E premte, 14 Gusht, 2026

Beogradi “në flakë” nga protestat, Vuçiç bën paralajmërimin e frikshëm, kryeministrja serbe gati të japë dorëheqje, ja pse vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje shumë shpejt

Share

Dukej si “zemërim” që do të kalonte pas tre ditësh, por protestat e serbëve janë shndërruar në një sfidë gjithnjë e më serioze për presidentin Aleksandër Vuçiç, ndoshta më e madhja me të cilën ai është përballur që nga ardhja në pushtet 11 vjet më parë. Dhjetëra mijëra persona kanë dalë sërish dje në protestë në Beograd me qindra mesazhe në pankarta kundër presidentit Vuçiç, shumë prej tyre duke i bërë thirrje atij të jepte dorëheqjen, për të disatën. Madje, kishte edhe një kukull të varur, me imazhin e tij, megjithatë presidenti është shprehur se nuk i bën përshtypje. “Detyra ime është të duroj marrëzi të tilla. Unë jam presidenti i republikës dhe detyra ime është të duroj edhe kërcënimet me vdekje. E bëjnë çdo ditë. Ka më shumë se 200 kërcënime me vdekje që më drejtohen çdo ditë. Kur je president, duhet të mësosh të tolerosh”, ka thënë Vuçiç. Një protestë e re është planifikuar për javën e ardhshme, dhe nuk dihet se kur do t’i gjendet fundi “kalvarit të vështirësive” të presidentit, që më shumë se kurrë është këmbëngulës dhe nuk heq dorë nga idetë e tij, e aq më tepër nga pushteti.

Zgjedhje të reja

Dje, Vuçiç, ka përsëritur qëndrimin e tij se nuk do të lejojë formimin e një qeverie tranzitore. Mediat serbe raportojnë se ai theksoi se është i gatshëm të shkojë në zgjedhje në Beograd, por do të ketë edhe disa zgjedhje të tjera. “Nuk do të ketë qeveri tranzitore sa të jem president i republikës, apo sa të jem gjallë. Ose mund të më ndërpritet mandati siç u propozua dje para kuvendit”, theksoi presidenti serb”. Ai e shpjegoi qëndrimin e tij duke thënë se qeveria kalimtare “nuk do të jetë qeveria e Serbisë, por qeveria e grupeve të interesit”. “Kjo qeveri do ta shkatërronte Serbinë për gjashtë muaj, shtatë ose tetë herë më shpejt se DOS-I”, tha ai në festën e Ditës së Policisë. Në të njëjtë linjë ka qenë edhe kryeministrja e vendit, Ana Brnabiç. Edhe për të është kërkuar që të lërë postin, dhe ajo, ndryshe nga Vuçiç, ka shprehur gatishmëri për ta konkretizuar, të japë dorëheqjen në çdo moment, por ka shtuar se presidenti i Serbisë “për momentin e refuzon” këtë mundësi. Ajo ka shkruar në Twitter se Partia Progresive Serbe është gati për zgjedhje. “Vuçiç e di këtë dhe për momentin refuzon. Ai mund të ndryshojë mendje, nuk ka problem, ne jemi gjithmonë gati për zgjedhje”, ka shkruar Brnabiç në Twitter. Ajo po ashtu ka ripërsëritur se “sigurisht i mbetet besnike Serbisë dhe Vuçiçit”.

Kërkesat e opozitës

Duke folur për kërkesat e protestës, Vuçiç vuri në dukje se disa prej tyre janë përmbushur ndërsa disa mund të diskutohen fare. Ai rikujtoi se Ministri serb i Edukimit, Branko Ruzhiq ka dhënë dorëheqjen dhe theksoi se nga kjo javë do të mbyllet reality show në Tv Pink.Ndërsa sa i përket Bratislava Gashiq, Ministrit të Punëve të Brendshme, Vuçiç tha se nuk do të lejonte kurrë shkarkimin e tij.“Ata duan të rrëzojnë një nga më të mirët prej nesh, për çfarë? Policia nuk ka mundur ta parandalojë tragjedinë në Ribnikar, policia ka bërë punën e saj. Nuk ka njeri në botë që do të akuzonte policinë dhe udhëheqjen shtetërore për një gjë të tillë. Për të mos përmendur thirrjet për protesta. Do të hyjë në historinë e marrëzisë” theksoi presidenti, duke shtuar se Gashiq nuk mund të zëvendësohet, vetëm sepse kjo është “teka e dikujt”.

Protesta e pestë

Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në kryeqytetin e Serbisë të shtunën për të pestën herë në një muaj, pas dy vrasjeve në masë që tronditën kombin. Turma, duke brohoritur parulla kundër presidentit Vuçiç, parakaloi rrugëve të Beogradit, për t’u mbledhur para selisë së tij në qendër. Studentët e universitetit udhëhoqën parakalimin, duke mbajtur një pankartë ku shkruhej “Serbia kundër dhunës!” Protesta e së shtunës, që ka të ngjarë të jetë më e madhja deri tani, ishte disi ndryshe nga ato të mëparshmet. Gazetarët e pavarur që mbulonin parakalimin panë grupe të krahut të djathtë të infiltruar për të promovuar agjendën e tyre nacionaliste. Analistët thonë se disa nga grupet kanë lidhje të ngushta me shërbimin serb të sigurimit. Disa nga sulmuesit kishin bluza me mbishkrimin rus Z, simbol i agresionit rus në Ukrainë.

Te tjera

Lajme te tjera