Veriu i Kosovës është ende i ndezur. Raportohen trazira në pikat e kontrollit të Policisë së Kosovës. Për të qetësuar gjakrat, kryeministri Albin Kurti ka propozuar ditën e djeshme 8 pika. Ai përmend hapat që është e gatshme t’i ndërmarrë Kosova, si dhe hapat që pret nga Serbia. Gjithashtu qeveria e tij shpalli ditën e djeshme grupe terroriste 2 organizata serbe që operojnë në Veri të vendit. Nga ana tjetër Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, mbështeti idenë për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë, me qëllim uljen e tensioneve mes tyre. Po ashtu dy eurodeputetët gjermanë, Delara Burkhardt dhe Andreas Schieder, kanë kritikuar dje ashpër Bashkimin Evropian, pasi Komisioni Evropian ka paralajmëruar masa ndëshkuese ndaj Kosovës.
Detaje nga propozimi i Albin Kurtit
Kryeministri i Kosovës ka thënë se do të reduktojë praninë e policëve në ndërtesat komunale në Veri, ndërkohë që për katër kryetarët e komunave ka thënë se do të udhëzohen që t’ua dorëzojnë autoritetin e tyre kryetarëve të rinj të komunave pas certifikimit nga KQZ-ja në përputhje me legjislacionin e Kosovës. Kurti tha se ka adresuar kërkesën e BE-së kryetarët të punojnë në objekte alternative. Lideri kosovar po ashtu ka propozuar që komunat në Veri të shkojnë në zgjedhje me anë të një peticioni ndërsa BE publikisht ka kërkuar që kjo të ndodhë me tërheqjen e kryetarëve nga pozitat e tyre. Ai thotë se Kosova është e gatshme të të kontribuojë në de-eskalim. Kurti thotë se nga Serbia pret të tërhiqen protestuesit e dhunshëm, ndërsa Republika e Kosovës të bëjë reduktimin e forcave policore pranë objekteve komunale. Kurti ka propozuar që zgjedhjet e parakohshme aktivizohen në katër komunat veriore, ndërsa nga Serbia pret të mos pengojë apo ndërhyjë në të drejtën e qytetarëve të përkatësisë serbe të Kosovës dhe të gjitha partive politike për të marrë pjesë lirshëm.
Qeveria Kurti shpall grupe terroriste 2 organizata serbe
Qeveria e Kosovës ka shpallur grupe terroriste 2 organizata serbe që operojnë në Veri të vendit. Bëhet fjalë për organizatat serbe “Mbrojtjen Civile” (Civilna Zashtita) dhe “Brigadën e Veriut” (Severna Brigada), që sipas Qeverisë operojnë në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe dhe janë përgjegjëse për tensionet e fundit në këtë zonë. “Bazuar në vlerësimet institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës formacionet civile mbrojtjen Civile” (Civilna Zashtita) dhe komponenta e saj “Brigadën e Veriut” (Severna Brigada), paraqesin kërcenim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë e Republikë së Kosovës”, ka thënë Kurti. Ai ka përmendur veprimet që janë ndërmarrë nga këto grupe, si sulme ndaj KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve tjerë. “Sulmet ndaj qytetarëve e ushtarëve të KFOR, shkaktim i rrezikshëm ndaj pronës publike e private, detyrimi në marrjen pjesë në protesta të dhunshme etj, janë veprimet e ndërmarra nga këto grupe. Andaj, mbrojta civile dhe brigada e veriut shpallen organizata terroriste”, tha Kurti.
Ideja e një konference ndërkombëtare
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, mbështeti idenë për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë, me qëllim uljen e tensioneve mes tyre. Michel i bëri komentet në prag të një samiti të BE-së, që zhvillon punimet sot dhe nesër në Bruksel. “Dua të them se ne e mbështesim edhe idenë për të organizuar, sa më parë që të jetë e mundur, një konferencë së bashku me disa shtete anëtare të BE-së”, tha Michel, duke theksuar edhe nevojën e koordinimit me SHBA-në.
Eurodeputetët gjermanë kritikojnë BE
Dy eurodeputetët gjermanë, Delara Burkhardt dhe Andreas Schieder, kanë kritikuar ashpër Bashkimin Evropian, pasi Komisioni Evropian ka paralajmëruar masa ndëshkuese ndaj Kosovës. “Nuk është e pranueshme të heshtësh për Serbinë, ndërkohë që vetëm Kosova bëhet përgjegjëse për de-përshkallëzimin. Në një proces serioz të dialogut duhet marrë masa të qarta ndaj Serbisë”, ka shkruar në një postim në Tëitter, eurodeputeti gjerman Schieder. Kritike ndaj BE-së është edhe eurodeputetja tjetër gjermane, Burkhardt. “Me sanksionet e djeshme kundër Kosovës, Komisioni i BE-së vazhdon zbutjen me Vuçiçin. Kjo është e njëanshme dhe rrezikshmërisht e gabuar”, ka shkruar ajo.
