E premte, 14 Gusht, 2026

Sevilla realizon mrekullinë e 7-të, janë ata fituesit e UEFA Europa League, Roma e Murinjos kthehet duarbosh nga Budapesti

Share

Në kryeqytetin hungarez, Budapest, pikërisht në stadiumin “Ferenc Pushkash”, u zhvillua mbrëmë finalja e madhe e Ligës së Europës në futboll, ku u përballën Roma e Sevilja. Skuadra spanjolle vinte në këtë finale si një pretendente, nisur nga eksperienca e saj e madhe në këtë aktivitet dhe njëherësh nga fitoret e finaleve të tilla dhe si mbajtëse në fuqi e trofeut të Europa League. Skuadrat zbatuan mbrëmë një futboll të ndërlikuar në pikëpamjen taktike, ku spanjollët zgjodhën 4-2-3-1, kurse Roma e Murinjos zgjodhi skemën 3-4-1-2, një skemë me përqendrim forcash në mesfushë për të dy ekipet, por dukshëm me Romën më të avancuar, por me një skemë që përshtatej nga mbrojtja në sulm me shpejtësi. Ndoshta kjo skemë krijoi befasinë e kundërsulmeve që i dhanë përparësi në momentet delikate të takimit. Në fakt, që në pjesën e parë Sevilja e dominoi takimin në pothuajse të gjithë treguesit sportivë, sidomos sa i takon pasimeve të sakta, numrit të sulmneve të rrezikshme, goditjeve drejt portës dhe në kontrollin e topit. Por sikurse dihet tashmë, në futboll vlen rezultati dhe në minutën e 35-të një pasim i saktë i Mançinit bëri që Dibala të shënonte për Romën golin e avantazhit. Me këtë gol skuadrat shkuan në dhomat e zhveshjes, rezultat që i shkoi për shtat skuadrës së trajnerit Hoze Murinjo. Në pjesën e dytë Sevilja e rriti ndjeshëm nivelin e lojës së saj, duke ushtruar njjë presion shumë të madh në zonën e Romës. Dhe presingu jep rezultat, pasi në minutën e 55-të Mançini e dërgon topin në portën e tij. Autogoli i tij barazon shifrat e takimit në 1-1 dhe situata bëhet interesante e fatet e ndeshjes të hapura. Secila dëshiron trofeun dhe minutat e fundit janë vërtet emocionuese. Ka përpjekje nga të dy ekipet për ta zgjidhur duelin brenda 90 minutave, por mbrojtjet respektive u treguan në lartësinë e duhur për të mbyllur hapësirat. Për pasojë, loja e rregullt u mbyll në barazim 1-1 dhe për të përcaktuar fituesin u luajt shtesa 30-minutëshe. Por as kjo kohë shtesë dhe shtesa mbi shtesë nuk dhanë efekt, pra rezultati mbeti i pandryshuar, 1-1. Në këtë kohë shtesë të dy ekipet u mbushën me kartonë të verdhë, përfshi dhe trajnerin Murinjo. Kjo ishte finalja e tretë radhazi në Ligën e Europës që shkoi në kohën shtesë, duke thyer një rekord më vete. Në fund u gjuajtën penalltitë, një emocion më vete ky proces. Nga pika e bardhë u treguan më të saktë spanjollët, që fituan 4-1. Për romanistët gabuan Mançini dhe Ibanez. Edhe një herë tjetër Sevilja tregohet “nona” e finaleve të Europa League, duke e çuar në shtëpinë e saj trofeun, kurse Romna e Murinjos kthehet duarbosh këtë herë.

Te tjera

Lajme te tjera