Dosja e inceneratorëve duket se do të tronditë shumë politikanë dhe zyrtarët të lartë në Shqipëri, të përfshirë në këtë megaaferë korruptive, për shkak se është në fazën përmbyllëse të hetimit. I rrezikuari kryesor është ish-ministri socialist Arben Ahmetaj. Me daljen e tij të fundit në “Opinion” ai në një farë mënyre parashikoi fundin si ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Ish-oficeri i Antidrogës, Dritan Zagani i kujton se Tahiri u arrestua pas intervistës që dha tek emisioni i gazetarit Blendi Fevziu. Ai paralajmëron se i njëjti fat e pret dhe Ahmetajn. “Dikur Saja pasi e “shiti” shefi madh të qerosi në Opinion, doli u justifikua dhe qau pak duke iu përgjëruar shqiptareve për nderin e tij të fyer, dhe pas pak kohe në burg. Tani pamë Ben Tigrin që qau te qerosi në Opinion dhe po i përgjërohet shqiptareve për nderin e tij të fyer, fiks një javë pasi e “shiti” shefi madh njësoj në të njëjtin emision. Qofsha gabim por do jetë në burg shumë shpejt”, u shpreh ndër të tjera Zagani në rrjetin e tij social Facebook.
Rasti i ngjashëm me Tahirin
Pra Arben Ahmetaj konfirmoi në intervistën e dhënë për “Opinion” se nuk e ka më mbështetjen e Edi Ramës. Mes deklaratave që bëri, ishte edhe një mesazh që i drejtohej drejtpërdrejt kryeministrit. Mesazhi ishte i ngjashëm me kërcënimin që Saimir Tahiri i bëri Ramës para se të arrestohej. “Ramës nuk i kam kërkuar ndonjëherë ndihmë. Ai duhet të bëjë kryeministrin dhe jo gjykatësin. Mua më kujtohen shpesh këta kolegë. Me Tahirin nuk kam shkuar fare. Megjithatë më vjen keq kur e shoh në atë situatë. Rama bëri rolin e gjykatësit. Ai ka të drejtë kur thotë secili t’i dalë vetes zot, por të mos bëjë gjykatësin. Ka pasur një përpjekje mafioze kundër meje. Unë po ia gjej këmbët dhe krahët dhe së shpejti do t’ia nxjerr dhe kokën”, deklaroi Ahmetaj. Ish-ministri u pyet për deklaratat e Ramës, që më herët ka pohuar se kushdo që ka devijuar nga qëllimi publik për çështjen e inceneratorëve duhet të mbajë përgjegjësi individuale. Ahmetaj iu është përgjigjur edhe akuzave të një kallëzimi të bërë nga gazetari, Adriatik Doçi dhe ato të opozitës, se për të ka pasur 4 prenotime në disa hotele luksoze me kartën e Klodian Zotos. “Nuk është e vërtetë. Nuk është e vërtetë. Nuk kam fjetur unë, Nuk kam paguar unë me kartën e Zotos, nuk kam udhëtuar me të. S’ma ka ofruar asnjë herë kartën. Janë spekulime”, ka thënë Ahmetaj. Në vazhdën e kësaj deklarate, ish ministri thotë se si akuzë nuk qëndron pasi ai nuk ka asnjë nevojë që dikush t’i paguaj hotelet, pasi ka mjaftueshëm para, një pasuri që shkon 1 milion dollarë.
Mesazhet e koduara të Tahirit
“Unë po shkoj në burg Lorenc!” Me zë të mekur, mjekrën që i dridhej dhe sytë e përlotur, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i drejtohej në këtë mënyrë në gazetarit Lorenc Vangjeli në studion e emisionit “Opinion” atë mbrëmje të nxehtë politike të 19 tetorit 2017. Ishte dita kur Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte dorëzuar në Kuvend kërkesën për arrestimin e një prej emrave më të fuqishëm brenda radhëve të partisë së Edi Ramës. Mes shumë deklaratave të atij emisioni do të mbahet mend “mesazhi” që Tahiri i dërgoi nën rreshta shefit të tij, se ndihej i tradhtuar. “S’kam asnjë marrëveshje dhe s’kam as nevojë të bëj marrëveshje me të. As dëshirë s’kam të bëj marrëveshje. Por të them një të vërtetë, jo domosdoshmërish është marrëveshje Fevzi. Ti këtë e thua se e para ke në mend se jam i tradhtuar dhe e dyta e mendon se kam bërë një marrëveshje. Unë me Edi Ramën dhe me këdo skam as ndërmend as dëshirë të bëj marrëveshje për të vërtetën që dua ta kërkoj vetë”, tha disa vite më parë Tahiri.
