Nga Rigels Seliman
Edhe pse në publik shfaqen si shumë miqësor dhe madje përbetohen çdo ditë se do jenë bashkë deri në vdekje, ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-presidenti Ilir Meta duket se e kanë “halë në sy” njëri-tjetrin, për shkak se e kaluara e errët i përndjek ata të dy. Në këto 30 e kusur vite demokraci, Meta dhe Berisha janë dy emra që kanë dominuar politikën shqiptarë, ndërkohë që pavarësisht skandaleve të shumta kriminale dhe korruptive që akuzohen se janë përfshirë, ata sot janë bashkë në një “çati”, teksa kanë krijuar aleancë kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikë, sikundër është koalicioni “Bashkë Fitojmë”, pazar ky që synon ta përdorin për të dalë faqe bardhë në zgjedhjet lokale të 14 majit. Por përpara se Berisha dhe Meta të zyrtarizonin “martesën” e tyre, ata kanë kaluar në një histori të mbushur me intriga, kurthe, shantazhe, sulme, akuza, korrupsion dhe krim. Kulmi i këtij skandali daton në vitin 2011, kur Ilir Meta asokohe në postin e numrit dy të qeverisë “Berisha 2” u shfaq në një video, duke bërë korrupsion me shumën 700 mijë euro. Video-përgjimi u filmua nga ish-ministri dhe bashkëpunëtor i Metës, ish-ministri i ndjerë Dritan Prifti, ndërsa pas kësaj, opozita e kohës dhe qytetarët e irrituar kërkuan kokën e ish-kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Partia Socialiste thirri qytetarët në protestë, ndërsa mësohet se ndërkombëtarët për të evituar një përplasje civile, i kërkuan atë ditë Sali Berishës që të çonte vendin në zgjedhje të parakohshme.
Darka Berisha-Meta
Thuhet se ultimatumi i fortë amerikan e kapi gafil Berishën, i cili atë mbrëmje janari që u publikua videoja e Metës në emisonin investigativ “Fiks Fare”, rendi drejt shtëpisë së ish-presidentit, asokohe ish-zëvendëskryeministër, për të diskutuar ofertën që i kishin ofruar partnerët, si masë kjo që do të shmangte gjakderdhjen, sikundër ndodhi disa ditë më pas, gjatë protestës së thirrur nga PS kundër korrupsionit qeveritar, Garda vrau katër qytetarë të pafajshëm në bulevard. Mësohet se Meta në takim i kishte thënë Berishës që ta harrojë që të rrëzojë qeverinë, ndërkohë që i kishte dhenë garanci se ai do të dorëhiqej nga posti i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Ekonomisë, sikundër e bëri dy ditë pas publikimit të videos në emisionin “Fiks fare” në “Top Channel”. Por burime nga besnikët e Berishës, thanë për gazetën “SOT”, se ish-kryeministri ndihej i frikësuar dhe kishte këmbëngulur që të rrëzonte qeverinë, sikundër ja kishin kërkuar partnerët. Mirëpo në debat e sipër thuhet se Meta kërcënoi Berishën, me një video komprometuese që përfshinte në korrupsion dhe afera kriminale djalin e tij, Shkëlzen Berishën. Kjo provë tronditi qetësinë e Berishës, i cili pranoi që të bëhej palë me Metën, për të shpëtuar djalin e tij (Zenin). Për pasojë ai u mjaftua vetëm me largimin e Metës, por jo të ministrave të LSI nga qeveria dhe koalicioni, kurse qytetarët dolën në protestën e thirrur nga opozita, ku policia dhe garda me urdhër të Berishës, qëlluan dhe vranë katër qytetarë. Pra, me vetëdije të plotë dhe ndonëse me çuarjen e vendit në zgjedhjet të parakohshme do të fitonte Shqipëria dhe shmangeshin vrasjet e 21 janarit, ai zgjodhi të injoronte ultimatumin amerikan, të cilët me shkrirjen e qeverisë asokohe, synon të bënin Metën shembull, duke treguar se kur “kapesh me presh në duar” dhe afera korruptive, ekzekutivi bie. Mirëpo kjo gjë nuk ndodhi, për shkak të ekzistencës së videos që komprometonte djalin e tij, Shkëlzen Berisha. Kështu që nisur nga këto prapaskena të forta, mund të themi me plotë gojë se vrasjet e 21 janarit të vitit 2011 u bënë për shkak të pazarit të fëlliqur të dyshes anti-amerikane, Meta-Berisha.
