“Më duhet ta bëj të qartë. Kryeministri Albin Kurti është partneri ynë. Ai ndonjëherë është një bashkëpunëtor i vështirë, por ai mbetet një partner. Kosova është partneri ynë. Në të ardhmen, ne duam t’i shfrytëzojmë marrëdhëniet e mira që kemi me Kosovën, t’i përmirësojmë e marrëdhëniet me Serbinë”, ka theksuar qartë dhe prerë emisari special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Deklarata e tij ditën e djeshme i jep një “shuplakë” të fortë qëndrimit pro-serb të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, i cili paralajmëroi pak ditë më parë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të shpallin “non grata” liderin kosovar. Në një intervistë për Institutin për Politikë dhe Ekonomi i Evropës Juglindore, Escobar ka theksuar se Kurti vazhdon të jetë partner i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Rama reagoi më ashpër se kurrë ndaj Albin Kurtit. Ai tha se Kosova është përballë një kërcënimi të madh për shkak të qasjes së tij. Qëndrimi amerikan erdhi pasi kreu i qeverisë shqiptare tha se lajmet për “non gratën” e tij nuk janë mohuar nga amerikanët. “Nuk hyj fare në këto. Dhe nuk kanë ndonjë rëndësi të veçantë nëse janë apo nuk janë të vërteta përderisa nuk janë deklarata publike, por janë dokumente që qarkullojnë, të pakonfirmuara po as të pamohuara. Por nuk është fati i Albin Kurtit sot në lojë, është fati i Republikës së Kosovës si e tërë”, tha Rama. Gjithashtu mediat e blera nga Rama përveçse raportuan konfirmimin e lajmeve që qarkullonin për Kurtin se mund të futet në listën e zezë nga amerikanët, filluan që të pasqyronin dhe zëra të tjerë që mbështesnin këtë tezë. Një nga ata ishte dhe profesori amerikan David L. Phillips. Ai theksoi se SHBA ka sanksionuar liderë politikë shqiptarë dhe se të njëjtën gjë mund ta bëjnë edhe me kryeministrin Albin Kurti. “Natyrisht, dëgjimi i këshillave nuk e cenon në asnjë mënyrë sovranitetin e Kosovës. Aktorët politikë të Kosovës e dinë se kanë nevojë për mbështetjen e Uashingtonit për të realizuar qëllimet e vendit”, ka thënë Phillips. Veprimet e tij nuk janë gabim, por mënyra se si ai ndërmori veprimet e fundit minon interesat e Kosovës. Kërkohet transparencë dhe konsultim më i madh ndërmjet aleatëve dhe miqve”, ka deklaruar Phillips. Me reagimin e djeshëm Escobar fiku shpresat e pro-serbëve.
Mesazhet e forta të Escobar
Diplomati Escobar u shpreh gjithashtu se SHBA-ja po ndërhyn fuqishëm në Ballkan, sidomos sa i përket integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të avokojnë për përparimin e Ballkanit Perëndimor dhe ta shohin atë si një zonë me mundësi të jashtëzakonshme që duhet të integrohet plotësisht në Bashkimin Evropian”, u shpreh Escobar. Ai shton se për SHBA-në, Ballkani Perëndimor mbetet një zonë me mundësi të jashtëzakonshme. “Ne vazhdojmë të mbesim të angazhuar në Ballkanin Perëndimor. Për qeverinë e Shteteve të Bashkuara, Ballkani Perëndimor mbetet një zonë me mundësi të jashtëzakonshme. Karakteristika përcaktuese e Ballkanit Perëndimor për momentin është rritja ekonomike dhe potenciali i lartë ekonomik. Rajoni ka potencialin për të qenë lider në IT, transport, energji, infrastrukturë, transport dhe madje edhe turizëm. Rajoni ka një fuqi punëtore të talentuar dhe relativisht të re. Kështu që ne do të vazhdojmë të investojmë në këtë drejtim dhe shpresojmë se investimi në të ardhmen e rajonit do të ndihmojë për të kapërcyer disa nga problemet politike”, nënvizoi i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
