Prej kohësh mediat angleze janë marrë me sekretet e dietës së Erling Halandit, për të kërkuar çfarë ka magjike në të. Sulmuesi norvegjez ka mundur të shënojë plot 48 gola deri më tani me Mançester Sitin në të gjithë kompeticionet.
Gjiganti norvegjez nuk ka ndërmend të ndalet. Dhe pa diskutim një meritë i shkon dhe dietës së tij. Fillimisht, të gjithë përmendën qumështin magjik të tij. Por nuk është vetëm qumështi, por në fakt një përzierje e tij me barëra, që e bën të veçantë pijen e cilësuar magjike. Në fakt, të gjithë duket se janë lodhur kot për të gjetur çfarë qendron pas suksesit të tij.
Sulmuesi norvegjez ka postuar një foto me qumështin magjik, duke treguar se ai konsumon një përzierje të qumështit me gjethe spinaqi dhe lakre. Duke zgjedhur rrjetin social “Instagram” ai ka postuar një foto me dy shishe qumësht, e shoqëruar me diciturën: “Unë dhe pija ime magjike”. Për përgatitjen e përzierjes magjike për Erling Halandin ka ndihmuar babai i tij, Alfi, edhe ai dikur një ish-futbollist i Mançester Sitit.
Ai ka thënë se i ka mjelë vetë lopët dhe është po vetë ai që përgatit përzierjen me spinaq dhe lakër për t’ia dërguar të birit, në mënyrë që ky të mbajë formën ideale fizike. Veç qumështit magjik, Haland (22- vjeç) përdor dhe teknika të veçanta për të kontrolluar ritmin e tij të qarkullimit gjatë 24 orëve, ku përfshihen edhe mbajtja e syzeve blu për të reduktuar pagjumësinë, si pasojë e efektit të ekranit të televizorit apo telefonit e pajisjeve të tjera elektronike.