Aleanca e “Bashkë Fitojmë”
Megjithatë për t’u kthyer tek prapaskenat dhe realiteti i sotëm, duhet thënë se publikimi i listave për këshillat bashkiakë, bëri të qartë se mes Sali Berishës dhe Ilir Metës/aj, ka një marrëveshje e cila praktikisht shkrin “Foltoren” e Sali Berishës brenda ish- Lëvizjes Socialiste për Integrim. Dy të tretat e pjesës së mundshme fituese të listës së koalicionit të tyre në Tiranë janë nga ish-LSI, çka tregon se marrëveshja për koalicionin, ka funksionuar përmes një procesi poshtërues për demokratët e Berishës. Argumenti se koalicioni u bë nga nevoja për “vulën” është qesharak. Koalicioni u bë nga nevoja që ka Sali Berisha që në këto zgjedhje të shkatërrojë çdo ishull opozitar në vend, duke e kthyer opozitën në monopol të dyshes Berisha- Meta/j. Partia Demokratike zyrtare i ofroi Berishës pa e poshtëruar që kandidatët e tij të regjistroheshin nën siglën e Partisë Demokratike, duke ruajtur kështu dinjitetin e demokratëve. Ai jo vetëm që nuk e pranoi, duke e quajtur provokim, por i strehoi kandidatët e partisë gjoja anti-komuniste nën firmën e Ilir Meta/j, një i akuzuar për bashkëpunëtor Sigurimi, dhe i shiti atij dhe gjithë listën e këshillave bashkiakë. Në Tiranë gjithë lista e mundshme fituese është me njerëz të LSI dhe pjesa tjetër me demokratë të Berishës, që janë nën kontrollin e Ilir Metës/aj. Askush që nuk e do Ilir Metën/aj, nuk është në pjesën fituese të listës. Kjo është përtej shprehjes popullore që Berisha “për një plesht djeg gjithë jorganin”. Në këtë rast ai ka djegur gjithë demokratët vetëm që të bashkëjetonte me një plesht si Ilir Meta/j, dhe jo të kandidonte me vulën historike të Partisë Demokratike. Dhe këtu ka një strategji që ka nisur prej kohësh. Qysh më 6 mars Berisha zgjodhi Ilir Metën/aj, si partner në koalicion, për t’i mësuar demokratët me idenë që ai do të jetë pasardhësi i tij. Gjithë fushata e 6 marsit bëhej nën thirrjet që të votohej PD në një fletë votimi ku partia e vetme ishte LSI. Në këto zgjedhje është e njëjta histori. Sali Berisha del e flet në mënyrë të paligjshme në emër të PD, ndërsa kandidatët për kryetarë i ka futur nën firmën e Ilir Metës/aj, ndërsa listat ja ka shitur të gjitha atij. Në fund të procesit, kur të llogaritet rezultati proporcional, marrëveshja është e tillë që do të quhet 50 për qind vota të Berishës dhe 50 për qind të Ilir Metës/aj. Kjo është shitja zyrtare e rezultatit të PD historike tek Meta/j. Pra më 15 maj në rezultatet zyrtare, “Foltorja” e Berishës dhe Partia e Lirisë do të jenë dy gjysma të barabarta , pavarësisht se kush ka pasur peshë në atë rezultat. Dhe kjo do t’i hapë rrugë për të ardhmen “Foltores” që ta pranojë Ilir Metën/aj, si pasardhës zyrtar të Berishës në atë parti, pasi është njeriu që trashëgon gjithë arsyet dhe problemet përse Berisha shkatërroi Partinë Demokratike për të bërë një bllok të ri opozitar, qëllimi kryesor i të cilit është të marrë monopolin e opozitës shqiptare. Mos harrojmë se këto janë zgjedhjet më politike të tij, pasi në këto zgjedhje atë e shqetëson më shumë një kandidat dhe një votë për Partinë Demokratike, se sa 800 mijë vota për Edi Ramën. Kështu që ai thjesht do që pas tij të mos ketë më PD. Dhe për të qenë i sigurtë dhe në varr, po u lë Ilir Metën/aj.
Akuzat epike Meta-Berisha
Djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha është kthyer kohët e fundit në qendër të vëmendjes dhe debatit politik, për shkak të hapjes së dosjes së “Gërdecit” nga SPAK. Ai po përpiqet të mbrohet tani, duke dalë nëpër TV dhe gazeta, por atë që ka bërë në Gërdec, nuk mund ta mbulojë dhe fshehë dot. Madje, edhe aleatët e babit e dinë fare mirë çfarë ka bërë. Mjafton të kujtojmë vetëm pak vite më parë, kur Sali Berisha kërkonte në Kuvend dorëheqjen e Ilir Metës si kryeparlamentar, pas akuzave të Tom Doshit se ai donte ta vriste. Meta i kujtoi në seancën e datës 5 mars 2015 Berishës, bisedën që ata kishin bërë për Shkëlzen Berishën dhe se ai ishte në filmimet e Dritan Priftit. Më pas Berisha nuk u ndje dhe Meta e la me aq atë muhabet. Sot natyrisht ata janë sërish bashkë dhe duan edhe të vetëflijohen, për të mirën e vendit.
