E premte, 14 Gusht, 2026

Ndizet fitili i “fuçisë së barutit” në Ballkan, NATO “blindon” Veriun e Kosovës, Borrell dhe ministri italian ngrenë alarmin: Ekziston rreziku i një lufte të re

Share

Tensionet mbeten të larta në Kosovë pas përleshjeve midis pakicës etnike serbe dhe paqeruajtësve të udhëhequr nga NATO. Protestuesit serbë u mblodhën sërish dje para bashkisë së Zveçanit, duke kërkuar tërheqjen e forcave speciale të policisë së Kosovës dhe kryebashkiakëve shqiptarë etnikë që ata nuk i konsiderojnë përfaqësues legjitimë. Ushtarët e KFOR-it rrethuan ndërtesën komunale dhe siguruan perimetrin me një gardh metalik dhe tela me gjemba. Gjatë përleshjeve, tre persona kanë mbetur të plagosur dhe janë trajtuar në spitalin e Prishtinës. Minoriteti serb kishte bojkotuar zgjedhjet lokale, duke i lejuar shqiptarët etnikë të merrnin kontrollin e këshillave lokale, pavarësisht nga një pjesëmarrje e ulët. Situata mbetet delikate dhe tensioni etnik vazhdon të jetë sfidë në kontekstin e Kosovës. Në të gjithë këtë situatë, një paralajmërim i frikshëm ka ardhur nga ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani, i cili shprehu shqetësimin e tij të madh, duke paralajmëruar, ashtu si kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, rrezikun e një përshkallëzimi: “Nuk mund të përballojmë një luftë tjetër”, tha ai, ndërsa NATO ka vendosur të rrisë kontigjentin e misionit në Kosovë. 

“Blindohet” Veriu i Kosovës

NATO ka “blinduar” Veriun e Kosovës pasi ka vënë në gatishmëri të lartë edhe një batalion rezervë për dislokim në Veri “në rast se ka nevojë”. Kjo është bërë e ditur gjatë vizitës së djeshme të komandantit të Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, admiralit Stuart Munsch, në KFOR. Ky lajm vjen vetëm një ditë pasi NATO vendosi të dislokojë forca shtesë, pasi 30 ushtarë të misionit të saj paqeruajtës në Kosovë, KFOR, u lënduan gjatë përleshjeve me protestuesit serbë në Zveçan. “Diskutimet e tyre (Admiralit Munsch dhe komandantit të KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia) përfshinin dislokimin e 700 trupave shtesë nga batalioni rezervë i thirrur në Kosovë nga NATO për të normalizuar situatën dhe për të garantuar sigurinë, si dhe dislokimin e mundshëm të një batalioni tjetër rezervë që është vendosur në gatishmëri të lartë, në rast se nevojiten trupa shtesë”, thuhet në postimin e Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli në Tëitter.

Protesta e dhunshme në veri

Edhe pse ndërkombëtarët janë me sy e veshë nga Veriu, Policia e Kosovës ka njoftuar se është lënduar një zyrtar, si pasojë e sulmeve me gurë. Gjithashtu forcat e rendit në Prishtinë kanë konfirmuar se është sulmuar me sende të forta dhe një makinë e forcave të saj. “Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet e sigurisë, kanë vazhduar angazhimet në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e protestave të cilat janë mbajtur edhe sot pranë komunave Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Fillimisht protesta ishte e qetë, por në orët e pasdites në intervale të ndryshme kohore disa persona të dyshuar kanë hedhur gurë në drejtim të tri automjeteve të Policisë së Kosovës, ku dy prej tyre iu janë shkaktuar dëme materiale duke iu thyer xhamat. Si pasojë e sulmeve nga mjetet e forta një zyrtar policorë ka pësuar lëndime. Po ashtu gjatë protestës, disa media/gazetarë janë penguar e sulmuar, si dhe automjetet e tyre ishin vandalizuar nga individ/grupe kriminale. Pengimi i gazetarëve në detyrë cenon të drejtën e shprehjes, informimit dhe lirinë e shtypit. Ne jemi të përkushtuar të hetojmë këto akte kriminale dhe të parandalojmë shfaqjen e dhunës. Njëkohësisht Policia e Kosovës u bën thirrje të gjithë protestuesve që të përmbahen nga dhuna dhe të shprehin mendimet e tyre në mënyrë paqësore”, njofton policia.  Kujtojmë se më 29 maj, KFOR ndërhyri ndaj protestuesve serbë në Zveçan, pasi ata paraprakisht nuk iu bindën thirrjeve që të shpërndaheshin. Protestuesit u përleshën me trupat e KFOR-it dhe përveç 30 ushtarëve të lënduar, është raportuar edhe për dhjetëra të lënduar nga ana e protestuesve.

Te tjera

Lajme te tjera