E hënë, 28 Shtator, 2026

Ja pse nuk po hapet dosja e spiunit të Ilir Metajt, zbulohet se kur do të dalin të gjitha provat që e lidhin ish-presidentin me të shkuarën komuniste, pseudonimin që mbante dhe si u rekrutua nga ish-Sigurimi i Shtetit

Share

Deri në fund të marsit Autoriteti i Dosjeve bëri me dije se do të publikonte të dhënat për të gjitha subjektet e komisioneve “Bezhani” e “Mezini”. Asokohe, këto dy komisione punuan me dy standarde, duke nxjerrë shumë politikanë me dosje të pastër dhe që nuk kanë pasur lidhje me ish-sigurimin, njëri prej të cilëve thuhet se është ish-presidenti Meta, i cili nga këta komisione doli i pastër. “Mendojmë se fundi i marsit na gjen me të gjitha aktet gati”, u shpreh disa javë më parë kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, Gentiana Sula. Por një gjë e tillë nuk ndodhi. Burime për gazetën “SOT” bëjnë me dije se vonesa për hapjen e këtyre dosjeve, përfshirë dhe dokumentet për “I.M”, kanë ngecur, pasi proceset janë të ndërlikuara. Janë ndryshuar dy ligje deri më tani dhe sipas Autoritetit të Dosjeve, në këtë rast do ribëhet edhe rregullorja. Pra e thënë më qartë, procesi i hapjes së këtyre dosjeve do të fillojë pasi ky autoritet të përfundojë me të gjitha punët me politikat për vënien në zbatim të ndryshimeve ligjore për hapjen e dosjeve.

Skema për ta nxjerrë jashtë politike

Autoriteti për Dosjet (AIDSSH) njoftoi Kuvendin se në një email anonim shkruante për një politikan të lartë me inicialet I.M, i cili kishte qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit famëkeq të shtetit. Nisur nga faktet që u shtuan për lidhjet e Metës me ish-Sigurimin e Shtetit, autoriteti kërkoi të drejtën për të riverifikuar figurat e zyrtarëve të lartë që kishin marrë “certifikatë pastërtie” nga dy komisione të ngritura në vitet pas rënies së komunizmit. Kjo kërkesë nga Autoriteti i Dosjeve bëri që të lëvizte Kuvendi dhe të rrëzonte Nenin që ndalonte autoritetin për verifikimin e Metës. Në tetor të vitit 2022, Parlamenti i Shqipërisë miratoi disa ndryshime në ligjin “Për të drejtën  e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit”, policisë sekrete famëkeqe gjatë regjimit komunist. Ndryshimet morën votën pro të 94 deputetëve të pranishëm, asnjë votë kundër dhe vetëm një abstenim. Pra ky ligj i ndryshuar parashikon hapjen e të gjitha dosjeve të ish-Sigurimit dhe deklasifikimin e të gjithë dokumenteve nga 29 Nëntori 1944 deri në 2 korrik 1991. Ai parashikon gjithashtu riverifikimin e figurës edhe të atyre personave për të cilët dalin informacione të reja edhe kur ata kanë kaluar në sitën e komisioneve të mëparshme parlamentare, me synimin për largimin nga politika dhe postet publike të spiunëve të ish-Sigurimit.

Ilir Metaj mohon lidhjet me ish-Sigurimin e Shtetit

Ish-Presidenti Meta, aktualisht kryetar i forcës politike opozitare,”Partia e Lirisë”, ish- “Lëvizja Socialiste për Integrim” ka mohuar kategorikisht të ketë qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit dhe ka akuzuar Autoritetin e Dosjeve për manipulim të dosjes së tij. Ai ka marrë certifikata të pastërtisë së figurës së tij nga strukturat përkatëse kur mori postin e Kryetarit të Parlamentit, 2013-2017 dhe atë të Presidentit të Republikës, 2017-2022. Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, ka informuar pak javë më parë se në emër të I.M ndodhen të paktën 140 faqe informacion në arkivat e ish-Sigurimit të shtetit. Bazuar në nenin 5 për të Drejtën e Informimit mbi dokumentet e ish-Sigurimit, Meta është vënë në dijeni se në bazë të verifikimeve të kryera deri më tani, ka  në arkivat e ish-Sigurimit të Shtetit për të, një dosje përpunimi nr. 2565 e përbërë nga 140 faqe të anonimizuara, digjitalizuara, të hedhura në format CD. Kryetarja e Dosjeve e ka thënë pak kohë më parë se arkivat janë të paprekura dhe ekspertët janë gati për të zbuluar fakte të reja që do të nxjerrin zbuluar shumë figura të larta të lidhura me ish-Sigurimin e Shtetit.

“Tërmeti” që do të përfshijë politikën

Nga ana tjetër, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, gjatë vitit 2022 ka zbuluar se disa funksionarë publikë, të cilët kishin certifikatën e pastërtisë së figurës, ishin  bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit, anëtarë të ish Sigurimi hetues apo gjyqtar. Sipas Autoritetit të Dosjeve, certifikatat e pastërtisë së figurës janë lëshuar mbi dokumente jo autentike dhe jo origjinale. “Autoriteti ka hasur vështirësi në zbatimin e dispozitës të pikës 4, të nenit 29, të ligjit nr. 45/2015, i cili, në disa raste, ka dalë me dy vendimmarrje të ndryshme, për të njëjtin subjekt, ku në një  procedurë Autoriteti është vënë në lëvizje me kërkesë të paraqitur nga institucione kushtetuese apo autoritete publike dhe vendimmarrja ka rezultuar që subjekti zotëron certifikatën e pastërtisë së figurës së tij dhe në procedurën tjetër, ku Autoriteti është vënë në lëvizje me kërkesë të paraqitur nga persona të prekur nga aktiviteti i strukturave të ish-Sigurimit të Shtetit dhe vendimi tjetër, në të cilin, i njëjti subjekt rezulton p.sh. si bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit, anëtar i ish Sigurimit, hetues apo gjyqtar. Kjo pasi, dispozita e sipërcituar, pikë e nenit, ka sjellë pengesa dhe ka krijuar vështirësi. Dokumentacioni i trashëguar mbi aktivitetin dhe veprimtarinë e këtyre komisioneve jo vetëm që nuk është autentik dhe origjinal, nuk ka kaluar nëpër një proces të mirë dhe të bazuar në rregulla të qarta mbi administrimin e ruajtjes së dokumentacionit zyrtar, nuk ka një inventar të saktë dhe gjatë përpunimit dhe përdorimit të tij kanë rezultuar pasaktësi”, thuhet në raport.

Te tjera

Lajme te tjera