekuestroi pasaportat e Ahmetajt dhe partneres së tij, ja lidhjet me Zoton
Verifikimet e pasurive të ish-eksponentit të lartë socialist dhe qeverisë nisën pas një kallëzimi se ai dhe bashkëjetuesja e tij, Erjola Hoxha nuk kanë deklaruar një vilë në zonën e Valamarit të Hamallajt, në kompleksin “Vale Mar”. Kjo vilë pretendohet se i është dhuruar çiftit në fjalë nga biznesmeni i inceneratorëve Klodian Zoto, i cili është shpallur në kërkim nga shteti shqiptar për aferën e inceneratorëve të Fierit dhe Elbasanit së bashku me Mirel Mërtirin dhe Stela Gugalljan. Arben Ahmetaj akuzohet se iu paguan ndër vite të ndryshme nga Klodian Zoto udhëtime të shtrenjta dhe akomodime në hotele luksoze, por të gjitha këto ai i fshehu dhe nuk i deklaroi në deklaratat vjetore të pasurisë, ndërkohë që i mohon. Kështu që për të bërë verifikimet dhe kopsitur dosjen, SPAK sekuestroi në 14 mars dhe pasaportat e ish-zv/kryeministrit në qeverinë “Rama 3” dhe partneres së tij Erjola Hoxha, nga frika se mund të arratisen jashtë shtetit.
Ahmetaj kallëzoi SPAK dhe BKH në GJKKO, kërkoi shfuqizimin e kontrolleve
Një ditë pas kontrolleve të BKH dhe SPAK në banesat e regjistruara në emër të ish-bashkëshortes dhe partneres së tij, u zbulua se Arben Ahmetaj kallëzoi penalisht hetuesit e këtyre dy strukturave juridike, me pretendimin se ushtruan kontrolle në mënyrë të paligjshme, pasi duhej të merrnin autorizim nga Kuvendi i Shqipërisë, kanë shkelur privatësinë duke i sekuestruar telefonin partneres së tij, e kanë terrorizuar, si dhe nuk e kanë lejuar të marrë avokat mbrojtjes apo një person juridik gjatë kryerjes së kontrolleve të pasurive të paluajtshme.
Arben Ahmetajt kërkon strehim te Behgjet Pacolli në Kosovë, SPAK e vë zyrtarisht nën hetim për korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim parash, brenda disa ditësh do të kërkohet autorizimi nga Kuvendi, ja sa vite burg rrezikon ish-ministri socialist
Share
Te tjera
