Çështja e inceneratorëve është prej kohësh në qendër të vëmendjes, pas arrestimit të ish-deputetit Alqi Bllako. Bllako po hetohet si i përfshirë në këtë aferë, duke u bërë zyrtari i dytë i vendosur në pranga nga SPAK, pas ish-ministrit Lefter koka. Për këtë çështje, dje ka reaguar për gazetën “SOT”, juristja dhe aktivistja e njohur, Brizida Gjikondi, e cila shprehu rezerva për punën e Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Sipas saj, për sa ka kohë që ekskluzivitetin për aferën e inceneratorëve e ka marrë politika, Prokuroria Speciale i ka duart e “lidhura”, duke bërë që të mos guxojë të hetojë me themel këtë çështje.
“Çështja e inceneratorëve nxjerr në pah të njëjtin fenomen që përsëritet dhe ripërsëritet ate që është politika që gjoja zbulon dhe hap çështje penale dhe korrupsioni. Dhe jo institucionet e drejtësisë që janë ngritur pikërisht për këtë qellim. Çështja e inceneratorëve është politizuar dhe pikërisht në atë moment fillon dhe zhbërja e saj si çështja. SPAK rivërtetoi që nuk ka justifikuar pritshmëritë dhe aspiratat e shqiptarëve për një reformë efikase në drejtësi, për ndëshkim të korrupsionit të lartë dhe krimit të organizuar. Çështja e Inceneratorëve i përmban te dy këto element edhe korrupsionin e larte shtetëror dhe krimin e organizuar”, deklaroi ajo.
Prokuroria të hetojë ministrat
Më tej aktivistja Brizida Gjikondi theksoi për gaztën “SOT” Prokuroria Speciale se duhet të shkohet më tej me hetimin, duke tejkaluar pengesat e ekzekutivit. Sipas saj, SPAK po heton aq sa lejon ekzekutivi, duke mos “i shpëtuar” ndikimit të politikës. “Nuk besoj që SPAK-ut i kanë munguar indicet për të hetuar këtë aferë. Në rastin konkret, jo vetëm që duhet të ndiqen dhe të dënohen “jakat e bardha”, por dhe të sekuestrohen fondet që janë zhdukur nga kjo aferë. Kemi një fenomen që është gjithmonë politika i hap çështjet ligjore, dhe kjo është provë që drejtësia është e kapur. SPAK heton sa e lejon ekzekutivi. Koka dhe Bllako nuk janë peshqit e mëdhenj, janë dora e dytë dhe e tretë. Duhet hetuar në thellësi për t’i shkuar deri në fund”, u shpreh ajo.
Po ashtu, zonja Gjikondi u shpreh se SPAK duhet të hetojë çdo vepër që lidhet me korrupsionin e lartë shtetëror dhe të mos bëjë diferencime. “Patjetër duhet thelluar, mendoj qe SPAK deri tani është i kompromentuar në ritëm, hetime dhe diskriminues e përzgjedhës. Dhe këtu se kam fjalën vetëm për inceneratoret por për çdo çështje dhe korrupsion kriminal që ky institucion me dashje nuk ka hetuar”, tha ajo.
SPAK të sekuestrojë pasuritë e të korruptuarve
Ndërkohë aktivistja dhe juristja e njohur, Brizida Gjikondi vuri në dukej edhe disa mangësi të prokurorëve të SPAK, duke veçuar këtu faktin se kur një person është nën hetim, atij fillimisht duhet t’i bllokohet pasaporta që të mos ketë mundësi të arratiste. Por sipas saj, kjo gjë nuk është palëkura nga SPAK në rastin “Bllako” dhe “Llalla”. “SPAK si në rastin e ish-kryeprokurorit Llalla ka “harruar” të bllokojë pasaportat e personave nën hetim si dhe ka harruar të marrë masë konservative për pronat që dyshohet se janë përftuar nga kjo skemë korruptive. Avokatit të Bllakos i intereson të minimizojë përgjegjësitë e klientit të tij. Por këto akuza mediatike duhen bërë pranë strukturave të drejtësisë, pasi si për çdo gjë gjyqet dhe hetimet në Shqipëri bëhen nëpër rrjetet sociale jo në salla gjyqi. Kjo është jo serioze dhe shkon në favor të politikës dhe në dëm të qytetarëve dhe të vendit. SPAK është ngritur jo vetëm që të procedojë ndaj të dyshuarve por dhe të bëj të mundur që fondet e përvetësuara jo ligjërisht të bllokohen dhe t’i kthehen shtetit. Kjo nuk ka ndodhur”, nënvizoi juristja e njohur, Brizida Gjikondi për gazetën “SOT”./Rigels Seliman/